TIRANE, 20 Dhjetor/ATSH/-Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë reagoi sot pas akuzave të opozitës duke sqaruar se për 1 Qershorin 2014, ky institucion nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë të taksapaguesit, por është sponsorizuar nga agjencitë e OKB në Shqipëri.
Në deklaratën për shtyp, MMSR thekson se nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë të taksapaguesit, por ato janë sponsorizuar nga banka, kompani celulare e shoqata biznesi për të mos renduar buxhetin e shtetit.
"Logot e tyre i keni në hyrje të çdo zyre pune. Për investimet në shkollat profesionale, MMSR nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë nga taksapaguesit, por kemi tërhequr maksimalisht qeveritë gjermane, austriake e zvicerane", thuhet në deklaratën për shtyp.
Sipas MMSR, PD është vënë e gjitha në shërbim të kompanisë së kunatit të Lulzim Bashës dhe nuk ka asnjë vërejtje për pensionet, shkollat profesionale, zyrat e punës, ndihmën ekonomike, pagesat e PAK e këstet e ish të Përndjekurve. Ky ishte viti i parë, kur jo vetëm nuk pati më vonesa 6 mujore të pagesave, por dhamë edhe një bonus në fund të vitit për të gjitha këto kategori, sqarohet më tej në reagimin e MMSR duke shtuar se PD nuk shqetësohet aspak për gjërat që prekin dhe duan qytetarët, por përkundrazi shqetësohet vetëm pse kompania e Lulzim Bashës dhe e kunatit të tij, Erjon Isufi, nuk gëzon monopolin 100% të të gjitha aktiviteteve publike, ashtu siç bënte deri një vit më parë.
MMSR e fton opozitën që t'i drejtohet Prokurorisë për çdo shkelje sikurse i kërkon këtij institucioni të hetojë çdo shpifje e akuzë pasi kjo është e vetmja mënyrë serioze për t'u përballur me industrinë e baltës
Partia Demokratike akuzoi sot ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë,Erion Veliaj, për atë që opozita e ka cilësuar si abuzim me fondet qeveritare, për të favorizuar kompaninë EAG.
Deputetja e PD-së, Albana Vokshi , publikoi para medieve një letër qe selia blu pretendon se ka ardhur nga specialistja pranë agjencisë shtetërore për mbrojtjen e te drejtave të fëmijëve, e cila pretendon se është shantazhuar ne mënyre sistematike nga kryetarja e agjencisë për të firmosur procedurat e një tenderi me vlere 25 milionë leke, para këto që duhet të shkonin sipas saj për kompaninë EAG. /a.g/












