Bombolat e gazit të pakolauduara mund të kthehen në një kurth vdekjeje. Pas tragjedisë në fshatin Domen të Shkodrës, ku humbën jetën 24-vjeçarja Bleona Çobajt dhe dy fëmijët e saj të mitur, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, bëri thirrje nga Report TV që në banesa të përdoren vetëm bombola të certifikuara dhe të kolauduara.
I ftuar në emisionin “Sot Live në Shqipëri” me Nertil Agalliun, Cara tha se bombolat e gazit janë shumë të rrezikshme nëse nuk përdoren me kujdes dhe nuk respektohen rregullat për montimin dhe mirëmbajtjen e tyre.
“Çdo bombolë gazi duhet të jetë e kolauduar, e mirëmbajtur, të ketë certifikatë sigurie dhe t’i bëhet kontroll periodik nga kompani të certifikuara. Bombolat e amortizuara krijojnë shpërthime që mund të jenë fatale. Nuk të lënë kohë të reagosh, ndaj duhet kujdes”, u shpreh ai.
Sipas Carës, në rastin e tragjedisë në Shkodër dyshohet se ka pasur rrjedhje gazi, e cila më pas është ndezur nga një shkëndijë elektrike, duke shkaktuar shpërthimin dhe flakët.
"Bombolat lejohen të përdoren në kampingje por jo për gatim në shtëpi. Ajo do ketë pasur rrjedhje dhe ka pasur një shkëndijë elektrike dhe gazi i rrjedhur ka krijuar shpërthimin dhe flakët. Për gatim në shtëpitë tona mund të marrim bombola 10-15 litroshe që janë të ccertifikuara dhe të koaluduara. Në çdo rast duhet mbajtur me kujdes. Ndodh që bombolat nuk kualodohen dhe kur ajo amortizohet dhe mbushet në pika karburanti, ajo krijon rrjedhje dhe më pas shkarkohet në ambientet e banesës dhe si pasojë e shkëndijave krijon shpërthim fatal e më pas zjarr” tha ai.
Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës theksoi se në banesa duhet të përdoren vetëm bombola 10-15 litroshe të certifikuara dhe të kolauduara. Ai paralajmëroi se bombolat që nuk kolaudohen dhe mbushen edhe pasi janë amortizuar mund të krijojnë rrjedhje gazi, i cili grumbullohet në ambientet e shtëpisë dhe, në kontakt me një shkëndijë elektrike, mund të shkaktojë shpërthim dhe më pas zjarr.
Komente











