Mjeda dhe Erosi, vargjet erotike
të një "prifti të vrazhdë"

Mjeda dhe Erosi, vargjet erotike<br />të një
Mjeda ishte prift i devotshëm, por ishte edhe poet i madh, dhe gjuhëtar i talentuar, filozof, psikolog edhe njeri. Në të ritë kishte qenë pjesë e shtresës më të ulët shoqërore, siç e quan mësuesi i tij, Simon Petroviq: mizerabël.  Mjeda kishte marrë pjesë me shokët në biseda e lodra erotike, me tekste me fjalor të pistë. Ai ka shfaqur, si tërë fëmijët dhe adoleshentët kurreshtjen për seksin, për riprodhimin e jetës. Më vonë kur ishte profesor i filozofisë duhet të ketë mbajtur qëndrim aktiv ndaj jetës, qënjes, ekzistencës, riprodhimit të jetës si aksion madhor që mban botën në ekuilibër. Nuk ka pse të çuditemi që Dom Ndre  Mjeda, solli erosin në letrat shqipe, në një lartësi të paparë deri atëhere. Sidomos me këngën e dytë, të titulluar “Zoga”, Mjeda tregohet njohës i saktë i kësaj ndjesie njerëzore. 
Poeti dhe filozofi Mjeda e sheh erosin si qendrën e ekzistencës së mbarë botës.

Erosi mbart mbi vete elementin e bukurisë, e cila përbën pjesën aktive gjatë tërheqjes reciproke të së kundërtave. Raportet në mes të erosit, botës së gjallë, njerëzimit, bukurisë, instinkteve të epshit, janë të gjitha brënda vargjeve në poemën, “Andrra e jetës”.  Mjeda solli para njerëzve kuptimin e jetës, me tërë fazat e saj: fëmijërinë, adoleshencën, erosin, pjekurinë, pleqërinë dhe vdekjen. Poema është vlerësuar kryevepra e poetit, dhe si një nga kryeveprat e letërsisë shqipe të traditës, cilësuar si shprehje e përsosmërisë në poezinë shqipe. Kur famullitar i Dajçit Zadrimës, Dom Gaspër Gurakuqi, e pyeti Mjedën se cila ishte vepra e tij ma e bukur, poeti u përgjigj pa hezitim: “Andrra e jetës”. Është poezia që është bërë, më shumë se çdo tjetër, objekt i studimeve dhe analizave të gjata. Ka pasur edhe debate të shumta lidhur me këtë poemë: disa e kanë quajtur romantike, disa romantike me nota të dukshme realiste, disa poemë realiste, disa poemë e thellë psikologjike me domethënje filozofike e shoqërore, disa poemë shoqërore, të tjerë poemë filozofike ku problemi shoqëror është aksidental, të tjerë poemë shoqërore-filozofike, por edhe poemë fiolozofike me elemente reale shqiptare, poemë ku bashkëjetojnë klasikja me pathosin romantik të krijimit.

Secili sipas këndvështrimit të vet, por që favorizohet edhe pse për Mjedën, poezia është një vështrim i përgjithshëm i jetës. Mjeda e vlerëson vdekjen si pjesë të pashmangshme e jetës. Nuk e mistifikon dhe as e predikon, por e trajton si një amëshim që vjen pas saj. Poema ndahet në tre këngë ku secila mund të qëndrojë më vete. Trina, Zoga dhe Lokja. Në të folmen e Gropës së Shkodrës fjala “Andërr”, përdoret në rastet kur “filani nuk ta tregon andrrën”, “nuk tregon të mshehtën e vet”, “nuk  tregon sekretet e veta”, “nuk tregon planet, synimet e veta”, në kuptimin “njeri i mshehtë”. Mund të themi Andërr=kuptimi, shpjegimi. Me poemën “Andrra e jetës”, Mjeda ka treguar në mënyrë artistike të fshehtat e jetës. Poema është simbolike dhe realiste njëherit. Mjeda ka dashtë të thotë me këtë poemë se thelbi i jetës është garantimi i ekzistencës së njerëzimit, ripërtritja, riprodhimi, kështu që çelsi është erosi: Për Mjedën erosi është tërheqja fatale në mes dy gjinive njerëzore. Jeta riprodhon vetveten përmes erosit. Në poemë funksionon parimi i treshes.

