Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së dielës në një berberhane në Rrilë të Lezhës, ku si pasojë e një shkëmbimi zjarri, mbeti i plagosur pronari i saj Sokol Daci, e po ashtu dyshohet të ketë marrë plagë në këmbë dhe 21-vjeçari Merando Nikulaj, anëtar i një familje, e përfshirë në një zinxhir hakmarrjesh. 3 vjet më parë Ardian Nikulaj, sipërmarrës, u vra në lokalin e hotelit të tij në Shëngjin.

“Mos lëvizni, policia!” Të shtatë personat të cilët shkuan në berberhane, janë prezantuar si policë. Të kamufluar dhe me kapuçë në kokë, 5 prej tyre ishin të armatosur me armë zjarri automatike, ndërsa 2 të tjerët mbanin shkopinj bejsbolli.

Nga veprimet hetimore të kryera dhe këqyrja e kamerave të sigurisë, rezulton se autorët kishin për qëllim dhunimin e 21-vjeçarit Nikulaj, me të cilin kishin pasur konflikt gati një vit më parë. Por, në ambientin e berberhanes, ku Nikulaj po qethej, janë përballur me të shtëna me armë zjarri. Sipas të dhënave, krahas efektivit të policisë Besart Kovaçi, dyshohet se ka qëlluar me armë edhe vetë 21-vjeçari Nikulaj. Njëri prej anëtarëve të grupit të atentatorëve, është kundërpërgjigjur me breshëri automatiku. Plumbat kapën Dacin, i cili u transferua në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërsa 21-vjeçari Nikulaj, i cili dyshohet po ashtu të jetë plagosur, është zhdukur pa lënë gjurmë.

Ai është shpallur në kërkim nga policia. Bashkë me të dhe 3 nga grupi i agresorëve Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka, Kevin Ndoka. Ndaj tyre janë ngritur akuzat “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”. Më herët me urdhër të Prokurorisë, u ndalua dhe polici 24-vjeçar, Besart Kovaçi, i dyshuar për “shpërdorim detyre”. Roli i tij në ngjarje mbetet i paqartë.

Ngjarja, e ndodhur mbrëmjen e së dielës në qendër të fshatit Rrilë, fillimisht u raportua si atentat. Por nga zbardhja e plotë e saj, rezulton se bëhet fjalë për një përplasje me armë zjarri mes palëve, si pasojë e një konflikti të mëparshëm të ndodhur në muajin mars 2025, në zonën e Kunes në Shëngjin.

Në atë kohë, pjesëtarë të fisit Nikulaj janë konfliktuar fillimisht verbalisht dhe më pas kanë përplasur qëllimisht me automjet dy pjesëtarë të fisit Ndoka, të cilët po lëviznin me motoçikleta.