Shënjestër e atentatit në berberhanen në Rrilë të Lezhës, nuk ishte pronari, i cili u plagos me 5 plumba, por dy djem nga fisi Nikulaj. Plumbat lanë të plagosur nipin e Ardjan Nikulajt të vrarë 3 vite më parë në Shëngjin, por në berberhane mendohet të ketë qenë edhe djali i biznesmenit. Nipi i plagosur nuk është gjetur në asnjë spital, dhe nuk dihet nëse hetuesit kanë rënë në kontakt edhe me djalin e Nikulajt.  3 nga atentatorët janë identifikuar si Gerardo, Eliseo e Kevin Ndoka, por plani i tyre për vrasje, dështoi pasi në berberhane po qethej një polic civil, i cili iu kundërpërgjigj me armë.

Një ditë pas atentatit në fshatin Rrilë të Lezhës, policia ka arritur të identifikojë tre autorët të cilët qëlluan me breshëri kallashnikovi drejt berberhanes ku ndodheshin dy djem të fisit Nikulaj.

Bëhet fjalë për tre të rinj nga fisi Ndoka, Gerardo, Eliseo dhe Kevin Ndoka, nipi i ish deputetit Arben Ndoka, të cilët janë shpallur në kërkim. Për ngjarjen në kërkim nga blutë e Lezhës është shpallur edhe 21 vjecari Merando Nikulaj, i cili mbeti i plagosur teksa ishte duke prerë flokët në berberhanën e fshatit Rrilë. I riu i cili ra pre e atentatit është djali i djalit të xhaxhait të Ardian Nikulaj. Në berberhane mendohet të ketë qenë edhe djali i biznesmenit të vrarë më 19 prill të vitit 2023. Nuk dihet ende nëse kjo ngjarje, ka lidhje me hakmarrjen prej 3 dekadash me fisin Lekstakaj, por policia është duke hetuar. 

Mbrëmjen e së dielës nga rruga drejt berberhanës u sulmua me breshëri plumbash nga dy armë, nga të cilat mbeti i plagosur 21 vjecari Nikulaj. 

Për të nuk dihet më asgjë, pasi pas atentatit, u largua, dhe nuk ka informacione zyrtare që të ketë marrë trajtim në ndonjë spital në vend. Policia ka kryer kontrolle edhe në klinika private, por nuk ka rënë ende në gjurmë të tij.

Breshëria e plumbave kapi edhe pronarin e berberhanes i cili në ato momente po qethte nipin e Ardian Nikulajt. 30-vjeçari Sokol Daci mori 5 plumba, 2 në kraharor, 2 në bark dhe 1 në këmbë, dhe ndodhet në intubim në spitalin e Traumës në Tiranë.

Në berberhane ndodhej edhe efektivi Besart Kovaçi, i cili sic mësohet shoqëronte Nikulajt.

Polici edhe pse jo në detyrë, iu kundërpërgjigj me 4 të shtëna me armën e shërbimit, breshërisë së agresorëve. Ai i tha hetuesve se ndërhyri për t’i neutralizuar autorët, por se nuk arriti të njohë asnjërin prej tyre. Ky reagim ka ndikuar edhe në largimin e të dyshuarve pa realizuar vrasjen e shënjestrës së tyre.

Polici 24 vjecar, Kovaçi u ndalua pasditen e së hënës me urdhër të Prokurorisë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Policia u rikthye sërish në vendngjarje mëngjesin e së hënës. Si një betejë lufte, shenjat e plumbave shfaqen jo vetëm në fasadën e xhamtë të sallonit, por edhe në biznese të tjera. Brenda berberhanes policia gjeti 16 gëzhoja pistolete, 10 të qëlluara nga efektivi civil dhe 6 të tjera të një arme të dytë, e cila ende nuk është gjetur. Dyshohet se një nga 3 personat brenda sallonit të ketë qëlluar me pistoletë, pasi në armën e efektivit Kovaci, pas ngjarjes u gjetën 5 plumba nga 15 që kishte në pistoletë. 

Nga dinamika e ngjarjes dyshohet se ishin 7 atentatorë të shpërndarë në dy automjete, tre prej të cilëve nga fisi Ndoka që janë shpallur në kërkim. Dy dolën jashtë “AUDI-t” dhe qëlluan me breshëri plumbash nga kallashnikovë dhe pistoletë. Më pas hynë në makinë dhe u larguan, dyshohet në drejtim të Tiranës. Rruga ka shumë alternativa të tjera devijimesh, të cilat mund të jenë përdorur për të humbur çdo gjurmë.

Automjeti i autorëve u identifikua nga kamerat e disa bizneseve ngjitur, pasi berberhana dhe zona përreth nuk kishin. Për të faktuar me prova shkencore praninë e nipit të Nikulajt në berberhane, policia mori gjurmët e gjakut në vendin e ngjarjes, të cilëve do t’iu bëhet ADN-ja.

Sokol Daci ushtronte profesionin e berberit prej vitesh dhe nuk njihej si person problematik apo me precedentë të mëparshëm penalë, një e shkuar e pastër e cila e përforcon bindjen e hetuesve, se nuk ishte ai shënjestra e atentatit.

3 muaj pas atentatit të Ardian Nikualajt në Shëngjin, në Balldren të Lezhës, më 19 korrik të vitit 2023, u vra në shenjë hakmarrje një anëtar i fisit Lekstakaj, Nikolini 42-vjeçar.

11 ditë më parë, më 22 janar të këtij viti, Arben Nikulaj, vëllai i biznesmenit druhej se ekzekutimi i Ardianit në hotelin e tij në Shëngjin, nuk e kishte mbyllur gjakmarrjen me fisin Lekstakaj. Siç ai tha për tabloidin britanik “The Sun”, kishte marrë paralajmërime se për kokën e tij ishin caktuar 1.7 milionë paund. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:35
Identifikohen 3 autorët e dyshuar të atentatit në Lezhë (EMRAT)

1770030238_atentatilezhe.jpg

Gerardo, Eliseo dhe Kevin Ndoka janë 3 autorët e dyshuar të atenatit që ndodhi mbrëmjen e djeshme në një berberhane të Lezhës, ku shënjestër ishin dy djem nga fisi Nikulaj. Tre djemtë nga fisi Ndoka janë shpallur në kërkim, bashkë me Merando Nikulajn, i cili ishte brenda në berberhane.

Ora 20:54
Atentati ndaj Nikulajve në Lezhë, polici qëlloi 10 plumba pas sulmit të agresorëve! Kush ishte personi ‘misterioz’ që shtiu 6 herë me pistoletë?

Të tjera detaje kanë dalë nga atentati i mbrëmjes të së dielës në Rrilë të Lezhës, ku shënjestër ishin djemtë e fisit Nikulaj.

Pas ndalimit të efektivit të Policisë, Besart Kovaçi, i cili ishte në berberhanën ku ndodhi ngjarja dhe qëlloi me armë zjarri në momentin e atentatit, është zbuluar se nga pistoleta e tij janë qëlluar 10 plumba dhe jo 4 siç u pretendua më herët.

Këto të dhëna kanë dalë pasi është mësuar se në armën e shërbimit të Kovaçit kishte 15 plumba dhe pas të shtënave, kishin mbetur vetëm 5 plumba.

Ndërkohë brenda berberhanes janë gjetur 16 gëzhoja pistolete, 10 të policit dhe 6 gëzhoja të një arme të dytë, armë e cila nuk është gjetur.

Një nga 3 personat brenda, përveç policit, dyshohet po ashtu të ketë qëlluar me këtë pistoletë.

Ndërkohë hetimet vijojmë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë të të gjithë të dyshuarve si të përfshirë.

Ora 20:51
Atentati në Lezhë, 4 persona në kërkim për vrasje me dashje e mbetur në tentativë

1769977556_plagosjenelezhe.jpg

Foto nga vendi ku ndodhi atentati

Policia e Lezhës vijon hetimet për atentatin e një dite më parë në Rrilë të Lezhës.

Përmes një njoftimi blutë informojnë se në kërkim janë shpallur katër persona për veprat penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit dhe lëndëve shpërthyese.

Ndërkohë Polici që shoqëronte (Merando Nikulaj), Besart Kovaçi se është ndaluar pasi akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Njoftimi i plotë

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 01.02.2026, rreth orës 21:00, në fshatin Rrilë, Njësia Administrative Shënkoll, bashkia Lezhë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një shtetas, Grupi i Posaçëm Hetimor i DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar intensivisht hetimet me qëllim zbardhjen e ngjarjes, dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në vijim të veprimeve u ekzekutua urdhri i ndalimit, i lëshuar nga Prokurori, për shtetasin B. K., 24 vjeç, banues në fshatin Dragushë, Njësia Administrative Dajç, Bashkia Lezhë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore e procedurale, ka rezultuar se si të dyshuar në këtë ngjarje janë përfshirë shtetasit G. N., E. N., K. N. dhe M. N., të cilët janë shpallur në kërkim.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Për shkak të hetimeve, nuk jepen të dhëna të tjera.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, në ngarkim të shtetasve G. N., E. N., K. N. dhe M. N., të dyshuar për veprat penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit dhe lëndëve shpërthyese”, si dhe në ngarkim të shtetasit B. K., i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.