Për momentin, Mojtaba Khamenei ekziston vetëm përmes mesazheve. Fillimisht mesazhe të shkruara dhe të besuara zërit të gazetarëve të edicionit të lajmeve në televizionin shtetëror. Pastaj ai i postuar në kanalin e tij në Telegram. Mojtaba Khamenei, ajatollahu i ri fantazmë i teokracisë, shpalli fitoren me re të bardha mbi sfond jeshil duke uruar Vitin e Ri persian: “Në këtë moment, falë unitetit të veçantë që është krijuar mes jush, bashkatdhetarët tanë, pavarësisht të gjitha dallimeve tuaja fetare, intelektuale, kulturore dhe politike, armiku është mundur.”
Por Udhëheqësi i ri i Republikës Islamike ende nuk është shfaqur, as nuk është dëgjuar. “Miu suprem po trembet”, e tallin nga diaspora duke luajtur me rrënjën e emrit që në persisht bëhet “moosh”, pra mi. Mungesa e tij ushqen thashetheme dhe teori konspirative. Ka nga ata që betohen se ka vdekur nga plagët e marra pas sulmeve në kompleksin e të atit, ajatollahut Ali Khamenei, dhe nga ata që e përfytyrojnë në arrati drejt Moskës për t’u kuruar fshehurazi.
Qarkullojnë edhe zëra të pakonfirmuar se, pas bombardimit që i vrau babanë, nënën, bashkëshorten dhe djalin, pasardhësi-fantazmë është transferuar në Spitalin Universitar Sina në Teheran. Dhe se, sipas personelit mjekësor, ai ka pësuar një frakturë në këmbën e majtë dhe është trajtuar për hipoksi të rëndë, mungesë oksigjeni pasi ka mbetur i varrosur nën rrënoja. Pastaj, thuhet: ventilim mekanik, koma e induktuar dhe pas tri ditësh transferim drejt një bunkeri misterioz.
Megjithatë, dje Shtetet e Bashkuara hodhën poshtë nekrologjitë e parakohshme, duke cituar CIA-n sipas së cilës Mojtaba është ende gjallë. Burimet e gazetës amerikane Axios tregojnë se njerëzit e tij kanë tentuar të organizojnë takime ballë për ballë me të, të dështuara për ‘arsye sigurie’. Nëse ka ndonjë shenjë se zemra e tij ende rreh, mbetet e panjohur sa pushtet ushtron realisht, i fshehur diku. “Është një situatë të paktën e çuditshme. Nuk besojmë se iranianët do të kishin bërë gjithë këtë mund për të zgjedhur një njeri të vdekur si Udhëheqës Suprem, por në të njëjtën kohë nuk kemi prova se ai po merr komandën”, u shpreh një zyrtar amerikan për Axios.
Në kulmin e sulmeve izraelite dhe amerikane që vazhdojnë të godasin rëndë lidershipin e Republikës Islamike, me eliminimin e profilit të lartë të Ali Larijanit, regjent de facto në kohë lufte, mungesa e Mojtaba Khameneit mund të jetë mashtruese, duke paraqitur një regjim me shpatulla pas murit, në prag shembjeje. Megjithatë, pikërisht lufta përmbys lojën. Kur bien bombat, duket se pushteti i ajatollahëve shpërndahet më shumë horizontalisht sesa vertikalisht, siç ndodh në kohë “paqjeje”, kur nga Udhëheqësi Suprem bien si ujëvarë diktatet mbi çdo aspekt të shtetit.
Një fragmentim i pushtetit dhe një menaxhim më kolektiv e më elastik që, për momentin, i ndihmon ajatollahët në projektin e tyre të Rezistencës me çdo kusht.
Por mbetet nyja thelbësore: me kaq shumë humbje në lidershipin politik, kush i mban vërtet fijet? Frika është se timoni ka përfunduar në duart e Pasdaranëve, besnikët e Mojtabës, fraksionet më radikale të regjimit. “Por është e qartë”, thotë një burim diplomatik, “se që tani e tutje regjimi do të jetë më i kujdesshëm të mos shpallë me zë të lartë emrat e drejtuesve, duke parë fundin që pësojnë.”/Corriere della Sera
Komente











