Kylie Jenner është paditur nga një ish-punonjëse shtëpie, në një padi ku pretendohet se ajo është diskriminuar dhe bullizuar.

Angelica Vazquez  ka depozituar padinë në Los Anxhelos dhe kërkon dëmshpërblim ndaj manjates së bukurisë dhe dy kompanive. 28-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve, nuk përmendet në dokument si burim i drejtpërdrejtë i keqtrajtimit të pretenduar, por ajo është listuar si e paditur në këtë çështje.

Në dokumentet gjyqësore, Vazquez thuhet se detajon pretendimet nga periudha kur ka punuar për Jenner, nga shtatori 2024 deri në gusht 2025. Fillimisht ajo ka punuar në shtëpinë e Jenner në Beverly Hills, përpara se të transferohej në pronën e saj në Hidden Hills.

Sipas dokumenteve të gjykatës të cituara nga People dhe TMZ, ajo pretendon se që nga dita e parë në punë është “trajtuar në mënyrë armiqësore dhe përjashtuese”. Në padi, Vazquez pretendon se është “ekspozuar ndaj ngacmimeve të rënda dhe të vazhdueshme” nga anëtarë të tjerë të stafit.

Lista e pretendimeve, e cituar nga të dyja mediat, përfshin se ajo “caktohej rregullisht në detyrat më të vështira dhe më të padëshiruara; përjashtohej nga ekipi i pastrimit; poshtërohej dhe turpërohej publikisht përpara kolegëve për shkak të racës, origjinës dhe fesë; si dhe i nënshtrohej intimidimit dhe trajtimit poshtërues”.

Në dokument, Vazquez identifikohet si një grua nga Salvadori dhe praktikante e fesë katolike.

Ajo pretendon se ka qenë objekt i “komenteve të përsëritura diskriminuese dhe fyese” lidhur me fenë dhe statusin e saj si emigrante. Në padi, familja e Jenner përshkruhet si një “mjedis pune toksik dhe abuziv”.

Vazquez thotë se ankesat e saj për këtë situatë janë “refuzuar, tallur ose injoruar”, sipas dokumentit të parë nga People. Ajo gjithashtu pretendon se në mars 2025 një kolege i ka hedhur varëse rrobash pranë këmbëve.

Ish-punonjësja e Jenner pretendon se ka pësuar ankth dhe “simptoma në përputhje me çrregullimin e stresit post-traumatik”. Ajo shprehet se “nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të jepte dorëheqjen” në gusht 2025, për shkak të kushteve “të papërballueshme” të punës.