Mori 2 mijë euro për të liruar trafikantët e drogës, SPAK mbyll hetimet për ish-prokurorin e Kukësit

Mori 2 mijë euro për të liruar trafikantët e drogës, SPAK mbyll hetimet për ish-prokurorin e Kukësit

Ish-prokurori Edmond Karriqi

SPAK ka mbyllur hetimet për ish-prokurorin e Kukësit Edmond Kariqin dhe ka dërguar dosjen në GJKKO. Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit akuzohet se ka kryer veprën penale: “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Ndërsa të pandehurit Dritan Dedja, Emirjan Beu dhe Isuf Gega janë akuzuar se kanë kryer veprën penale: “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 319 e 25 të Kodit Penal.

Prokurori i Kukësit akuzohet si i përfshirë në korrupsion, ndërsa arrestimi i tij ndodhi gjatë kohës që ai ishte në qendër të Kavajës. SPAK përmes përgjimeve arriti të provojë se Karriqi ka marrë 2000 euro ryshfet për lehtësimin e masës së sigurisë për një të pandehur, i dënuar për drogë.

Gjithçka nisi në nëntor të vitit 2019, kur në qytetin e Kukësit u arrestuan Dritan Dedja, Eraldo Braka, Elidon Koka dhe Ergis Xherri, të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike, të cilët u lanë të lirë nga prokurori Kariqi pas marrjes së ryshfetit. Të arrestuarit kishin futur ndërmjetës Isuf Gegën, mes të cilëve edhe Emirjan Beu, tek prokurori Karriqi për pushimin e çështjes.

Eraldo Braka dhe Dritan Dedja janë lidhur dhe kanë komunikuar me Isuf Gegën, tek i cili janë interesuar nëse kishte komunikim me Karriqin për t'i ndihmuar në lidhje me dosjen. Gega, me detyrë sekretar në Prokurorinë e Kavajës, ka udhëtuar bashkë me Karriqin në drejtim të Kukësit, ndërsa janë dokumentuar disa takime të tjera mes tyre.

Gega, në përgjimet e SPAK, rezulton të jetë sekser, nga ku prokurori ka marrë edhe shumën e eurove. SPAK ka dokumentuar edhe lëvizjet e këtyre dy të fundit, të cilët janë parë duke tërhequr paratë, për t’i çuar në destinacion. Menjëherë më pas, Prokuroria e Posaçme ka vepruar me arrestimet.

‘Në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë kanë përfunduar hetimet për proçedimin penal nr.49/1 viti 2021, që bën fjalë për veprat penale: “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të kryer në bashkëpunim, si dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të parashikuara nga nenet 319 e 25 dhe 319/ç të Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve paraprake për këtë procedim penal janë mbledhur prova me të cilat provohet se, i pandehuri Dritan Dedja me ndërmjetësimin dhe ndihmën e të pandehurve Emirjan Beu dhe Isuf Gega, i ka dhënë të pandehurit Edmond Kariqi, i cili ushtronte funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, përfitime monetare të padrejta, me qëllim për të favorizuar shtetasin Ramadan Dedja dhe persona të tjerë nën hetim, në një çështje penale të regjistruar në ngarkim të tyre në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës.

I pandehuri Edmond Kariqi është akuzuar se ka kryer veprën penale: “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal, ndërsa të pandehurit Dritan Dedja, Emirjan Beu dhe Isuf Gega janë akuzuar se kanë kryer veprën penale: “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 319 e 25 të Kodit Penal.

Sot në datën 23.12.2021, Prokuroria e Posaçme ka dërguar në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Edmond Kariqi, Dritan Dedja, Emirjan Beu dhe Isuf Gega.’-njofton SPAK.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi