Lumir Abdixhiku i ka mbijetuar një mocioni për shkarkimin e tij nga kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjatë votimit të mbajtur në kuvendin e jashtëzakonshëm partiak më 30 korrik.
Pas daljes nga salla ku u mbajt kuvendi partiak, Shqipe Pantina nga LDK tha se Abdixhiku mori 170 mbështetëse, 152 votuan që ai të shkarkohej, ndërkaq pesë abstenuan.
Delegatët votuan për pyetjen nëse dëshironin që të shkarkonin ose jo kreun e partisë. Mocioni u ngrit nga disa delegatë të LDK-së për shkak të pakënaqësive me rezultatin në zgjedhjet parlamentare të qershorit.
Pas lajmit se Abdixhiku mbetet në krye të LDK-së, i menjëhershëm ishte reagimi i ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e qershorit ishte bartëse e listës së LDK-së.
"Jo çdo fitore është e zakonshme. Disa fitore bëhen frymëzim. Kjo është njëra prej tyre!", shkroi ajo në Facebook.
Çfarë tha Abdixhiku gjatë fjalës para delegatëve të LDK-së?
Ndërkaq, në fjalën hyrëse në nisje të kuvendit, Abdixhiku e cilësoi "të gabuar, të pavend dhe të pakohë" nismën për shkarkimin e tij.
"E konsideroj të gabuar, vjen në mënyrë të njënashme, në një kohë të ndjeshme për vendin dhe kohë përcaktuese për partinë tonë", tha ai.
Sipas tij, nga ky kuvend që për qëllim rrëzimin e kreut partiak, LDK-ja nuk del më e fortë, më e organizuar e as më e bashkuar.
Ai argumentoi se brenda pak muajsh ishte paraparë që të mbahej procesi i rregullt zgjedhor në parti, duke thënë se nuk do të kishte nevojë për rrëzim, por për zgjedhjen e udhëheqjes së re.
Abdixhiku tha se ky kuvend po mbahet në periudhën kur Kosova po përballet me një prej krizave më të mëdha institucionale në dekadat e fundit, dhe sipas tij, "zgjedhjet e reja që na rrinë mbi qafë sërish".
Ai kujtoi se më 31 janar kishte fituar votëbesimin e partisë për të vazhduar udhëheqjen, ndonëse theksoi se kuvendi atëbotë ishte thirrur pasi partia kishte shënuar rezultat më të keq në zgjedhjet e shkurtit, sesa shënoi në qershor.
"Me cilën logjikë vazhdohet me rezultat më të keq, e rrëzohet me rezultat më të mirë", tha Abdixhiku.
Sipas tij, përgjegjësinë për punën i jep aktivistëve që u angazhuan gjatë fushatës zgjedhore dhe që e mbrojtën partinë, e jo atyre, që sipas Abdixhikut, refuzuan të merrnin pjesë në organet e partisë e në betejat politike.
Abdixhiku tha se së voni delegatët janë përballur me presione dhe kërcënime për nënshkrimet për nismën kundër tij, duke argumentuar se kjo nuk është mendësia rugoviane.
"Unë sot e vendos fatin tim në duart tuaj, edhe njëherë. Ju, ju lutem vendoseni fatin e Kosovës dhe LDK-së, mbi fatin tim", tha Abdixhiku, duke shtuar se do të pranojë rezultatin e këtij kuvendi.
Pse u thirr kuvendi i jashtëzakonshëm?
Abdixhiku e thirri këtë kuvend të jashtëzakonshëm më 27 korrik, pasi qindra delegatë dorëzuan nismën për shkarkimin e tij, pas pakënaqësive me rezultatin e zgjedhjeve të qershorit, ku LDK-ja doli fuqia e tretë politike me 18 deputetë, në Kuvendin me 120 mandate.
Kuvendin e LDK-së e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve, plus kryetari aktual i partisë, që me automatizëm është delegat i Kuvendit të Përgjithshëm të LDK-së.
Para nisjes së Kuvendit, Armend Zemaj, që dorëzoi nënshkrimet për nismën për shkarkim, tha se pret që partia të vendosë për largimin e Abdixhikut nga kreu i partisë.
Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ilir Ferati, tha për mediat se pret që punimet të zhvillohen në mënyrë demokratike.
Ai argumentoi se votimi i fshehtë është ushtrimi më i mirë i të drejtës demokratike.
Nisma për shkarkimin e Abdixhikut nga kreu i LDK-së erdhi pas përplasjeve brenda LDK-së dhe pakënaqësive me udhëheqjen e Abdixhikut.
Këto zhvillime në partinë më të vjetër në Kosovë po ashtu kanë pasur ndikim edhe në bisedimet për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Pas dorëzimit të nënshkrimeve për nismën për shkarkimin e tij, Abdixhiku njoftoi për pezullimin e bisedimeve me udhëheqësin e partisë fituese, Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja.
Ai deklaroi se nuk mund të vazhdojë negociatat në emër të LDK-së “ndërkohë që mandati im për të udhëhequr dhe përfaqësuar atë është vënë në diskutim brenda shtëpisë sime”.
“Ndjej keqardhje që sot jam i detyruar ta kthejmë vëmendjen sërish nga vetja tek një proces që mund të na dëmtojë pariparueshëm nga brenda dhe ta lërë Kosovën pa institucione dhe potencialisht përballë zgjedhjeve të reja në vjeshtë”, tha Abdixhiku më 15 korrik përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale.
Abdixhiku, së bashku me ish-presidenten Vjosa Osmani, ishin takuar me Kurtin më 10 korrik, për çështjen e krijimit të institucioneve të reja. Ndonëse takimi nuk prodhoi ndonjë rezultat, Kurti dhe Abdixhiku pas takimit shprehën gatishmëri për vazhdimin e bisedimeve për një marrëveshje.
Seanca për konstituimin e legjislaturës së re është caktuar për 6 gusht dhe me konstituimin e organit ligjvënës nis edhe rrjedhja e afatit 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Pikërisht, mosarritja e konsensusit mes partive për presidentin muaj më parë nxiti zgjedhjet e qershorit.
Si erdhi situata deri këtu?
Pasi LDK-ja, që garoi me ish-presidenten Osmani si bartëse të listës zgjedhore, doli e treta në zgjedhjet e qershorit, brenda partisë filluan pakënaqësitë.
Në fund të muajit qershor, dy kryetarë komunash dhe disa drejtues degësh, publikisht kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut, duke thënë se ai duhet të marrë përgjegjësinë për rezultatin zgjedhor dhe për mungesën e një rritjeje të ndjeshme në vota.
Abdixhiku u kundërpërgjigj, duke u bërë thirrje kritikëve që të jepnin dorëheqje.
Kjo s’është hera e parë që Abdixhiku përballet me thirrje për dorëheqje. Në janar, pas zgjedhjeve të mbajtura në fund të dhjetorit të vitit paraprak, ai vetë kërkoi votëbesimin e partisë dhe në kuvend mori mbështetjen e delegatëve.
Megjithatë, disa figura partiake që kërkuan dorëheqjen e tij, që nuk u pajtuan me votëbesimin dhanë dorëheqje nga pozitat partiake – në mesin e tyre edhe Hykmete Bajrami, që u dorëhoq nga posti i nënkryetares së partisë.
LDK është formuar më 1989 nga Ibrahim Rugova. Partia ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit./REL
Komente











