Mongherini: BE-ja dhe shtetet anëtare mbështesin unanimisht kërkesën e Francës

/ATSH-AFP/ - Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare kanë dhënë mbështetjen e tyre unanime përsa i përket kërkesës për asistencë bërë nga Franca pas atentateve në Paris, njoftoi sot shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.
"Sot, Bashkimi Evropian nëpërmjet zërit të të gjitha shteteve anëtare, ka shprehur në mënyrë unanime mbështetjen më të madhe dhe dispozicionin e tyre për të dhënë ndihmën e kërkuar", theksoi Mogherini, në një konferencë të përbashkët shtypi.
Franca ka përmendur nenin 42-7 të traktateve evropiane, që parashikojnë një klauzolë solidariteti në rast të agresionit kundër vendeve të BE-së.
"Ky është një nen që nuk është përdorur kurrë më parë në historinë e Unionit tonë", nënvizoi Mogherini.
Asnjë vendim zyrtar nuk është marrë sot nga ministrat evropianë të Mbrojtjes të mbledhur në Bruksel për një këshill të Bashkimit Evropian.
"Kjo mbështetje unanime, është një akt politik i një përmase të jashtëzakonshme", përshëndeti ministri francez i Mbrojtjes, Jean-Yves Le Drian.
"Kjo do të na mundësojë tashmë në orët që do të vijnë të kemi marrëdhënie dypalëshe, të nevojshme për Francës me çdo shtet anëtar të BE-së, me qëllimin për të vendosur ndihmën që çdokush është i gatshëm të japë konkretisht për francezët", theksoi ai.
Ministri francez i Mbrojtjes, Jean-Yves Le Drian, kërkoi sot nga vendet e BE-së një pjesëmarrje ushtarake më të lartë në disa nga rajonet ku zhvillohen operacione ushtarake dhe kërkoi mbështetjen e tyre për Francën në luftën kundër grupit Shteti Islamik (ISIS) në Irak dhe Siri.

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Adi Krasta ka hyrë nën sqetullën e pushtetit në Kosovë