TIRANË- Një 51-vjeçar është ndaluar nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik pasi me anë të mashtrimit ka marrë 270 mijë euro.
Mësohet se është ndaluar Andi Alimehmeti 51 vjeç,. Referuar burimeve zyrtare, 51-vjeçari në vitin 2017 i ka përvetësuar një vajze shumën 270.000 euro, për të cilat nuk i ka lëshuar as faturë tatimore.
Report Tv ka zbardhur skemën e mashtrimit. 51-vjeçari Andi Alimehmeti, i cili është arrestuar për mashtrimin me 270 mijë euro një zonje me iniciale S.B. ka në pronësi të tij një agjenci udhëtimesh. Sipas burimeve, Alimehmeti e ka mashtruar zonjën në fjalë duke premtuar se do të bëhej ortak me të. Alimehmeti ka mashtruar edhe persona të tjerë, ndërsa më herët ka qenë i proceduar po për mashtrim. Kallëzuesja pretendon se i ka marrë shumën prej 270 mijë eurove, por burimet saktësojnë se ajo ka mundur që të vërtetoj përmes dokumentacioneve vetëm shumën prej 91 mijë eurosh.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar bënë ndalimin e shtetasit A. A., 51 vjeç, pasi në vitin 2017, me anë të mashtrimit, i ka përvetësuar shumën 270.000 euro, për të cilat nuk i ka lëshuar as faturë tatimore, shtetases S. B”, njofton policia.