Më poshtë është letra e një Emmanuela-s, një nënë italiane që këtë 2 prill, në Ditën e Ndërgjegjësimit ndaj Autizmit, ka një mesazh për nënat në situatën e saj, por edhe për gjithë botën.
Unë jam Emanuela dhe kam dy fëmijë të bukur. Gabriele ka 19 muaj plot jetë, Riçardo 4 vite ëmbëlsi dhe brishtësi. Djali im i madh ka çrregullimin e spektrik autik.
Pasi humba punën time, bashkëshorti im (Diego) dhe unë morëm një vendim, ndryshuam jetën tonë. Nga Milano u zhvendosëm në fshat, me lopë dhe traktorë, me shpresën për t'i dhënë Riçardo-s më shumë qetësi dhe mundësi.
Dhe nga këtu filluam përsëri një luftë nga e para. Një luftë për të cilën ka momente që ndjej se mund ta bëj, të tjera momente në të cilat ndihem e vogël dhe e brishtë, por gjithmonë, në çdo moment të ditës nuk harroj diçka ... asgjë nuk ndodh rastësisht dhe transferimi ynë doli të ishte zgjidhja më e mirë për të gjithë ne.
Si të gjithë prindërit që kanë një fëmijë me autizëm, edhe frika ime më e madhe është për atë që vjen “pas nesh”.
Sa e vështirë është të mbijetosh këto ditë, kur dëgjoj gjatë gjithë kohës për të ardhmen e pasigurt të fëmijëve tanë, të ashtuquajturit “#ildopodinoi”.
Kur e mendoj këtë, harroj edhe të marr frymë, zemra më shtrëngon derisa më dhemb dhe lotët, ata thjesht nuk mund t'i ndaloj.
Çfarë do të bëhet me ty dashuria ime e madhe?
Kësaj pyetjeje jam përpjekur t`ia krijoj vetë përgjigjen. Me blogun që kam krijuar, por edhe punën vullnetare në komunitet.
E nisa nga shkollat aty afër.
Për të vegjlit përgatita tullumbace blu dhe me bashkëpunimin e mësuesve mundëm të lexojmë historinë e “Njëbrirëshit të trishtuar”, në të cilën fëmijëve u shpjegohet autizmi dhe të gjitha dallimet. Bashkë me to, krijuam edhe mesazhet kryesore që donim të jepnim.
“Unë nuk flas, por i dëgjoj të gjitha ato që thoni dhe ndonjëherë më lëndojnë.”
“Ju keni frikë nga errësira, unë nga zhurmat”.
“Ti ke dy sy, një hundë, një gojë dhe një zemër të mëdha… edhe unë”.
“Unë dua të kem shokë.”
Ne të gjithë i rrisim fëmijët duke u thënë se në mëngjes duhet të lajnë dhëmbët, se letra duhet hedhur në kosh dhe se ata duhet të respektojnë njerëzit… Duhet t`i mësojmë edhe empatinë.
Këtë vit Ricky ka 2 vjet që shkon në kopsht me 32 fëmijë dhe ka qenë i ftuar në vetëm 4 ditëlindje, por jam e sigurt që së shpejti do të bëhen 5, pastaj 10 e kështu me radhë, jam e sigurt.
Nuk ka qenë e lehtë. Jo, fare. Nuk është e lehtë të mos i këndosh fëmijën këngën e ditëlindjes, sepse nuk dëshiron, nuk e lumturon kjo. Nuk është as e lehtë t`ia dëgjosh zërin për herë të parë 2 vjeç, pastaj të ketë një heshtje të gjatë, deri në moshën 3-vjeçare.
Puna më e vështirë është pranimi. Për ty mami që po më lexon dhe mendon e ndjen këto rreshtat e mia, merr frymë dhe përballoje këtë rrugëtim të gjatë që herë-herë do të të duket sikur ecën mbi copa të thyera, herë të tjera në tapete me petale trëndafili.
Bëhu e fortë, bëhu nëna e tij, ji kujdestarja e tij, bëhu luftëtarja e tij dhe ndonjëherë zëri i tij, por mami që më lexon, mos u zemëro kurrë me Zotin, me botën, mos pyet pse ty, pse ai nuk është... Nuk është një dënim, ai nuk është një dënim, ai nuk mund të jetë kurrë i tillë./Tirana Post