Alfred Moisiu, ish-President: Çdo ditë lajmet e mediave tona hapen me kronika të zeza, veçanërisht kohët e fundit ato janë bërë të përditshme. Krimi s'ka më frikë as nga ligji e as nga shteti, ai nuk i trembet asgjëje. Ai po e ndjen veten të patrazuar kudo e në çdo qoshe. Krimi po merr revansh të rrezikshëm. Në mënyrë të veçantë janë të rrezikuara femrat shqiptare. Ato s'kursehen as nga hajdutët e vegjël të bizhuterive dhe as nga feministët e ndryshëm duke u vrarë dhe therur sikurse të ishin kafshë. Në këto situata kemi të drejtë të shtrojmë pyetjen ku po shkojmë, drejt Europës apo drejt mesjetës! Kemi të drejtë të themi ku është shteti? Për të cilin gjithë shqiptarët paguajnë taksa që ai t'i mbrojë dhe t'i sigurojë! Po na krijohet përshtypja sikur shteti është strukur në llogoren e vet, e shikon interesat e veta, të shkëputura nga interesat e qytetarëve! Nuk po shohim asnjë pushtetar të rëndësishëm ose ministër, pa folur për Kryeministrin apo shtetarët e tjerë të lartë, të shprehin indinjatën e tyre ndaj zinxhirit të krimeve, që shpesh arrijnë në kufijtë e llahtarisë. Ky qëndrim i heshtur i shtetit, mund të merret si pranim e inkurajim i tërthortë i barbarisë që po dominon këto kohë qytetet e fshatrat tona! Kemi të drejtë të pyesim, si është e mundur që në këtë vit jubilar krimi të bëhet aq i guximshëm e të mos ketë frikë as nga Ligji e as nga shteti.
Eugen Uollfarth, ambasadori i OSBE në Tiranë: Tranzicioni drejt demokracisë në Shqipëri solli ndryshime dramatike në kontekstin kombëtar, brenda një kohe shumë të shkurtër. Për fat të keq, kjo i dha mundësi edhe krimit që të zhvillohej shumë shpejt e të vendoste lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar, një sfidë serioze për sigurinë. Shkalla e lartë e krimit të organizuar, apo e perceptuar si e tillë, e ka dëmtuar reputacionin e Shqipërisë, ndërkohë që trazirat e tmerrshme të vitit 1997 lejuan që një numër i madh armësh të binin në duart e kriminelëve. Krimi dhe ekzistenca e grupeve kriminale cenojnë autoritetin e shtetit dhe shtetin e së drejtës, duke ndikuar negativisht në cilësinë e jetës së qytetarëve dhe duke i gërryer shoqëritë nga brenda. Korrupsioni mbetet kërcënim i madh ndaj shtetit të së drejtës e institucioneve demokratike në Shqipëri. Pandëshkueshmëria s'mund të pranohet kur shkelet ligji. Ligjet e reja për Policinë, ligji Anti-Mafia dhe miratimi kohët e fundit i mundësisë për të hequr imunitetin e zyrtarëve të lartë, janë shembuj të mirë përparimi në këtë drejtim. Megjithatë, këto duhen shoqëruar me një bilanc bindës vendimesh dhe dënimesh apo gjobash të rrepta e të përshtatshme në të gjitha rastet e korrupsionit.
Rexhep Meidani, ish-president: Qëllimi kryesor është që të ketë një reagim të fortë publik për situatën e rëndë ku ndodhet krimi në Shqipëri. Kjo krizë është morale, politike, juridike pasi është dëmtuar rëndë kapitali social ose kohezioni social. Nëse kohezioni social është i stabilizuar situata do të ecte drejt normalitetit, por kohezioni është dëmtuar rëndë, sidomos në zonat poeriferike dhe kjo ka sjellë dhe këto ngjarje të rënda. Eshtë shumë i rëndësishëm ridimensionimi i komunikimit mes publikut dhe policisë, i cili duhet të rikthehet. Pavarësisht se ka goditje të krimit, mendoj se këto kanë qënë sipërfaqësore. Një problem i veçantë është dhe rritja e krimit në radhët e moshës së vogël, ku këto kontigjente tashmë, në ndryshim nga kohë më parë kur ishin nën vëzhgimin e policëve të lagjes, janë jashtë kontrollit. Mendoj se gjithë shoqëria duhet të mobilizohet kundër krimit.
