Zgjedhjet parlamentare të qershorit, në rast se shoqërohen edhe me destabilitet politik, mund të sjellin një shtyrje të reformave, e për rrjedhojë edhe të ecurisë së ekonomisë.
 
Kështu vlerëson kompania prestigjioze e vlerësimit financiar Moody`s në raportin e sapopublikuar për Shqipërinë.
 
Gjigandi financiar konfirmoi vlerësimin B1 me prespektivë të qëndrueshme për borxhin publik të Shqipërisë duke deklaruar se vendi regjistroi një ecuri të dukshme fiskale në vitin 2016.
 
Moody’s parashikon se borxhi i Shqipërisë do të vazhdojë të ulet gjatë viteve në vijim falë rritjes më të lartë ekonomike dhe politikës fiskale të qeverisë.
 
Sipas gjigandit ndërkombëtar, vlerësimi i Shqipërisë mund të përmirësohet nëse vendi do të vazhdojë progresin me konsolidimin fiskal, uljen e borxhit dhe forcimin e institucioneve përfshirë gjyqësorin.

Sfidat kryesore janë: borxhi i lartë publik, paçka se në rënie; struktura e dobët e financimit të brendshëm, paçka se në përmirësim; fuqia e kufizuar institucionale, dhe në veçanti korrupsioni, si dhe stoku i lartë i kredive me probleme.
 


dy.b/shqiptarja.com