/ATSH/.-Lumi Sitnica ka dalë jashtë shtratit të tij edhe në qytetin e Mitrovicës, duke përmbytur qindra hektarë tokë dhe disa shtëpi buzë brigjeve të tij.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj, tha se "uji që ka dalë jashtë lumit Sitnica ka depërtuar në pesë shtëpi afër tregut të bagëtive, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në orendi shtëpiake, serra, ushqim për kafshë etj".

Sipas tij, drejtoria ka marrë masa që në rast nevoje të evakuojë banorët, por edhe bagëtitë.
Ai ka bërë të ditur po ashtu se në lagjen "2 Korriku", Sitnica ka përmbytur 11 shtëpi, duke shkaktuar dëme dhe 6 nga këto shtëpi me 28 anëtarë janë të bllokuara tërësisht nga uji, por nuk kanë dashur të evakuohen.

"Banorët kanë kërkuar ushqim, i cili do t'u dërgohet gjatë ditës, ndërsa në krah të kësaj lagjeje, afër parkut të bizneseve, janë përmbytur edhe dy shtëpi të tjera. Sitnica ka përmbytur edhe 13 shtëpi afër kësaj lagje, si dhe stalla, sera dhe orendië e shtëpive, ku dëmet janë të mëdha", tha Dragaj, duke shtuar se Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim është në gjendje gatishmërie që të ndihmojë këto shtëpi.

Sa i përket situatës në rajonin e Shalës së Bajgorës, Dragaj shtoi se atje nuk ka reshje shiu, por ka pasur reshje të mëdha të borës gjatë tri ditëve të fundit, ku janë bllokuar rrugët e disa fshatrave, në të cilat janë mobilizuar operatorët, falë të të cilëve, aktualisht në tërë rajonin e Shalës së Bajgorës rrugët janë të qarkullueshme.
Ai ka kërkuar mbështetje nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për të ndërhyrë në evitimin e pasojave të përmbytjeve, pasi komuna nuk ka mjete të mjaftueshme për situata të tilla.

Përveç Sitnicës, nga shtrati i vet në qytetin e Mitrovicës kanë dalë edhe lumenjtë Lushta dhe Trepça, por që nuk kanë shkaktuar dëme të mëdha si Sitnica. /KosovaPress/