Momentumi i Albin Kurtit

Momentumi i Albin Kurtit

Albin Kurti

U çmend dhe Liburni, mendova për një cast ndërkohë që ndiqja seancën parlamentare ku po votohej mocioni për rrëzimin e qeverisë Kurti. Ai që kishte ndarë qelinë e burgjeve serbe me kryeministrin në ikje po i drejtohej deputetëve të LDK: Me mënyrën si po e rrëzoni këtë qeveri do ti detyroni votuesit të na i japin pushtetin të vetëm. Dukej vërtet një fantazi e shfrenuar ajo që sapo deklaroi një nga themeluesit e Vetëvendosjes. Kishin marrë vetëm 26 për qind të votave pak muaj më parë dhe vetëm një deputet më shumë se partia me të cilin kishin bërë koalicion. Të merrnin pushtetin të vetëm do tu duhej të dyfishojnë votat, ndërkohë që sistemi elektoral dhe fragmentimi politik e bën thuajse të pamundur këtë objektiv politik.

Pak muaj pas kësaj séance koha duket se po I jep te drejtë “çmendurisë” së Liburm Aliut. Të gjitha sondazhet dhe ato më pak të favorshmet i japin gjysmën e mandateve shqiptare në parlament Vetëvendosjes. Po si erdhëm në këtë pikë? Kush e krijoi këtë “monstrum politik” që quhet Albin Kurti. Dy faktorë: kundërshtarët e tij dhe vetë politika konsistente e njeriut që do përcaktojë politikën e Prishtinës në jo pak vite që do vijnë.

Ti marrim me rradhë. Gjatë 30 viteve të fundit historia politike e Kosovës është lidhur me dy emra. Ibrahim Rugovën dhe Hashim Thacin. Rugova, pesë vitet e para të karrierës së tij politike adhurohej gati si një mesi. Padyshim ka dy merita të jashtëzakonshme historike: ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe krijimin e shtetit paralel, ku sistemi kapilar I arsimit mbetet kryesori. Momentumi politik i Rugovës duket se kaloi kur përfunduan bisedimet e Dejtonit, aty ku nuk u shqyrtua fare Kosova. Pavarësisht se Rugova mbeti njeriu më i votuar i Kosovës dhe për dhjetë vite të tjera, deri ditën kur u largua nga kjo botë, sërish e kishte humbur forcën.

Kishte ikur koha e pacifizmit dhe kishte ardhur momentumi I përfaqësuesit politik të UCK. Gjithë ndërkombëtarët tashmë e dinin se çelësin e zgjidhjeve të mëdha e kishte Hashim Thaci. Dhe kjo u dëshmua që në pranverën e vitit 1999 në Rambouillet. Këtë rol Hashim Thaci e pati deri në momentin kur shpalli pavarësinë në vitin 2008. Që nga ai moment qënia e tij në krye të Prishtinës ka qenë një kacavjerje pas pushtetit. Duke shkuar në Hagë ka lënë pas një spektër politik që e ka keqpërdorur në mënyrën më cinike dhe të pamëshirshme. LDK i prin kësaj liste. Nga njeriun e shpresës, pushteti e ktheu në ikonën e një klani që qeveriste ngjashëm me republikat ish-sovjetike të Kaukazisë. Përgjimet e “prontos” ishin një dush I ftohtë dhe për më fanatikët.

Për të arritur deri në këtë pikë kontrolli Thaçit i ishte dashur tu hidhte ndonjë kockë pushteti e favoresh dhe partive të tjera. E vetmja hapësirë politike që nuk kontrollonte ishte Vetëvendosje. Vite e vite me rradhë u përpoq ta zhbëjë politikisht Albin Kurtin dhe të vetët. Këtë luftë e fitoi Kurti. Kjo e faktorizoi Vetëvendosjen. Këtu nis dhe momentumi politik I Albin Kurtit në krye të Kosovës.

Hashim Thaçi përdori gjithçka në këto beteja pa fund. Pasi dështoi me burgosjet vendosi ti përçajë. Të gjithë në Kosovë e mbajnë mend sesi një pjesë e rëndësishme e establishmentit të Lëvizjes kërkoi që Kurti të mos paraqiste kandidaturën për kryetar të VV. Dhe gjetën momentin më të pabesë , kohën kur Albin Kurti ishte në burg pas njërës prej protestave të shumta masive. Nuk ia arritën. Por nuk hoqën dorë. Me shpresën se do përgjysmonin votat e VV larguan për të krijuar një parti tjetër. Nga 15 deputetë që ikën asnjëri prej tyre nuk arriti të hyjë në Parlament. Votuesit e kishin kuptuar skemën dhe e ndëshkuan pavarësisht stuhisë propagandstike në të gjitha mediat mainstream. Kjo stuhi vazhdon ende. Në ekranet e Kosovës nuk ka mbrëmje që këta “kokat” e dikurshme të VV të mos ti bashkohen korit të analistëve që paralajmërojnë publikun për rrezikun “Kurti”.

Një situatë vërtet skizofrenike këto ditë në Kosovë. Sa më shumë që e sulmojnë ata që dihet botërisht se kanë qenë në payroll të Thaçit, aq më frenetike bëhet mbrojtja e tij në rrjetet sociale dhe aq më shumë pikë merr VV në sondazhet e fundit. Kurti ka zgjedhur taktikën më cfilitëse për kundërshtarët, heshtjen, refuzimin total të reagojë për gjithçka e sulmojnë. Me lumin e sharrjeve , kundërshtarët e tij, po ujisin një pemë që hedh rrënjë, të cilën çdo ditë e më shumë do kenë vështirë ta shkulin.

Duke rrëzuar qeverinë Kurti pak muaj më parë e humbën shansin për ta patur Albinin në kontroll. Në Prishtinë Isa Mustafën e mbajnë për një politikan dinak. Por hileja nuk është strategji. Duke bashkuar fatin e tij politik me atë të Thaçit, kryetari I LDK jo vetëm po përgjysmon votat e partisë së tij, por i lë krejt skenën një njeriu të vetëm.

Tashmë “djalli” ka dalë nga shishja. Rrotull askush nuk ka staturën politike apo morale që ta ndalojë. Dhe meqë po flitet pa fund për intriga oborri skena politike e Kosovës ngjan disi shekspiriane. Këto ditë, kjo skenë pa Kurtin do dukej si tragjedia Hamlet pa personazhin Hamlet. Dhe deri në zgjedhjet e ardhshme kundërshtarëve të Kurtit nuk u ngelet gjë tjetër vecse të shpresojnë që Vjosa Osmani të çmendet si Ofelia.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Wayne: 25/01/2021 23:30

    Funny :) tashti shpresojm se mbasi t‘kryhet paraqitja n‘skenë të filloj puna më pak zhurm dhe shum efikasitet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë