Shqipëria ka çelur zyrtarisht Kapitullin 27 për Mjedisin, një nga kapitujt më të rëndësishëm në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ky kapitull përfshin një sërë detyrimesh dhe standardesh që lidhen me mbrojtjen e natyrës, menaxhimin e mbetjeve, cilësinë e ajrit dhe ujërave, si edhe ruajtjen e biodiversitetit, të cilat pritet të përmbushen në vitet në vijim.

“Shfuqizimi i ligjit aktual për zonat e mbrojtura dhe harmonizimi i tij me standardet e Bashkimit Europian shihet si një piketë shumë e rëndësishme në përmbushjen e kritereve të Kapitullit 27”, tha Aleksandër Trajçe.

Megjithatë, sipas kreut të Organizatës për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, Aleksandër Trajçe ndryshimet duhet të bëhen sa më shpejt, pasi ndërhyrjet në zonat e mbrojtura po vijojnë me ritme të larta.

Ai i cilësoi “agresive” zhvillimet që po kryhen në emër të turizmit elitar, duke ngritur shqetësime për ndikimin që këto projekte mund të kenë në mjedis.

“Ne shohim me shqetësim të madh zhvillimet në terren, të cilat po ndodhin në vazhdën e këtyre ndryshimeve, pa masa sigurie dhe pa kujdesin e duhur për ndikimin në mjedis”, tha Aleksandër Trajçe.

Trajçe u ndal veçanërisht te punimet që po zhvillohen në zonat e Pishë Poro-Nartë dhe Zvërnec, ku sipas tij po shfrytëzohen hapësirat që lejon ligji aktual për të avancuar projektet përpara hyrjes në fuqi të rregullave më të forta të Bashkimit Europian.

“Zhvillimet turistike po vazhdojnë me shpejtësi, duke anashkaluar proceset normale të konsultimit publik, vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe përfshirjes së palëve të interesit. Kjo po ndodh sepse ekziston bindja se ligji do të ndryshojë së shpejti dhe se më pas nuk do të ketë më hapësirë për ndërtime të tilla”, Aleksandër Trajçe.

Edhe Ariel Brunner nga BirdLife Europe and Central Asia theksoi se zhvillimi i turizmit nuk duhet të vijë në “kurriz” të natyrës. Sipas tij, Shqipëria mund të ndërtojë një industri të fortë turistike pa dëmtuar ekosistemet dhe komunitetet lokale.

“Turizmi dhe mbrojtja e natyrës mund të ecin bashkë. Ata që thonë se duhet të zgjedhim mes njërës dhe tjetrës, në shumicën e rasteve nuk thonë të vërtetën. Shpresojmë që qeveria shqiptare t’u përmbahet angazhimeve të saj dhe të zbatojë siç duhet legjislacionin europian, përfshirë rrjetin Natura 2000”, tha Ariel Brunner.

Sipas organizatave mjedisore, sfida më e madhe për Shqipërinë nuk do të jetë vetëm miratimi i ligjeve të reja, por zbatimi i tyre në praktikë, në një kohë kur presioni për zhvillim turistik në zonat bregdetare dhe të mbrojtura po rritet çdo ditë.