MITROVICË, /ATSH/.- Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka vizituar të mërkurën Universitetin e Mitrovicës "Isa Boletini", ku ka mbajtur edhe një ligjëratë me temë "Bashkëpunimi ekonomik Kosovë - Shqipëri".

Para studentëve dhe mësimdhënësve ai mbrojti idenë se funksionimi i një tregu të përbashkët do të ndihmojë zhvillimin e të dyja shteteve dhe u shpreh se "shkëmbimet tregtare ndërmjet të dyja vendeve kapin një vlerë prej rreth 150 milionë eurove në vit". Sipas tij, Kosova shkëmbimet më të mëdha tregtare i ka me Serbinë, Maqedoninë e mandej me Shqipërinë.

"Duhet të punojmë që shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë të rriten, pasi kështu rriten edhe vendet e punës", tha ai, thekson njoftimi dërguar nga Universiteti i Mitrovicës. Sipas tij, ekzistojnë tre faktorë kyç që e bëjnë të favorshëm shkëmbimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. "Ky bashkëpunim ka impakt të madh në zhvillimin e dy vendeve, mandej tregjet janë komplementare dhe së fundi është treg ndërmjet vëllezërve", u shpreh ambasadori shqiptar.

Para ligjëratës ambasadori Minxhozi është pritur në një takim edhe nga rektori i Universitetit të Mitrovicës, Alush Musaj. Rektori e njoftoi ambasadorin për traditën akademike në Mitrovicë, për sfidat dhe të arritjet e këtij universiteti. /ATSH/