Përplasja e armatosur në berberhane të dielën në Lezhë, nuk është atentat për gjakmarrje, por deri më tani besohet se është pasojë e një konflikti të mbartur mes 3 të rinjve të fisit të ish-deputetit Arben Ndoka, dhe nipit të biznesmenit të vrarë në Shëngjin, Ardjan Nikulaj. Edhe pse të armatosur deri në dhëmbë Ndokajt dyshohet se shkuan në berberhane ta dhunojnë brutalisht 21-vjeçarin Merando Nikulaj, por u tërhoqën kur ai dhe një polic në berberhane nisën t’i qëllojnë me armë.

***

Nipi i ish-deputetit socialist Arben Ndoka, ishte në kërkim policor, por kjo nuk e ndali të përfshihej në një tjetër ngjarje kriminale. Kevin Ndoka dyshohet se me të atin, Gëzimin, sulmuan në një lokal 2 kushërinj dhe i bënë për spital. Prej 12 janarit, policia nuk e kishte gjetur, derisa emri i tij, del në një ngjarje edhe me të rëndë. Tashmë, ai kërkohet për sulmin me armë të 1 shkurtit që la 2 të plagosur në berberhanen në Rrilë të Lezhës.

Bashkë me të, në kërkim janë edhe 2 të tjerë nga fisi Ndoka, Gerardo dhe Eliseo. Ata akuzohen si pjesë e grupit prej 7 personash, (4 prej tyre ende të paidentifikuar) të cilët mbrëmjen e së dielës hynë të armatosur dhe me maska në berberhane, 5 me kallashnikovë dhe 2 me shkopa bejsbolli.

U prezantuan si policë, por Merando Nikualaj, 21 vjecari i afërm i biznesmenit të ezkekutuar në Shëngjin, Ardian Nikulaj në 2023-shin, kuptoi se nuk ishin efektivë.

Policia thotë se edhe i riu, gjithashtu i shpallur në kërkim, ishte i armatosur, dhe i sulmoi me armë autorët.

Hetimet janë përqendruar të zbulojnë se kush qëlloi i pari me armë. Dyshime ka se sapo kanë parë personat e dyshimtë, i pari të ketë qëlluar Merando Nikulaj, për t’i zmbrapsur autorët. Më tej, sipas burimeve, ka nisur të qëllojë me pistoletën e shërbimit polici Besart Kovaçi i cili ndodhej në berberhane. Agresorët të cilët erdhën me 2 makina, mendohet të kenë qëlluar me breshëri kallashnikovi gjatë largimit nga salloni, duke bërë shosh me plumba jo vetëm fasadën e xhamtë të tij, por edhe disa biznese të tjera.

Plumbat e lanë të plagosur në këmbë Merando Nikualjn, i cili pas ngjarjes u largua dhe ende nuk është gjetur nga policia. Pavarësisht se mund të ishte shenjestër e agresorëve, edhe ai kërkohet për vrasje me dashje e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, njëjtë si 3 kushërinjtë Ndoka.

Hetimet paraprake orientojnë drejt dyshimit se Ndokët donin të dhunonin rëndë Merando Nikulajn, dhe arsyeja mendohet se fshihet në një konflikt të vjetër mes tyre. Në muajin mars të vitit 2025 palët janë zënë në Kune të Shëngjinit, fillimisht verbalisht, por më pas, në ngjarjen që ka pak detaje zyrtare, Nikulajt dyshohet se përplasën qëllimisht me automjet dy pjesëtarë të Ndokëve, të cilët po lëviznin me motoçikleta.

Efektivi i policisë në berberhane është arrestuar dhe po hetohet për shpërdorim të detyrës, pasi nuk është treguar bashkëpunues në zbardhjen e së vërtetës, ndërsa i plagosur pa faj në këtë përplasje, mbeti berberi Sokol Daci.