TIRANË - Ministrja e Integrimit Evropian,  Klajda Gjosha zhvilloi sot në një vizitë kortezie ambasadoren franceze në Shqipëri, Christine Moro.  Pasi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira me Francën, Gjosha shprehu bindjen se dy shtetet do të vazhdojnë në të njëjtën frymë bashkëpunimi.

Ajo u ndal tek Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se është prioritet kryesor i qeverisë së re. “Ne kemi dëshirën dhe vullnetin për ta çuar përpara procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Po punojmë me ministritë e linjës, pasi siç e dini roli ynë është koordinues në mënyrë që të vihen në zbatim masat konkrete për të cilat qeveria ka marrë angazhimin e saj”, tha ministrja Gjosha.

Gjosha theksoi se muaji dhjetor është tepër i rëndësishëm për Shqipërinë. “Ne do respektojmë vendimin vendeve anëtare të BE në lidhje me statusin, por është tepër e rëndësishme që të ndryshojmë imazhin e Shqipërisë dhe të dëshmojmë për progresin e bërë deri tani.
Qeveria ka gjithë energjinë e nevojshme për të përmbushur prioritetet e lëna nga Komisioni Evropian, ashtu sikurse ka detyrimin tu përgjigjet pritshmërive të larta të qytetarëve shqiptarë, 87% e së cilëve nga sondazhet e bëra rezultojnë të jenë pro hyrjes në Bashkimin Evropian”, tha Gjosha.
 
Ambasadorja franceze u shpreh se opinioni i vendeve anëtarë është shumë i rëndësishëm dhe është e nevojshme që Shqipëria të zhvillojë takime me përfaqësuesit këtyre vendeve, për t’u treguar nga afër masat që po ndërmerren për të çuar përpara procesin e integrimit.  Moro nënvizoi se Franca është prezente në Shqipëri me një sërë projektesh dhe do të vijojë të japë mbështetjen e saj.

”Ne kemi pjesëmarrje të mirë në Shqipëri me disa projekte binjakëzimi me disa ministri dhe me shoqërinë civile. Punojmë të gjithë për të njëjtin qëllim ndaj ky bashkëpunim do të vazhdojë”, tha ambasadorja Moro. Ministrja e Integrimit kërkoi asistencë në ndërtimin e kapaciteteve, pasi sipas saj për të ecur më tej në procesin e integrimit duhen profesionistë.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)