BARI - Mjeket italiane që ndjekin nga afër gjendjen shëndetësore të Lirak Bejkos flasin për djegie në një sipërfaqe të madhe të trupit dhe mbi të gjitha për rrezik të lartë të infeksioneve. Të intervistuar nga TV A1Report, dy mjeket italianë në Poliklinikën e Barit janë të rezervuar në dhënien e prognozës për shkak të rrezikut për jetën, që mbetet në nivel 10-15%.

- Dr. Giulio Maggio është përgjegjësi i Qendrës së Djegieve të Rënda të Poliklinikës së Barit dhe është mjeku që mbrëmë ishte i pari që i erdhi në ndihmë pacientit shqiptar. Cila është gjendja aktualisht? Çfarë terapie po ndiqni?


Pacienti është në gjendje kritike, me djegie mjaft të përhapura, pra që nuk lejon të bësh shumë parashikime. Po bën një terapi rianimuese që do ta ndihmojë të kalojë të fazë të parë që zgjat 24-48 orë. Më pas do të ndjekim një program të tërë e kompleks rikrijues. Djegiet do të trajtohen kirurgjikisht, zonat e djegura duhet të hiqen dhe më pas duhet të mbulohen me tjetër material të avancuar si psh. zëvendësues lëkure, lëkurë alogjenike, lëkurë donatorësh e ruajtur nga kufomat, dhe pas një periudhe prej të paktën dy javësh, mund të mendohet për një rindërtim përfundimtar.
Sigurisht, është një trajtim i gjatë.
Kjo fazë karakterizohet nga rreziqe të shumta pasi pacienti mund të hasë një seri problemesh si infeksioni ose problematika multiorganike që mund të çojnë edhe në vdekje të pacientit.
Prognoza mbetet e rezervuar për të gjithë kohën që pacienti do të qëndrojë në terapi intensive dhe gjithsesi duhet thënë se bëhet fjalë për një pacient që është në gjendje shumë të rëndë, pasi përveç fazës fillestare kur pacienti mund edhe t’i përgjigjet pyetjes, do të ketë faza të tjera gjatë të cilave pacienti do përballet me një seri rreziqesh infektive shumë të larta.

-Cila është grada e djegies së pacientit?
Atëherë, nuk mund të flitet për gradë sesa për përqindje. Ka një gradë të parë, të dytë dhe të tretë - tani flitet për djegie të sipërfaqësore, të mesme dhe të thella - ai ka djegie të mesme-të thella dhe të thella. Por nuk është shumë e rëndësishme thellësia sepse një djegie e thellë në 5% nuk sjell asnjë rrezik për vdekje. Ndërs një përqindje prej 50% me djegie të thella e vë pacientin përballë një rreziku vdekjeje që në rastin e tij është përreth 10-15%.

-Dr. Emilio Vollon, edhe ai ka marrë pjesë dje në ndihmën e parë që iu dha pacientit. Cfarë hasët?

Atë që tha edhe Dr. Maggio, djegie të thella në rreth 50% të trupit. Tani presim që të dalë nga faza më e rrezikshme që dalëngadalë të ecim përpara. Do të jetë mesiguri një trajtim i gjatë...

-Sa i gjatë?
...eh, nuk mund ta dimë. Bëhet fjalë për javë dhe muaj që ta shërojmë plotësisht. Ndonëse shenja mund t’i mbeten.

(im/shqiptarja.com)