Carlo Bollino: Mjaft me hajdutët e lajmeve!

 Carlo Bollino: Mjaft me hajdutët e lajmeve!

Është koha t’i thuhet mjaft piraterisë online. Është koha t’u thuhet mjaft hajdutëve të lajmeve, pasi ajo çka ndodh çdo ditë në mediat shqiptare është një seri pa fund vjedhjesh, ku asnjë fajtor nuk paguan. Vjedhja është një krim që kryhet kur dikush përvetëson çfarëdo gjëje që i përket dikujt tjetër.

Edhe lajmet, ose më mirë artikujt me të cilët paraqiten lajmet, janë të mira private, janë pronë intelektuale e atij që i prodhon dhe i publikon. Por, ndërkohë që çdo lloj hajduti vepron në fshehtësi dhe, kur zbulohet, përfundon në burg, hajdutët e lajmeve, në të kundërt, veprojnë në dritën e diellit dhe askush nuk i kërkon apo dënon. Hajdutët e lajmeve janë krenarë për vjedhjet e tyre dhe janë të gatshëm të rishesin në pazar-portalet e tyre dhe në kioskë-televizionet e tyre mallin e vjedhur vetëm pak sekonda më parë, duke e bërë këtë në një mungesë totale ndëshkueshmërie.

Është skandal atmosfera e anarkisë në të cilën po zhytet çdo ditë e më shumë informacioni, edhe për faj të indiferencës së treguar nga politika dhe institucionet publike. Komuniteti ndërkombëtar duket pak më i ndjeshëm ndaj problemit në fjalë, edhe pse pak ose aspak bën për të luftuar fenomenin: në rezolutën e fundit të Bashkimit Evropian përmendet, ndër detyrat e Shqipërisë drejt hapjes së negociatave për bashkim, edhe respektimi i të drejtës së autorit. Por deri tani ky është vetëm një rresht në një lumë fjalësh të tjera, ndërkohë që, si dhe për luftën kundër korrupsionit, kërkohet një betejë frontale dhe një reformë ligjore kundër paligjshmërisë edhe në botën e informacionit.

Në mënyrë të habitshme, vjedhjet e lajmeve nuk shqetësojnë as kategorinë e gazetarëve, të cilët, në shoqëritë moderne, në të kundërt, ndodhen në vijë të parë të betejës për të mbrojtur integritetin e profesionit, por në Shqipëri marrin pjesë me gëzim e pandërgjegjshmëri në masakrimin e tij.

Lexuesit ndoshta nuk e vënë re përmasën e këtij skandali, pasi, në fund të fundit, për ata rëndësi ka të marrin lajmet. Por skandali duhet të tregohet dhe të shpjegohet për t’i bërë të gjithë të kuptojnë se çfarë po ndodh në të vërtetë, pasi edhe lexuesit dhe telespektatorët duhet të mësojnë të njohin e të dënojnë hajdutët e lajmeve. Në Shqipëri ekzistojnë nga 800 deri në 1.000 portale dhe 60 televizione që publikojnë lajme, por në realitet sajtet online dhe televizionet që kërkojnë lajme, përpunojnë kronika dhe i publikojnë ato nuk janë më shumë se 10. Të gjithë të tjerët thjesht vjedhin: kopjojnë lajmet e prodhuara nga të tjerët dhe i ripublikojnë. Një praktikë kjo, në shkelje të hapur të ligjit dhe të normave të profesionit tonë. Ripublikojnë ato lajme, jo vetëm pa respektuar pronësinë intelektuale të atij që ka paguar për t’i prodhuar, por, mbi të gjitha, pa bërë as edhe një verifikim lidhur me saktësinë e tyre. Ja pse fenomeni i piraterisë (të cilin e shkakton edhe mungesa e rregullave të shkruara) është edhe shkaku kryesor i përhapjes së lajmeve të rreme (fake news) në mediat tona dhe i mungesës së besueshmërisë, që rrjedh prej kësaj dhe që po godet të gjithë informacionin shqiptar

Hajdutët e lajmeve janë me mijëra në Shqipëri. Si shumë hajdutë të tjerë, vishen në mënyrë elegante, kanë shtëpi të bukura dhe makina luksoze, pasi edhe të vjedhësh lajme të ndihmon të fitosh lekë pa mundim. Por, ndryshe nga hajdutët ordinerë, hajdutët e lajmeve dalin edhe nëpër televizione si opinionistë dhe marrin pjesë (kundrejt pagesës) madje edhe nëpër seminare kundër piraterisë. Domethënë, fitojnë, jo vetëm duke vjedhur lajmet, por edhe duke u hequr sikur mbështesin betejën kundër vjedhjes së lajmeve.

Ka ardhur koha të thuhet mjaft. Pasi këta piratë po krijojnë një brez të tërë të “gazetarësh dixhitalë” të rinj, që janë, jo vetëm të paaftë të shkruajnë një lajm, të kuptojnë një lajm, të hartojnë një tekst apo një titull të kuptueshëm, duke qenë se paguhen vetëm për të “prerë” e “ngjitur” (copy paste) artikuj të prodhuar nga të tjerët. Por po krijojnë edhe një brez të tërë gazetarësh dixhitalë pa një të ardhme, pasi mediat pirate nuk u paguajnë atyre as sigurimet shoqërore dhe këta të rinj naivë apo të uritur, jo vetëm që nuk mësojnë një profesion, por nuk do të kenë më pas as edhe pensionin e pleqërisë. Janë me qindra, ndoshta me mijëra gazetarët shqiptarë që ende punojnë krejtësisht në të zezë në mediat pirate. Po a e shqetëson dikë kjo?

Bota shqiptare e informacionit dhe sidomos ajo e informacionit online sot është një botë, në të cilët dalin çdo ditë laboratorë të vegjël paligjshmërie, në të cilët gazetare-punëtorët punojnë pa të drejta, nxjerrin në shitje produkte false dhe stërviten vetëm për të vjedhur. Dhe në të cilët bejlerët e informacioneve mbjellin përditë bimë helmuese pa asnjë parim apo asnjë interes për të vërtetën, duke e ushqyer vetëm me inat dhe urrejtje. Po çfarë bote e tmerrshme është kjo?

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Faik: 27/06/2018 18:56

    CARLO BOLINO je Njësh dhe po bën Revolucion në TELEVIZION ! Të gjitha Programet e REPORT TV janë të Shkëlqyera , vetëm do të bëja thirrje në qoftëse ke mundësi CARLO që të bësh edhe 1 TELEVIZION tjetër Paralel për Studiot e Politikës , Emisionet Sportive , dhe SPEKTAKLET , që ti hidhje tek KOSHI i PLEHRAVE TELEVIZIONET e tjera të MAFJES ! RESPEKTE CARLO

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën