Asnjë mohim, asnjë konfirmim. Për pyetjen nëse Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ndodhej në Moskë për trajtim mjekësor, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, u përgjigj shkurt: “Nuk komentojmë këtë lloj lajmesh”.
Lajmi doli nga media Al Jarida: djali dhe trashëgimtari politik i Khameneit, ishte transferuar në fshehtësi në Moskë të enjten e kaluar me një avion ushtarak rus, pasi ishte plagosur në sulmin e 28 shkurtit që kishte vrarë të atin.
Sipas Al Jarida, vetë udhëheqësi i Kremlinit, Vladimir Putin, i kishte ofruar trajtimin gjatë një telefonate me presidentin iranian Masoud Pezeshkian. Khamenei i ri i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në një klinikë private dhe është në fazë rikuperimi në një nga rezidencat presidenciale të mbrojtura. Al Jarida pretendon gjithashtu se autori i vërtetë i mesazhit të parë të atribuar Mojtabas ka qenë sekretari i përgjithshëm i Këshillit Suprem për Sigurinë Kombëtare, Ali Larijani.
Të shtunën e kaluar, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi kishte provuar të qetësonte situatën: “Nuk ka asnjë problem me Udhëheqësin e ri Suprem”. Ndërkohë, Daily Telegraph shkruante dje se Khamenei do t’i kishte mbijetuar sulmeve të 28 shkurtit sepse “kishte dalë në kopsht” për një shëtitje. Por mungesa e tij në publik që nga emërimi vazhdon të ushqejë një vorbull të pakontrolluar spekulimesh: nga trajtimet në Londër për infertilitet deri te pretendime për homoseksualitet dhe një marrëdhënie të gjatë me mësuesin e tij të fëmijërisë, për shkak të së cilës i ati druhej se ai nuk mund të ishte një trashëgimtar i përshtatshëm. Megjithatë, asgjë nuk është verifikuar.
“Nuk e dimë nëse Mojtaba Khamenei është i vdekur apo jo. Do të them vetëm se askush nuk e ka parë, gjë që është e pazakontë”, tha presidenti amerikan Donald Trump në një konferencë për shtyp. “Shumë thonë se është i shpërfytyruar rëndë, se ka humbur një këmbë dhe se është plagosur shumë rëndë. Të tjerë thonë se ka vdekur”, shtoi ai. Për homoseksualitetin e supozuar të Mojtabas, nuk foli.
Sipas New York Post, megjithatë, pasi ishte informuar nga CIA javën e kaluar, ai kishte shpërthyer në të qeshura dhe nuk “kishte pushuar së qeshuri për ditë të tëra”. Nga ana tjetër, për Teheranin, Mojtaba, megjithëse i plagosur, është plotësisht funksional, aq sa ka emëruar si këshilltar të tij ushtarak gjeneralin Mohsen Rezaei, 71 vjeç, ish-shef nga viti 1981 deri në 1997 i Gardës Revolucionare, krahu ideologjik i forcave të armatosura iraniane./ La Repubblica
Komente










