Përfaqësues të bizneseve në Vlorë kanë kërkuar zyrtarisht nga kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, shtyrjen deri në fund të muajit shtator të prishjeve shtesave pa leje të hapësirave të pjesshme, shtesave, pergolave dhe tendave të diellit.

Në kërkesën e tyre, bizneset shprehen se ndërhyrjet në prag të sezonit turistik do të sillnin pasoja të konsiderueshme ekonomike për aktivitetet që operojnë në qytetin bregdetar. Sipas tyre, ndërhyrjet në strukturat mbajtëse të investimeve kërkojnë kohë dhe kosto financiare, ndërsa do të sillnin edhe pezullim të përkohshëm të aktivitetit ekonomik.

Bizneset paralajmërojnë se dëmet nuk do të prekeshin vetëm subjektet private, por edhe të ardhurat nga taksat dhe pagat e punonjësve gjatë muajve të verës.

Në argumentimin e tyre, përfaqësuesit e bizneseve theksojnë se Vlora është një qytet që mbështetet fort te turizmi sezonal dhe se ndërhyrje të tilla zakonisht kryhen pas përfundimit të sezonit ose gjatë dimrit, kur aktiviteti ekonomik është më i ulët.

Për këtë arsye, ata kërkojnë mirëkuptim dhe bashkëpunim nga Bashkia Vlorë për të shmangur ndikimet negative në zhvillimin ekonomik të bizneseve gjatë sezonit veror.