Poema hapet me dy çika me një nanë, ku njeri element i treshes, Lokja,  ka siguruar riprodhimin. Në mes treshes vërtiten të gjitha fabulat e jetës mbi tokë. Por vjen erosi dhe Zoga gjen shokun e jetës: Bëhen dy, që edhe ato sigurojnë mbijetesën: foshnjen e tyre. Me këtë cast, Lokja ka përfunduar me sukses  mbijetesën,  misionin e ripërtritjes, dhe shkon drejt shuarjes, drejt vdekjes. Vdekja për Mjedën shihet si pjesë e jetës. Ajo ndodh në dy raste: 1. Kur njeriu që vdes nuk e ka kryer misionin erotik: “Të gjitha lulet që çilin, tana nuk lidhin”, thotë populli. Trina është “lulja” që ka çilë por që nuk ka riprodhuar veten. Dy vajzat tek kënga e parë “Trina” janë fëmijë që përjetojnë punët e përditshme e të zakonshme të një shtëpie malësore. Por vdekja e merr Trinën pa arritur të bëhet grua e të riprodhojë veten.  2. Rasti I dytë përfaqësohet nga Lokja, e cila ka kryer aktin e riprodhimit, dhe mbasi është plakur, kërkon vdekjen e cila vjen butë-butë dhe e puth në ballë.

Tek koncepti eros, rolin kryesor e luan bukuria, ngjyrat, erërat e kandshme, paraqitja fizike. Erosi tek Mjeda përfaqëson segmentin më irracional të jetës reale të njeriut, deri në atë fazë sa që bëhet fjalë për një jetë ireale. Mjeda, qoftë në mënyrë formale ka treguar se thelbi i jetës është erosi, i cili siguron ekuilibrin e kësaj bote: Kënga e parë, “Trina” ka 120 vargje, kënga e tretë “Lokja” ka 52 vargje, kurse kënga e dytë “Zoga” përfshin 144 vargje. Erosi për Mjedën është ekzistencë, ruajtje e llojit. Erosi për Mjedën është konkret:  i veshet një vajze konkrete dhe një djali konkret. Ka një shënim në kopjen e daktilografuar të veprës poetike të Mjedës, që ruhet në AQSH, fondi 40, dosja 4, ku thuhet: “Shkasin e muer auktori prej nji nane qi mbet e vejë me nji vajzë të vogël e kje lanë me banue në nji jerevi të Dom Ndreut në Kukel”.

Por që kalojnë në situata irreale, dhe irracionale. Zoga  përfaqëson erosin në plotëninë e vet në katër fazat e  saj. Lasgushi e ka erotikën si shteg-bashkimi, ndërsa Migjeni si gëzim i të qenurit (Anastas Kapurani, Rilindasi, 6 tetor 2013). Mjeda si filozof dhe psikolog i natyrës njerëzore që është, e sheh erosin si dalldisje që shtyn drejt njeri tjetrit dy qenje, njera prej të cilave pa tjetër e bukur, për të siguruar riprodhimin e vetes.

Njësia e parë, e këngës së dytë “Zoga”, krijon mjedisin erotik. Bilbilat këndojnë dhe përrallen me njeri tjetrin, “bëjnë dashuri” dhe ndërtojnë çerdhet për të rritur zogjtë e tyre. Zana u prin shoqeve në valle në maje të bjeshkëve. Zoga e molisur nga erosi dhe jo nga punët e shtëpisë, mezi qëndron bri votrës. Zymbylat i çojnë, si dhunti, erë të kandshme drandofilleve, E zë gjumi, por ajo qesh në gjumë, i falet djalit, struket përmallshëm. I vlon tanë gjaku në fytyrë: Ka shikuar në ëndërr nën balkonin e shtëpisë një djalë të ri, të hollë e të gjatë, ngrimun në ar mbi një kal shale. Kurse nanë bardha, Lokja, e gënjen  veten: e uron vajzën që të flej me engjëj, që të pushojë, se duhet për t’i ndihmuar në punët e shtëpisë.

