Kirugjia sapo hodhi hapin e radhës drejt së ardhmes.
Për herë të parë, robotët humanoidë kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale te derrat, duke përfunduar me sukses dy heqje laparoskopike të tëmthit.
Kjo hap një mundësi për të ardhmen ku këta robotë të avancuar mund të plotësojnë boshllëqet në mjekësi duke lehtësuar mungesën e kirurgëve, duke u ofruar mjekëve një ndihmë të teknologjisë së lartë në sallën e operacionit dhe duke zgjeruar qasjen në procedura që shpëtojnë jetë në zonat me shërbime të kufizuara.
"Mund të imagjinoni që këta robotë të përdoren në komunitete të largëta, ku sigurimi i stafit është sfidues, ose në mjedise të vështira, si operacionet e kërkim-shpëtimit, ku nevojitet një angazhim masiv i mjekësisë në terren brenda një kohe shumë të shkurtër," shpjegoi Michael Yip, anëtar i stafit akademik në Universitetin e Kalifornisë.
"Kjo mund të ndihmojë në adresimin e krizës së kujdesit shëndetësor jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në mbarë botën."
Studimi përshkruan dy operacione të fundit që vunë në provë këtë teknologji.
Në të parin, një robot humanoid mori rolin e kirurgut kryesor me ndihmën e një njeriu, ndërsa i dyti u krye nga një dyshe e përbërë tërësisht nga robotë.
Gjatë të dy ndërhyrjeve, robotët kryen me sukses detyrat kryesore, tërhoqën indet, kryen ndarjen, vendosën kapëset kirurgjikale dhe hoqën tëmthin nga shtrati i tij në mëlçi te dy derra duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt provave të ardhshme te njerëzit.
Megjithatë, robotët nuk operuan në mënyrë të pavarur. Në secilin rast, kirurgë të trajnuar i kontrollonin makinat nga distanca, duke drejtuar lëvizjet e tyre në kohë reale.
Ekipi përdori dy robotë humanoidë rreth 1.5 metra të gjatë, që peshojnë afërsisht 27 kilogramë dhe kushtojnë më pak se 20,000 dollarë dhe i modifikuan për të përdorur të njëjtat instrumente që përdoren në procedurat minimale invazive.
Kjo qasje u dha robotëve një avantazh të rëndësishëm: ndryshe nga sistemet robotike të specializuara, të ndërtuara për një grup të kufizuar detyrash, një robot humanoid si ai i ekipit, i quajtur "Surgie", mund të përshtatet potencialisht për një gamë shumë më të gjerë funksionesh, si brenda ashtu edhe jashtë sallës së operacionit.
Studiuesit theksuan gjithashtu se përmasat më të vogla, kostoja më e ulët dhe instalimi më i thjeshtë i robotëve mund të përbëjnë avantazhe të rëndësishme krahasuar me sistemet tradicionale robotike.
Sipas tyre, këto përparësi mund ta bëjnë teknologjinë më të lehtë për t'u vendosur në spitale rurale, komunitete të largëta dhe vende të tjera ku burimet mjekësore janë të kufizuara.
Teknologjia është ende në fazat e hershme të zhvillimit dhe studimi thekson se duhet të kapërcehen "sfida teknike kyçe" përpara se këta robotë të mund të përdoren te pacientët njerëzorë.
Për shembull, robotët duhej të rikalibroheshin disa herë gjatë procedurave, gjë që bëri që operacionet të zgjasnin shumë më tepër sesa ndërhyrje të ngjashme të kryera me sistemet robotike të specializuara që përdoren sot.
Ekipi po punon gjithashtu për të zvogëluar largësinë kohore midis lëvizjeve të kirurgut dhe reagimit të robotit, ndërsa studiuesit po shqyrtojnë mënyrat se si kjo teknologji mund të përdoret për të ofruar kujdes shëndetësor në distancë për pacientët.
Komente






