TIRANË- Një kontigjent prej 32 ushtarësh që janë stërvitur bashkarisht prej 7 muajsh do të nisen në nëntor në Afganistan në një mision të përbashkët.  Në një ceremoni të zhvilluara në ambjentet e ministrisë së Mbrojtjes, ministri Arben Imami dhe Ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu dhe shefi i shtabit të ushtrisë përshëndetën ekipin e kombinuar shqiptaro –amerikan, që në nëntor do të nisën në Afganistan.

Trupat do të jenë pjesë e misionit të NATO-s në terren i njohur ndryshe si “ISAF”. Trupat zhvilluan nje stërvitje 7-mujore në SHBA, Shqipëri dhe Gjermani, Garda e Nju Xhersit dhe ushtarët shqiptarë do të shërbejnë bashkashirisht për muaj në Afganistan.

Ministri Imami tha se misioni i “ISAF” nuk do të mbyllet pasi angazhimi i Shqipërisë në Afganistan do të vazhdojë edhe pas vitit 2014, me qëllim që sakrificat dhe gjaku i ushtarëve shqiptarë e amerikanë i derdhur atje të shërbejë për një Afganistan më të sigurtë.

“Sakrificat e popujve dhe të ushtrive tona, gjaku i amerikaneve, shqiptarëve, danezëve dhe shumë popujve të tjerë për lirinë dhe paqen në Afganistan do të shpërblehet me një Afganistan të sigurt. Jo më një ‘save-haven’ për grupet terroriste, Al-Kaiden etj”, u shpreh ministri i Mbrojtjes, Arben Imami.

Ndërkaq, ambasadori Arvizu theksoi se kontributi i Shqipërisë në NATO njihet edhe jashtë saj dhe për këtë vendi ynë vlerësohet shumë.

“Pjesëmarrja në këtë operacion të NATO-ë që mbështet misionin më të rëndësishëm, kontributi i vazhdueshëm i Shqipërisë në NATO njihet, vlerësohet dhe më besoni se çmohet shumë. Shqipëria renditet e dyta nga të gjithë partnerët e NATO-s në kontributin në ushtarë, për produkt të brendshëm bruto, kështu që Shqipëria do të ketë dislokuar rreth 255 trupa në Afganistan, -tha Aleksander Arvizu, ambasador i SHBA-së në Tiranë.

Kontigjenti i përbashkët përbëhet nga 20 ushtarakë shqiptarë dhe 12 amerikanë.

(s.f/shqiptarja.com)