“E konsideroj të gabuar zgjedhjen e Universitetit të Tor Vergatës për të aplikuar një nivel kaq të lartë tarifimi ndaj studentëve të caktuar në degën e Tiranës”. Ministrja Anna Maria Bernini i tërheq veshin universitetit romak pas rastit të 220 studentëve të pranuar në degën shqiptare, të detyruar të paguajnë 9.650 euro në vit tarifa shkollimi, siç është raportuar nga Repubblica.
“Kam telefonuar rektorin Nathan Levialdi Ghiron, të cilin e kam thirrur sonte në ministri – bën të ditur Bernini – dhe i kam vënë tashmë në dukje nevojën për një rishikim të menjëhershëm të një kërkese që e konsideroj të paqëndrueshme me qëllimet e semestrit të hapur dhe joproporcionale me parimet që duhet të udhëheqin sistemin universitar publik”.
“Një regjim i tillë kontributesh – shton Bernini – rezulton në fakt i papajtueshëm me zbatimin e plotë dhe efektiv të së drejtës për arsim, e cila duhet t’u garantohet të gjitha studenteve dhe studentëve, pavarësisht nga selia e ndjekjes së studimeve”.
Që mes 17.278 vendeve të shpallura këtë vit kishte edhe 220 për Tiranën, dihej që në gusht, edhe pse atëherë ishin ende në fazë akreditimi. Kuota ishte përfshirë në dekretin e Ministrisë së Universitetit dhe Kërkimit, e drejtuar pikërisht nga Bernini, ku renditeshin të gjitha vendet e disponueshme. Lajmi ishte publikuar prej muajsh me theks të veçantë dhe me gjithë informacionin shoqërues për regjistrimin në faqen e Universitetit Tor Vergata, i cili së bashku me universitetin katolik shqiptar “Zoja e Këshillit të Mirë” ka aktivizuar një joint degree, pra një program studimi të përbashkët, në Mjekësi.
Megjithatë, në momentin e shpërndarjes së këtyre vendeve në renditjen kombëtare, të publikuar nga MUR më 8 janar, shpërthyen dyshimet, kritikat dhe pakënaqësitë e studentëve të pranuar në Tiranë. Jo aq për selinë jashtë vendit (diploma është gjithsesi italiane, ashtu si edhe programi), sa për tarifën prej 9.650 eurosh, absolutisht jashtë çdo kuote për një universitet shtetëror italian, i cili ka kufij të përcaktuar me ligj. Kontributi maksimal vjetor për Mjekësinë në Romë Tor Vergata, për shembull, nuk i kalon 3.100 eurot.
Gaia Volpe, 20 vjeçe, nga Montella në provincën e Avellinos, kishte treguar për Repubblica: “Fatkeqësisht, gjatë zgjedhjes së preferencave nuk e kuptova që selia ishte Tirana, mendoja se bëhej fjalë për Romë Tor Vergata”. Ajo kishte vendosur të hiqte dorë nga vendi për arsye ekonomike: “Pavarësisht frikës për të shkuar jashtë vendit, do ta kisha marrë në konsideratë transferimin në Shqipëri, po të mos ishin tarifat kaq të larta”.
Risia e orëve të fundit, pas publikimit të artikullit të Repubblica, është një hap i mëtejshëm i rënë dakord mes dy universiteteve për ndarjen e tarifës vjetore në tre këste. 9.650 eurot, “që duhej të paguheshin në një këst të vetëm në momentin e regjistrimit”, tani mund të ndahen në tre pagesa, secila prej rreth 3.216 eurosh.
Për Berninin, megjithatë, ky hap përpara është shumë i vogël. “Zgjedhje e gabuar”, thotë ajo, duhet bërë kthim pas. Mbetet dyshimi se pse deri tani askush në ministri nuk ishte vënë re për këtë tarifë “të paqëndrueshme dhe të papajtueshme”./ La Repubblica
Komente