Njësia e dytë e këngës së dytë “Zoga”, tregon se si e pushton vajzën adoleshente, magjepsja, si shpërthen sensualiteti, si shprehet hutimi, turbullimi, halucinacioni i vajzës së re. Zoga zgjohet heret del në balkue tek sheh jetën e fshatit që është zgjuar. Zoga ka ndërruar nuk është më ajo e para. Këtë, Mjeda e tregon përmes ndërrimit të filcigeni bimë aromatike për vajzat e reja, me një bimë tjetër, makthin, karakteristike për vajzat kandidate për fejesë. Zoga sheh dritë tek rruga nën balkue, atje ku ktheheshin nga mali, me çeta katundarët, pa pushim, sepse ajo pret aty djalin e saj, princin e kaltër. Më parë, Zoga, nuk e kishte vërejtë dritën asnjëherë që ndriçonte atë shteg. Mjeda thotë “nuk e kishte pa”. Zoga, vajzë e re në fshat, fle bri votrës me një gjumë engëllor, ku ajo qesh, ngre dorën sikur kërkon ta prekë djaloshin, struket përmallshëm dhe gjaku i vlon në fytyrë.

Është pranverë: Mjeda lë të kuptohen lodrat erotike në gjumë, karakteristike për një vajzë të re. Shkaku është djali i ri që shfaqet nën ballkon. Por Lokja që ka harruar rininë e vet, mendon se Zoga po fle me engjëjt. Zoga zgjohet prej gjumit, nënkupto: prej ëndrrave erotike.  Sapo kanë dalë rrezet e para të diellit. E tërë natyra është zgjuar dhe kërkon të përtrihet. Edhe Zoga shpërthen, i vlon gjaku, nuk është më ajo e mëparshmja. I gjithë fshati është zgjuar, edhe natyra edhe bujku edhe bletët kanë filluar nga puna, vetëm Zogës nuk i punohet në tezgjahun e saj: ajo e ka mendjen diku tjetër: ka dalë në ballkon, me shpresë të shohë, djalin e ri.

Është në një gjëndje të dalldisur, është e hutuar, e shastisur, gjendje shpirtërore e veçantë, kur Zoga don me ngulm të gjejë shokun. Edhe në gjumë ajo lëviz dorën të prekë djalin e ri që e sheh në ëndërr, përmallohet, mund të themi se është një gjëndje e harlisur, ka shpërthyer, shfrenohet, karakteristika për azdisje të ndjenjave epshore. Lëvizjet e saj janë të çakorduara. Shkon dhe vjen nga tezgjahu tek ballkoni. Lëviz nëpër shtëpi kuturu.  Është pranverë: gjaku i vlon në fytyrë. Zoga është e shastisur, e trullosur, e  perhumbur, e habitur. Në një çast të tillë e ka fiksuar piktori i talentuar Pandi Mele, në grafikën kushtuar këtij çasti për Zogën.

Kemi portretin më erotik dhe më modern të vajzës së re shqiptare: Zoga këndon duke sjellë krëhërin mbi  flokët e saj, që valëviten si dallgë deti, ndërsa dielli lëshon rrezet e ndritshme, si flakë ari. Vajza e re është bërë grua! Sipas Kolë Ashtës, Zoga është e para vashë moderne që prodhoi poezia shqipe. Poeti çuditet: çdo gjë kishte ndërruar! Edhe era e filcigenit kishte ndërruar ne erë makthi, simbole të ndërrimit të statusit nga vajzë në grua që kërkon shokun e jetës. Edhe rruga e vjetër që kalon në shtëpinë e Zogës, mbas gardhit, ka marrë dritë në sytë e Zogës. Deri atëhere ajo nuk e kishte vërejtë asnjëherë atë rrugë nën ballkonin e shtëpisë. Nuk i kishte bërë përshtypje. Nëpër atë rrugë gjithnjë kishin kaluar çeta katundsish pa pushim, por asaj nuk i kishin tërheqë vemendjen. Tani Zoga andej pret të kalojë djali i ri, por nuk e sheh të vijë, dhe ashtu kthehet përsëri mërzitshëm tek tezgjahu.