Luan Omari, konsitucionalist: Shqipëria është zhytur në krime nga më monstruozet e ndikimi i shtetit për t'i parandaluar ato nuk ndjehet. Kalohet nga vrasjet për motive të dobta, në hakmarrje e gjakmarrje, po ngujohen fëmijë, rasti më konkret është Poliçani ku janë strehuar fëmijët e ngujuar dhe jo vetëm që nuk ka asnjë reagim por dhe ka pasur skandale në këtë rast. Për më tepër që policia ka territore të vendit jashtë kontrollit, dhe në rastin konkret s'shkon apo s'don të shkojë në Lazarat. Mendoj se ka korrupsion në drejtësi e në gjykata dhe është koha që të ndryshojë gjithçka.
Edmond Dragoti, psikolog: Shoqëria në Shqipëri ka dalë nga binarët e moralit. Ngjarjet makabre të kohëve të fundit tregojnë kaos. Autoritet civile, varen të gjitha nga kryeministri sepse s'ka qeveri, drejtësia që ka humbur vlerën dhe media që shpesh është palë e partive politike, të gjitha këto kanë sjellë dhe shembjen e themeleve të demokracisë në Shqipëri. Pasi ka humbur tërësisht kërkesa e llogarisë. Kryeministri arrin deri aty sa të zbresë vetë tek niveli i fëmijëve të shkollave e i mëson ata të jenë agresivë ndaj opozitës si dhe u thotë që t'u kërkojnë prindërve të votojnë për këtë qeveri të korruptuar. Dhe pikërisht ky është modeli i mbrapshtë që u jepet fëmijëve tanë. Ndërsa qytetarët janë indiferentë ndaj policisë pasi ata e dinë se në gjykatë do humbin të drejtën e tyre e kështu mendojnë ta zgjidhin vetë, duke iu drejtuar modelit të vetëgjyqësisë.
Zamira Çavo, sociologe: Ne si qytetarë po humbim sigurinë tonë, dhe në këtë rast po shohim se si shteti po bie ngadalë. Shteti po i jep krah dhunës, ndërkohë që ia vlen të theksojmë se hallkat e tjera, mes të cilave dhe bashkësitë fetare pak e kanë ngritur zërin ndaj dhunës. Nga ana tjetër në Shqipëri në të gjitha rastet fajsohet viktima.
Ilir Yzeiri, analist: Krimi ka dalë jashtë kontrollit dhe po merr jetë njerëzish. Kemi një ish-polic në Mamurras të zhdukur që prej disa muajsh dhe shteti nuk ka dhënë asnjë përgjigjie. Kërcënohet polici shoqërues i komisarit të vrarë Tahiri e shteti nuk reagon. Mendoj se duhet të ndërhyhet në mënyrë urgjente, pasi po shtohen vrasjet makabre çdo ditë e më shumë.
Mentor Kikia, shoqata kundër gjakmarrjes: Në Shqipëri krimi nuk e ka frikë shtetin ndaj vepron i lirë duke marrë jetë njerëzish. Mendoj se përpara se të merren masa për kapjen e autorëve të krimit, pasi kanë bërë krimin duhet të merren masa parandaluese. Unë mendoj se problemi kryesor ka qënë dhe është drejtësia që nuk arrin as të dënojë kriminelët.
Andrea Stefani, analist: Raporti midis drejtësisë, lirisë dhe demokracisë s'ecin anjëherë në mënyrë paralele dhe këtu mendoj se ka ndodhur një gabim strategjik i politikës në Shqipëri por dhe ndërkombëtarëve që asistojnë Shqipërinë. Pasi nuk u krijuar më parë drejtësia e pavarur dhe për këtë u gabua rëndë. Tashmë drejtësia është e kapur nga partitë politike dhe jo vetëm që nuk lufton krimin por dhe i nxjerr nga burgu dhe i përdor për fushata elektorale duke asfiksuar drejtësinë. Drejtësia sot toleron krimin politik, njerëzit e lidhur me krimin por dhe kriminelët ordinerë. Ndërkombëtarët duhet të ndikojnë jo përmes strategjive boshe por përmes elementëve realë për luftën kundër krimit.
(sg/shqiptarja.com)