Ali Larijani nuk ishte thjesht një zyrtar i lartë në Iran, por njeriu që në javët e fundit kishte marrë në dorë drejtimin real të vendit, derisa u vra në sulmet ajrore izraelite gjatë natës mes të hënës dhe të martës.
Sipas ministrit izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, ai u eliminua bashkë me komandantin e Basij. Një goditje që, sipas vlerësimeve, prek direkt majën e regjimit.
Në Teheran ishte bërë gjithnjë e më e qartë se Larijani ishte kthyer në figurën kyçe të pushtetit. Ishte ai që fliste publikisht, që kërcënonte dhe që vendoste vijën politike që duhej ndjekur. Në një moment dobësie të fortë të regjimit, ai dukej si i vetmi që mbante frenat.
Ngjitja e tij në këtë rol u përshpejtua pas “luftës 12-ditore” në qershor. Nga bunkeri, ajatollah Ali Khamenei i besoi atij dhe rrethit të tij detyrën për të garantuar mbijetesën e teokracisë, mes luftës dhe rrezikut të eliminimit të vetë liderit suprem.
Në këtë periudhë të trazuar, Larijani kishte marrë praktikisht drejtimin e Iranit, duke lënë shpesh në hije edhe presidentin “reformist” Massoud Pezeshkian. Ai ishte ndër të parët që doli publikisht pas sulmeve të 28 shkurtit që ndezën konfliktin dhe ishte gjithashtu ai që kundërshtoi president Donald Trump për çështjet e negociatave.
“The New York Times” e përshkroi qartë: praktikisht po drejtonte vendin.
Prej gushtit të kaluar, ai drejtonte Këshillin Suprem të Sigurisë Kombëtare, struktura që koordinon përgjigjet ndaj krizave brenda dhe jashtë vendit. Me kalimin e muajve, fuqia e tij u rrit ndjeshëm. Ai vendosi edhe strategjitë për shtypjen e protestave të dimrit, duke zbatuar urdhrat për ndëshkime të ashpra ndaj kundërshtarëve.
Ish-komandant i Gardës Revolucionare, Larijani nuk mbeti vetëm figurë ushtarake. Ai ndërtoi një profil të fortë politik, duke u përfshirë në negociata me Kinën, në bisedimet për programin bërthamor dhe në takime me aleatë si Bashar al-Assad, drejtues të Hezbollahut, por edhe Vladimir Putin dhe liderë të Katarit e Omanit.
Edhe pse vetë nuk ishte klerik, vinte nga një familje me ndikim të madh fetar. Babai i tij ishte një ajatollah i njohur, ndërsa familja kishte jetuar për vite në Najaf të Irakut, një nga qendrat kryesore të islamit shiit, ku edhe lindi ai. U kthyen në Iran në vitet ’60, kur kleri po merrte gjithnjë e më shumë pushtet.
Që atëherë, ai hyri në strukturat e regjimit duke u bashkuar me Gardën Revolucionare, duke u formuar mes disiplinës ushtarake dhe besnikërisë së fortë ndaj sistemit që më pas do të ndihmonte ta mbante në këmbë../CorrieredellaSera
Komente







