TIRANË- Mos merrni çadër me vete, nuk do jetë e nevojshme! Sot nuk do të ketë shi, edhe pse një përshtypje e parë të lë të mendosh se do mund të ketë për shkak se ka vranësira. Sipas MetoAlb, mot i vranët dhe intervale kthjellimesh dominojnë në vend gjatë paradites. Më të dendura vranësirat paraqiten në zonat verilindore dhe juglindore, por pa reshje. Mesdita dhe pasditja vijojnë me kthjellime dhe vranësira të kalimtare.
Temperaturat e ajrit ulen sërish në vlerat e mëngjesit, por rriten në orët e mesditës duke bërë që vlerat ditore të luhaten nga -4°C deri në 15°C.
Era do të fryjë kryesisht mesatare, me shpejtësi 40 km/h nga drejtimi Verilindor duke krijuar në det dallgëzim 4 ballë.