Trajneri i Turqisë në futboll, Vincenzo Montella, ka nisur përgatitjet për play-off-in e Botërorit 2026 dhe ka ndërmarrë që tani masa konkrete për të pasur skuadrën sa më gati në muajin mars 2026. Italiani ka zbuluar se i ka kërkuar Federatës Italiane të Futbollit që të ndalë kampionatin një javë përpara ndeshjeve vendimtare, për t’i dhënë më shumë kohë lojtarëve të tij.

“Kam tre lojtarë në Serinë A dhe i kam kërkuar federatës të ndalë kampionatin të dielën e fundit. Nëse ata vijnë të hënën, nuk mund të bësh stërvitje të vërtetë deri të mërkurën, ndërsa të enjten është prag ndeshja. Të kesh dy ditë më shumë në dispozicion bën diferencën. Edhe Gattuso do të ishte i kënaqur”, u shpreh Montella.

Sa i përket shortit që e vendos Turqinë përballë Rumanisë në gjysmëfinale, Montella tregoi respekt maksimal për rivalët.

“Rumania është një skuadër e re, që ishte në Europian. Trajneri Lucescu është një mjeshtër për të gjithë ne. Për të shkuar në Botëror duhet të japësh maksimumin ndaj çdo kundërshtari”, tha ai.

Ai komentoi edhe rrugëtimin e Italisë.

“Italia është favorite kundër Irlandës së Veriut, por duhet të japësh gjithçka. Pastaj në finale do të gjejë Uellsin ose Bosnjën. Me Uellsin jam përballur disa herë dhe në fushën e tyre transformohen, është ndeshje shumë e ashpër”, tha Montella.

Nëse Turqia arrin finalen, nuk përjashtohet një përballje emocionuese me Kosovën në “Fadil Vokrri”, në rast se “Dardanët” arrijnë të kalojnë Sllovakinë.