Një video e publikuar së fundmi ka regjistruar momentin dramatik kur tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.1 të shkallës Rihter, që goditi Japoninë më 28 korrik, tronditi edhe Spitalin e Përgjithshëm të Kumamotos.

Pamjet e kamerave të sigurisë, të bëra publike ditët e fundit, tregojnë sekondat e ankthit brenda një salle operacioni, ku një ekip kirurgësh dhe infermierësh po kryente një ndërhyrje kirurgjikale në momentin kur nisën lëkundjet e forta.

Në video shihet se si stafi mjekësor ruan qetësinë dhe vepron menjëherë për të mbrojtur pacientin. Kirurgët dhe infermierët mbajnë të palëvizur shtratin kirurgjikal me trupat e tyre, ndërsa pajisjet mjekësore dhe ambienti i sallës lëkunden fuqishëm nga tërmeti.

Sipas njoftimit të Spitalit të Përgjithshëm të Kumamotos, në momentin e tërmetit ishin duke u zhvilluar katër ndërhyrje kirurgjikale. Pavarësisht situatës së rrezikshme, të gjitha operacionet përfunduan me sukses dhe pa asnjë komplikacion për pacientët.