Mjeda tregohet njohës i mirë i lodrave të erosit që kanë mbërthyer Zogën: Vajza e re, shkon tek tezgjahu të punojë por nuk i punohet, shkon në dritare, ndoshta djali ka mbërri tek shtegu e po pret i veshur për bukuri. Po  zhgënjehet. Nuk ka ardhë djali, por kanë ardhë dy dallëndyshe që po bëjnë çerdhen e vet. Kujtesë: ka ardhë koha që fshati bën fejesat. Përsëri shkon e vjen dhe gjen vetëm dy bilbila, njeri në drandofille dhe tjetri në zymbyla, që thërrasin njerit jetrin përmallshëm.

Njësia e tretë, e këngës së dytë “Zoga”, tregon se erosi “ka realizuar qëllimin e vet”: çifti është martuar. Zoga largohet nga shtëpia e ndahet prej Lokes. Erosi është bukuri tërheqje ekzistencë. Zogën e çon tjetër kund flaka e erosit që në zemër i lindi. Vijnë dallëndyshet përtej detit, kthehen bilbilat nëpër pyje të veshuna. Ka ardhë pranvera. Edhe bimët endin lulet, prroni ndahet prej borës që i jep ushqim.  Kemi bashkimin e dy zemrave: Njajo flakë që pati Zoga në zemër për djalin e ri e përcjellë atë në një vend tjetër, tek shtëpia ku do të ngrehin çerdhen, atje ku e pret një zemër flak’ e shkëndija, me të Zogës me u ba një. Erosi bashkon dy zemra me u ba një, thotë Mjeda, me lidhjen e shenjtë, me besë, garant është Krishti, rojtarë janë engjëjt në qiell që nuk do të lejojnë gabimin e Davidit, mbretit te ebrejve, i cili trathtoi kunorën e tij me gruan e një ushtari.

Njësia e katërt, e këngës së dytë “Zoga”, i këndon lindjes së foshnjes. Plotësohet treshja, burrë, grua, fëmija: Lokja kërkon vdekjen e cila e merr dhe ajo largohet në qetësi nga kjo jetë. Kjo skenë është një nga perlat e letërsisë shqipe. Mjeda e ngre në pjedestal hënën e këndshme, yjet që shëtisin natën në qiell, kur del agimi e rruzullimi mbulohet me dritë kuqaloshe, shpendin tue pingrue në pyje, por asnjë nga këto nuk i ngjason foshnjes kur i qeshet nënës, kur ajo mbi te përkulet. Në këngën e katërt Zoga-nënë përkulet mbi foshjën e saj, mbi  frutin e dashurisë, e cila i qeshet nënës në një mënyrë të veçantë. Ernest Koliqi, shkruan: “Ky prift i vrashtë në dukë na la vargjet mâ të nxehta e të pastra qi njef gjuha e jonë mbi dashtní. Jo vetëm dijti të përshkruej atmosferën mysterjoze në të cilen zgjohen papritmas zêmrat e vashave dhe sŷt e rij qi u falë ai zgjim dhe vegimet e âmbla të pacaktueme qi u a rrëmbejnë menden, por këndoj, ai qi nuk e njofti martesën, hovin e dashnís amtare mbi djep të foshnjes së vet.”

