Maryam Rajavi, presidente e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), deklaron në një intervistë për gazetën greke Ekathimerini se vetëm një rezistencë e organizuar brenda vendit mund të përmbysë sistemin dhe të garantojë një tranzicion të qetë.
Me të ardhmen e Iranit që është në pikëpyetje, edhe pse lufta vazhdon, Rajavi thotë nga Parisi se organizata që ajo drejton është e vetmja opozitë e strukturuar dhe e gatshme për të zëvendësuar regjimin aktual.
E lindur në Teheran në vitin 1953 dhe e angazhuar në luftën kundër regjimit të Shahut dhe më pas atij të Khomeinit, ajo drejton një koalicion organizatash politike, ku pjesën kryesore e përbën grupi opozitar Mojahedin-e-Khalq (MEK).
Pushteti po kthehet në trashëgimi familjare
Duke komentuar mundësinë që djali i Ali Khameneit, Mojtaba, të marrë drejtimin, Rajavi shprehet:
“Pushteti absolut i klerikëve në thelb është shndërruar në një monarki trashëgimore. Por kjo nuk mund ta shpëtojë anijen e mbytur të fashizmit fetar. Kjo është një tjetër vjedhje dhe uzurpim i sovranitetit të popullit iranian dhe i demokracisë së tij, duke treguar edhe një herë se një nepërkë nuk lind pëllumba. Për më shumë se tre dekada, Mojtaba Khamenei, së bashku me të atin, ka qenë një nga arkitektët kryesorë të represionit, eksportit të fundamentalizmit dhe terrorizmit, si dhe të grabitjes së pasurisë së popullit iranian. Në praktikë, ai prej kohësh ka funksionuar si pasardhësi faktik i të atit.”
Vdekja e Khameneit nuk mjafton
Sa i takon mundësisë së rrëzimit të regjimit, ajo thekson:
“Kjo luftë është produkt i politikave aventuriere të regjimit të Velayat-e Faqih, nga programet bërthamore dhe raketore deri te eksporti i terrorizmit dhe luftënxitja në rajon, politika që rezistenca iraniane ka nisur t’i ekspozojë që 35 vite më parë. Në vitin 2002, duke zbuluar dy objektet kryesore bërthamore në Natanz dhe Arak, rezistenca pengoi që bota të kapet e papërgatitur nga një regjim fundamentalist që synonte armën atomike. Vdekja e Khameneit, edhe pse një goditje e madhe për majën e sistemit, dhe edhe pse lufta e ka dobësuar qartë regjimin, nuk do të çojë automatikisht në rrëzimin e tij. Vendimtare është prania e një rezistence të organizuar brenda vendit, e aftë të përmbysë regjimin dhe të menaxhojë periudhën e tranzicionit.”
A ka rrezik për luftë civile?
Rajavi e përjashton këtë mundësi dhe thotë:
“Me një rezistencë të organizuar në terren dhe një alternativë të njohur si Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit, me plane dhe programe të qarta për të ardhmen, nuk do të ketë luftë civile. Shoqëria iraniane, ndryshe nga shumë vende të tjera në rajon, mbetet kohezive dhe e bashkuar pavarësisht diversitetit etnik. Unë u kam bërë thirrje të gjithë qytetarëve për unitet dhe solidaritet kombëtar, pavarësisht orientimit politik, besimit fetar apo përkatësisë etnike.”
Pjesëmarrja në ceremonitë mortore
Ajo komenton edhe turmat e mëdha në ceremonitë mortore:
“Për një regjim që sundon një metropol me 10 milionë banorë si Teherani, mobilizimi i disa dhjetëra apo qindra mijëra njerëzve nuk është i vështirë. Regjimi përdor institucionet shtetërore, shkollat dhe organizatat qeveritare, ushtron presion mbi punonjësit dhe shtresat e varfra dhe përdor burime të mëdha për të organizuar këto ngjarje. Madje detyroi familjet e viktimave të protestave të merrnin pjesë në ceremonitë zyrtare për të marrë trupat e të afërmve të tyre. Masa reale nuk është një ditë apo një imazh, por valët e protestave, grevave dhe rezistencës së organizuar që janë shfaqur vazhdimisht vitet e fundit.”
Plani për tranzicionin
Për të ardhmen, Rajavi shpjegon:
“Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit ka parashikuar mekanizmat e nevojshëm për një transferim paqësor dhe të rregullt të pushtetit te populli. Sipas planit tonë, pas rrëzimit të regjimit, një qeveri e përkohshme do të marrë përgjegjësinë për administrimin e vendit dhe do të organizojë zgjedhje për një Asamble Kushtetuese brenda maksimumi gjashtë muajsh. Me krijimin e kësaj asambleje, mandati i qeverisë së përkohshme përfundon. Asambleja do të hartojë kushtetutën e re dhe do të emërojë qeverinë. Ne jemi të përkushtuar jo për hakmarrje, por për drejtësi; jo për pushtet personal, por për sovranitetin e popullit. Kjo është garancia më e mirë kundër luftës civile, separatizmit dhe kaosit.” /Përshtatur në shqip nga Kathimerini
Komente









