PRISHTINË - Komuna e Mitrovicës dhe përfaqësuesit e Kompanisë Amerikano-Suedeze "Green 3Power", kanë nënshkruar të shtunën kontratën për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e energjisë elektrike prej 12 megavatësh, shuma e të cilës kap vlerën prej 43 milionë euro.
Sipas KosovaPress, Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, bëri të ditur se janë ndarë 10 hektarë tokë në Zonën e Lirë ekonomike për ndërtimin e kësaj fabrike, ndërsa punët pritet të fillojnë brenda muajit.
"Mitrovica do të ketë më 2016 energji të mjaftueshme dhe s'do të ketë nevojë për import fare", ka thënë mes tjerash Bahtiri.
Ndërsa, drejtori i Kompanisë Amerikano-Suedeze "Green 3Power", Neil Williams, ka sqaruar se kompania e tij është e gatshme të fillojë punimet menjëherë në ndërtimin e fabrikës.
Sipas tij, kjo është mënyra më e pastër në botë për ta konvertuar energjinë.
Ky është investimi më i madh në prodhim që ka bërë deri tani ndonjë kompani vendore apo ndërkombëtare në Mitrovicë. /ATSH/