Poeti e ka trajtuar temën e dashurisë së përjetshme, kur përshtati  poezinë e Goethes “Mbreti i Tules”, poeti ynë i thuri lavde dashurisë sublime: Kur erdhi koha të vdiste, mbreti plak i dhuroi të gjitha, përveç putirit të rakisë që ia kishte falë e dashura. “Deri n’dekë besnik ke s’thohet/ Ishte n’Tule ‘j padishâ,/ Diq e dashtna mbas do kohet/ E ‘j got’arit shêj i la.// Sa at gotë arit gja nuk dote/ E gjithmonë me têne piu/ Por ka ‘j lot per faqe i shkote/ Gjith’ sa herë pite fatziu.// E t’ksaj t’kandshmes jetë dëshirin/ Piu ma t’mbramin e lumnoj/ Pisi  plak, mandej putirin/ Nder val’ t’détit e flakroj.” (Mbreti i Tules). Në poezitë e Mjedës tema e familjes zinte një vend të dukshëm, duke e ngritur familjen e shenjtë në kult. Mjeda ishte ankuar direkt ose indirekt se nuk pati mundësi të krijonte familje, atë që e kishte dhanë si të drejtë vetë Perendija. “Na dha né t’shkretve vetë Perëndija/ Mallin m’u pamun, me ndejë n’nji votrë;/Grueja me t’shoqin, me prinden fëmija/ E vllau me motrë.” (Malli për atdhe).
 
 
Mjeda i ri, i dërgoi Gustav Meyerit fjalë të urta dhe këngë erotike me tekste ”vulgare”, që i këndonin në gegëri e që u botuan nga Akademia e Vjenës, në “Studime shqiptare”, vëllimi VI, Vienë, 1897. Tekstet e Mjedës u botuan nga Meyeri, megjithëse ai i ishte lutur Mjedës që të tregonte emrin e tij si gjetësi dhe mbledhësi i tyre i vërtetë.  Meyeri botoi 206 fjalë të urta ku përfshiheshin në variantin bisedor, fjalë vulgare. Gjithashtu Meyeri botoi në kapitullin  Këngë lirike, erotike, humoristike, historike dhe legjenda gege. Nga letërkëmbimi I Mjedëës me Meyerin mësojmë se Mjeda ka kundërshtuar të ëprmendej emri I tij. Mjeda i ka shërbyer Meyer-it edhe këngë lirike e erotike, që pëshpëriteshin në rrethet e të rinjve të kohës. Në rastin e këngëve erotike, bie në sy leksiku vulgar por me të drejtë Mjeda e ka futur në dorë, këtë material tekstologjik, sepse shprehte gjendje të caktuara  shpirtërore psikologjike të të rinjve. Ato ishin të frymëzuara nga jeta, në kushte të caktuara  historike dhe trashëgimi e kulturës shpirtërore të popullit.

Është i njohur interesimi i Mjedës për folklorin shqiptar. Ai e kërkoi gjenezën e popullit të vet, gjurmoi dhe studioi folklorin, gjuhën dhe historinë e popullit me një zell të jashtëzakonshëm. Tek vepra e tij poetike kemi personazhe legjendare e mitologjike, të cilat Mjeda i kishte zgjedhur për t’iu komunikuar bashkëatdhetarëve lashtësinë e të parëve të tyre. Poezia e tij është plot frazeologjizma. Tek Mjeda gjejmë të përthithura nga letërsia gojore e popullit, mallkime, urime, përshëndetje. Erosi ishte për Mjedën thelbi i dashurisë, i impulsive njerëzore që sigurojnë këmbimin e brezave. Mjeda kishte pranuar metaforat e poezive lirike të folkut popullor, si një shfaqje jo thjeshtë vulgare por si shprehje e thelbit të botës intime të njeriut që dashuron.
 
Shkrimi u publikua sot (13.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksidentohet djali i Brad Pitt dhe Angelina Jolie, pëson dëmtime në kokë

Aksidentohet djali i Brad Pitt dhe Angelina Jolie, pëson dëmtime në kokë