TIRANË - Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, vizitoi dje Shqipërinë, ku ju drejtua me një fjalim specifik Kuvendit tonë. Ajo i bëri thirrje klasës politike në Shqipëri të gjejë rrugën e dialogut për të miratuar reformën në drejtësi. Mongherini e cilësoi reformën në gjyqësor prioritetin numër një të axhendës së integrimit të Shqipërisë, duke theksuar se pas votimit të paketës së reformës, Komisioni Evropian do të vendosë për çeljen e negociatave.

"Duhet një reformë e thellë dhe tërësore në gjyqësor. Kjo është numri një në axhendë. Sepse kjo ka të bëjë me barazinë e qytetarëve të cilët duhet të trajtohen njësoj pavarësisht nga statusi social, besimi i tyre. Ka të bëjë me kompanitë e mëdha, me investitorët e huaj të cilët duhet të kenë besim tek institucionet.

Ka të bëjë me demokracinë. Kjo reformë do të hapë rrugën për një rekomandim nga Komisioni Evropian për të filluar negociatat dhe shtetet anëtare të marrin një vendim pozitiv për këtë çështje. Mund të jetë fillimi për një kapitull të ri në marrëdhëniet tonë në të ardhmen. Komisioni i Venecias do të japë shumë shpejt rekomandimet përfundimtare.

Miratojeni reformë! Të gjitha palët, qeveria, opozita, duan që Shqipëria të ecë përpara drejt BE, dhe qytetarët e Shqipërisë presin të bëni këtë gjë. Prandaj, bëjeni!", u shpreh Mongherini. Apeli i saj ishte i qartë drejtuar klasës politike që të çlirohen nga e shkuara bllokuese dhe ta çojnë Shqipërinë në BE. "Parlamenti ka një detyrë para vetes. Është përgjegjësia juaj dhe e imja që të japim rezultate për punën që po bëjmë jemi të gjithë së bashku.

Ftesa ime për ju dhe sugjerimi im për ju: çlirohuni nga ajo pjesë e së shkuarës që bllokon të ardhmen tuaj. Silleni Shqipërinë në Bashkimin Evropian. Këtë ia keni detyrim shqiptarëve dhe kështu i detyroheni të gjithë Evropës", tha Mongherini. Duke iu referuar mungesës së dialogut politik, Mongherini tha se vjen nga një vend i cili ka patur një eksperiencë negative krizash politike. Por, tha ajo, interesat e qytetarëve dominojnë mbi ato të partive politike.

"E di që politika vuan mungesën e një dialogu të thellë mes partive. Unë vij nga një vend që ka përvojë në këtë fushë. Unë e di që është tmerrësisht e vështirë për tu arritur. Për shumë kohë në vendin tim, në Itali kemi vuajtur të njëjtën sëmundje. Debati politik ishte i orientuat nga ofendimet. Por ka interesa më kyçe sesa ato të partive politike dhe janë interesat e qytetarëve", deklaroi më  tej shefja e diplomacisë në BE, Federica Mogherini.

Rama-Mogherini: Marrim përgjegjësitë tona, s’ngremë mure. Refugjatët, shprehet kryeministri: Nuk do të hapim portat, por as bllokim
Kryeministri Edi Rama u shpreh dje gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Përfaqësuesen e Lartë të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë në BE, Federica Mongherini, se Shqipëria nuk do të ngrejë mure për të bllokuar emigrantët, por as do të hapë portat. Shefi i ekzekutivit deklaroi se vendi ynë do të marrë pjesën e vet të përgjegjësisë të krizës së emigrantëve sipas një projekti të Bashkimit Evropian.

Indirekt, kryeministri s'kurseu kritikat ndaj vendeve të BE që jetojnë me frikë dhe ndërtojnë mure. "Shqipëria është një vend i vogël por asnjëherë s'i ka bërë bisht përgjegjësisë së çdo sfide të përbashkët me partnerët tanë. Jemi besnik të vlerave dhe parimeve të Evropës, që ndërtuan ata që na lanë në trashëgim projektin e BE.

Mbetem i gatshëm të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë edhe në këtë sfidë, por nga ana tjetër, jemi të vetëdijshëm që s'e kemi as fuqinë dhe as delirin se mund të shpëtojmë Evropën dhe botën. Nuk do të hapim kufijtë dhe nuk do të ndërtojmë mure, por jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë në bazë të një projekti Evropian.

Kjo është një sfidë Evropiane, kjo nuk është një sfidë e Greqisë, as e Italisë dhe s'ka si të jetë sfida e Ballkanit dhe aq më pak e Shqipërisë. Është sfida e BE. Dhe brenda këtij BE jemi dhe ne që, për momentin jemi E pa B. Edhe pse jemi sjellë në këtë rajon si qytetarë Evropianë të dorës së parë, ndërsa ata që e kanë atë B përpara janë sjellë si "kategoria B"", u shpreh Rama.

Ai theksoi gatishmërinë e qeverisë që drejton për ta përafruar Shqipërinë me Bashkimin Evropian. "Ne dëshirojmë të bëhemi pjesë e BE një orë e më parë dhe mendoj se e meritojmë të hapim negociatat dhe të bëhemi anëtarë. Do të jemi shpresë kundër Evropës së frikës dhe të mureve", tha Rama.  Sipas kreut të qeverisë, vizita në Tiranë e përfaqësues së lartë të BE, Federica Mongherini, përkon me një moment shumë të rëndësishëm, atë të kurorëzimit të procesit të reformës në drejtësi.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)