TIRANE, 19 Dhjetor/ATSH/- Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nderoi sot me Çmimin e Solidaritetit Social për vitin 2014, Ahmet Çalik, President i Çalik Holding, me motivacionin: "Për vëmendje dhe kontribut të veçantë të kompanive Çalik Holding në Shqipëri".
Ceremonia e dorëzimit të çmimit u zhvillua në Shtëpinë e Fëmijës "Zyber Hallulli" në Tiranë, në prani edhe të Ambasadorit të Republikës së Turqisë, Hidayet Bayraktar.
Në fjalën e tij, ministri Veliaj falenderoi z. Çalik për kontributin social që kompanitë e tij kanë dhënë në Shqipëri, duke nënvizuar se ky është një shembull i mirë për t'u ndjekur. "Ajo që z. Çalik dhe grupin e tij e bën të madh në sytë e fëmijëve në nevojë, nuk është suksesi ekonomik, financiar apo i biznesit, por dashuria e madhe me të cilën kanë ndërtuar një kinema të re për ta, si kjo në shtëpinë e fëmijës. Ky investim është një nga shumë investimet që Çalik Holding ka bërë në disa nga shtëpitë e fëmijës", tha Veliaj.
Çalik tha se ky çmim u shkon punonjësve të kompanive që operojnë në Shqipëri. "Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë. Unë jam i gëzuar që grupi më i madh i telekomunikacionit në Shqipëri, kanë kontribuar për fëmijët", u shpreh ai.
Gjatë këtij viti, kompanitë Albtelecom, Eagle Mobile dhe BKT kanë kontribuar në rinovimin e mobiljeve të Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë; restaurimin e Shtëpisë së Fëmijës në Vlorë, Qendra Sociale e Velipojës, Salla e kinemasë së "Zyber Hallullit"; janë dhuruar pajosje mjekësore për sektorin e shëndetësisë; është ofruar internet falas për Shtëpitë e Fëmijës në Shkodër etj./a.gegvataj/