VLORE- Ditën e sotme Bashkinë e Vlorës e kanë vizituar përfaqësues të Kuvendit të Mitrovicës. Kjo vizitë është bërë në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë.

Përfaqësues të Kuvendit të komunës së Mitrovicës i kanë kërkuar kryetarit të bashkisë binjakëzimin e këtyre dy qyteteve. Shpëtim Gjika ka ofruar mbështetje dhe një marrëdhënie më të ngushtë midis dy qyteteve.

Gjatë takimit është diskutuar mbi historinë e kombit shqiptar, kontributin që kanë dhënë figurat historike si Isa Boletini, në pavarësinë e Shqipërisë.

Në nder të kësaj figure Gjika ka premtuar ngritjen e shtatores së Isa Boletinit në qytetin e Vlorës brenda datës 28 nëntor.

Kryetari i komunës së Mitrovicës ka ftuar Bashkinë e Vlorës në datën 24 nëntor të përurojnë shtatore e Isa Boletinit në Mitrovicë.

“Vlorën dhe Mitrovicën nuk i bashkon vetëm të qenit një komb, por gjithashtu i bashkon dhe historia e marrjes së pavarësisë. Kanë qenë bashkë 100 vjet më parë dhe në emer të historisë do të jenë bashkë dhe tani që festojnë 100 vjet pavarësi”, u shpreh përfaqësuesi i komunës së Mitrovicës.

(eç/shqiptarja.com)