64 familje të një pallati në lagjen 'Bashkimi' në Vlorë janë ngritur në protestë kundër vendosjes së antenave telefonike. Banorët kanë protestuar duke kërkuar që punimet e nisura të ndërpriten ndërsa do të veprojnë vetë.

Sipas banorëve këta të fundit nuk janë pyetur dhe nuk është kërkuar leje për vendosjen e antenave,në kundërshtim me ligjin ndërsa vetë ata do të ndërhyjnë, duke i larguar dhe thyer.

"Është shqetësim i të gjithë banorëve. Jo vetëm që është e rrezikshme por ka krijuar një panik të madh. Ne duam që Qeveria shqiptare t'i heqë antenat nga pallatet dhe jo të krijojë kështu konfliktesh. Ne nuk kanë pyetur fare. Pallati është i shitur i gjithi dhe ai vjen e bën çfarë i do qejfi. Thotë kam marrë firmën e Kryeministrit. Ne nuk e lëmë me kaq", thotë një banor.

"Pallati është shitur, është i joni. Askush s'mund të bëjë asgjë pa lejen tonë. Ata s'na kanë pyetur dhe e montuan pa lejen tonë", thotë një tjetër.

"Nuk do ta lejojmë ta vendosin në tarracën tonë. Jo e firmosi Edi Rama, jo e firmosi Dritan Leli! Nuk e lejojmë, ajo është vdekjeprurëse", shprehet një banore.

Vendosja e antenave pranë një pallati dhe bllokuar banimi ka nxjerrë banorët në protestë ndërsa janë rreth 64 familje që preken duke kërkuar ndaljen e punimeve të nisura.