Në fjalën e tij Ministri Koka vlerësoi punën e shkëlqyer të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit në monitorimin e mjedisit të sjellë tashmë në standarte europiane. Më tej ministri Koka u shpreh i kënaqur që nga rezultatet vihet re një rritje e cilësisë së ujërave bregdetare me 20 për qind krahasuar me një vit më parë. Ministri i Mjedisit i bëri thirrje drejtuesve të pushtetit vendor që të marrin masat e nevojshme dhe të punojnë deri në ditën e fundit të mandatit për të siguruar një mjedis të pastër.
“Gjej rastin t’u shpreh mirënjohjen disa prej komunave apo bashkive që kanë punuar mirë në këtë drejtim si në plazhin e Kavajës, Durrësit, Sarandës, Qeparoit, Shëngjinit apo Velipojës, të cilët me të vërtetë kanë një situatë relativisht shumë pozitive. U bëj thirrje edhe njëherë të gjithë kryetarëve të komunave dhe bashkive që të marrin masat e nevojshme. Detyrimet vazhdojnë deri në ditën e dorëzimit të detyrës. Është një mision, një detyrë funksionale e tyre për të përmirësuar gjendjen në ato zona ku është e nevojshme.”- tha ministri Koka.
Ministri theksoi se në bazë të monitorimit gjendja është pozitive edhe në liqenet kryesore në vend, ndërsa në lidhje me 6 basenet e lumenjve ai u shpreh: “Kemi të mirëevidentuar edhe gjendjen e 6 baseneve që gjenden në Shqipëri ku një pjesë e tyre ka një situatë jo fort të këndshme. Ministria e Mjedisit do të marrë masat për të pezulluar ato kompani që janë ndotës së lumenjve”.
Më tej, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Julian Beqiri prezantoi në detaje monitorimin e kryer në 78 pika të ndryshme ne 12 plazhe të vendit duke theksuar se për herë të parë Agjencia po kryen monitorimin dixhital të mjedisit.
Agjensia Kombëtare e Mjedisit (AKM) ka kryer monitorimin per plazhet: Velipojë, Shëngjin, Durrës, Gjiri i Lalzit, Kavajë, Vlorë, Sarandë, Ksamil, Dhërmi, Himarë, Qeparo dhe Borsh.
Nga analizat mikrobiologjike për cilësinë e ujrave të larjes në plazhet e mësipërme, për serinë e parë të monitorimit para fillimit të sezonit turistik të larjes rezulton se janë ulur plazhet me ndotje të lartë, e krahasuar kjo me të njëjtën përiudhë të një viti më parë. Ky përmirësim është ndjerë më shumë sidomos për plazhin e Kavajës dhe të Durrësit, pas futjes së shkarkimeve urbane në sistem kanalizimesh dhe dërgimi i tyre në Impiantet e Trajtimit të Ujrave urbane të Durrësit dhe të Kavajës.
Aktualisht është realizuar seria e parë monitorimit, para fillimit të sezonit në datat 11-25 Maj 2015. Deri në 30 Shtator 2015, do të zhvillohen dhe dy seri monitorimi që përkojnë me kohën gjatë sezonit dhe në fund të sezonit veror.
Monitorimi i AKM-së është pjesë përbërëse kryesore e Planit të Veprimit për Mesdheun. Qëllimi i këtij studimi është vlerësimi dhe njohja e cilësisë mikrobiologjike të ujërave bregdetare të larjes në vendin tone.
Programi i monitorimit të cilesisë së ujrave bregdetarë të larjes për vitin 2015
Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)