Ku kanë përfunduar fishekët që Shqipëria ka dërguar në drejtim të Nigerisë? Ka patur nevojë shteti i madh afrikan për municionet që janë imbarkuar në Rinas në prill të këtij viti, kur ky vend prodhon vetë municione në një uzinë moderne, madje edhe për eksport.

Pamjet filmike të vizitës së një ministry serb në Nigeri në vitin2011 tregojnë një fabrikë moderne, që prodhon fishekë jo vetëm për kërkesat e vendit, por edhe për eksport në shtetet e tjera afrikane, duke hedhur poshtë variantin se Nigeria ka patur nevojë që të importojë fishekë nga Shqipëria.

Sipas të dhënave të publikuara në gazetën “Shqiptarja. com”, kompania “Unimesko” e lidhur me ish-shefin e SHIU-t Ylli Zyla ka dërguar në prill 2012 një ngarkesë me fishekë shqiptarë drejt Nigerisë. Shqiptarja.com ka botuar dhe fotot ekskluzive të avionit në Rinas, por duket se destinacioni final i këtyre armatimeve, pra shteti i Nigerisë, përbën një të dhënë të rëndësishme në kontekstin e lidhjeve me tregun ballkanik të armatimeve.

Nëse i referohesh të dhënave publike të medieve ndërkombëtare rezulton se në vitin 2011 shteti i Nigerisë dhe zyrtarët më të lartë politikë dhe ushtarakë të vendit afrikan kanë shpallur në vitin 2011 një strategji të re dhe një korridor të ri të blerjes së armatimeve. Tregu i ri do të ishte Ballkani dhe Europa Juglindore, ndërsa ekskluzivitetin e përfaqësimit të kërkesës nigeriane për armatim në Ballkan duket se e përfaqëson Republika e Serbisë. Në muajin Mars 2011 ministri i Mbrojtjes së Nigerisë i cili quhet Adetokunbo Kajod ka vizituar Beogradin. Takimi ka qenë zyrtar dhe të dyja palët kanë diskutuar në parim për mundësitë e bashkëpunimit ushtarak dhe intensifikimin e marrëdhënieve në këtë sektor. Të dyja shtetet kishin në tryezë përfaqësuesit më të lartë respektivë të organeve të inteligjencës dhe trupave ushtarake.

Kthimi i vizitës
Pas vizitës së delegacionit Nigerian në Beograd duket se ajo që i ka hapur rrugën korridorit të ri të shitjes së armatimeve mes dy vendeve ka qenë vizita e një delegacioni serb të udhëhequr nga ministri serb i Mbrojtjes Dragan Sutanovaç në Qershor 2011. Vizita ka qenë thuajse pesë ditore dhe Sutanovaç është takuar me të gjithë përfaqësuesit më të lartë ushtarakë dhe politikë të Nigerisë. Është interesante të lexosh në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes Serbe se ministri Sutanovaç gjatë takimit me Presidentin Nigerian Xhonatan Gudlak është shprehur se marrëdhëniet e këmbimit tregtar mes këtyre dy shteteve janë intensifikuar dhe se pritet të zhvillohen edhe më tej pas nënshkrimit të marrëveshjes së parë në muajin Mars.

Nga ana tjetër pala nigeriane është shprehur në terma më konkretë, pasi Presidenti nigerian dhe Ministri i Mbrojtjes kanë thënë shkoqur se Serbia do të jetë partneri kryesor i këtij shteti në tregun e Europës Juglindore, pra Serbisë i është kaluar nga shteti nigerian ekskluziviteti i korridorit ballkanas të furnizimit. Përpos lidhjes së kësaj marrëveshjeje të ngushtë mes dy shteteve duket se pala serbe ka patur ambicie që shkonin përjtej oreksit nigerian. Ministri serb Sutanovac gjatë vizitës është shprehur se Serbia nëpërmjet punës së ngushtë me shtetin nigerian do të mundësojë shtrirjen e produkteve të saj ushtarake edhe në shtetet e tjera të Afrikës nëpërmjet Nigerisë.

Fabrika e fishekëve
Në raportimet që mediet i kanë bërë vizitës së ministrit serb Sutanovaç në Nigeri bie në sy një detaj interesant. Sutanovaç ka vizituar edhe një fabrikë moderne dhe me një linjë krejtësisht të re të prodhimit të fishekëve në Nigeri. Sutanovaç ka përshkruar në këmbë të gjitha linjat e prodhimit të fishekëve. Këto pamje duket se i japin një tjetër ngjyrë nevojave të Nigerisë për fishekë. Kompania "Unimesko" ka dërguar në këtë vend një ngarkesë të madhe fishekësh më datën 25 Prill, por siç edhe vetë zyrtarët nigerianë mburren në daljet e tyre në media, ky shtet i ka të ngritura linjat e veta teknologjike të prodhimit të fishekëve dhe i përmbushin plotësisht kërkesat e ushtrisë së tyre për fishekë.

(aq/shqiptarja.com)