Fëmijët në nevojë dhe ata të punonjësve që merren me mirëmbajtjen e Parkut të Madh të Liqenit dhe këndeve të lodrave në kryeqytet kaluan sot disa momente të gëzuara dhe me plotë surpriza. Me rastin e festave të fundvitit, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit e Bashkisë Tiranë organizoi sot një aktivitet argëtues me fëmijët në nevojë dhe të punonjësve të saj.
Nën moton “Buzëqesh me Fëmijët”, të vegjlit shijuan për disa orë pranë Parkut Olimpik programin festiv me këngë, humor, kërcime, lojëra, e surprizat e ndryshme. Gjatë aktivitetit të organizuar në ambientet e Parkut Olimpik, fëmijët ishin dhe vetë protagonistë, çka solli një atmosferë më të gëzuar e të hareshme ndër ta.
Në fund vogëlushët iu gëzuan dhe fotove me babagjyshin, si dhe dhuratave të përgatitura me shumë dashuri nga stafi organizator.