Mosmarrëveshje brenda qeverisë së Polonisë mbi planet e kryeministrit për reforma

Mosmarrëveshje brenda qeverisë së Polonisë mbi planet e kryeministrit për reforma

Flamuri polak

Polonia është shndërruar në një shesh beteje politike pasi qeveria e re veproi me shpejtësi për të përmbysur vendimet e qeverisë së mëparshme, që udhëhiqej nga Partia djathtiste Ligj dhe Drejtësi. Qeveria e re përmbysi vendimet mbi mediat publike dhe sistemin e drejtësisë, që kanë qenë një burim mosmarrëveshjesh mes Polonisë dhe Bashkimit Evropian.

Tani në opozitë, Partia Ligj dhe Drejtësi, e cila udhëhoqi Poloninë për tetë vjet, po kundërshton veprimet e qeverisë aktuale, duke penguar punën e parlamentit dhe duke protestuar në rrugë. Javën e kaluar, mbështetësit e opozitës marshuan deri tek zyra e Kryeministrit, pas thirrjeve të udhëheqësit të tyre Jaroslaw Kaczynski.

“Nëse duam të fitojmë, duhet ta ndryshojmë këtë qeveri. Ndonëse ende nuk ka mbushur një muaj nga ardhja në pushtet, kjo qeveri ka filluar të zbatojë këtë plan, që ne duhet ta ndalim dhe në kohën e duhur, duke përdorur votën, ne duhet ta ndryshojmë atë. Por duhet ta ndryshojmë në një mënyrë, që ajo të mos mund të kthehet sërish në pushtet. Kjo nuk është një qeveri polake”, tha ai.

Ish Presidenti i Komisionit Evropian Donald Tusk udhëhoqi një koalicion të qendrës së djathtë, i cili i dha fund pushtetit të Partisë Ligj dhe Drejtësi me një fitore në zgjedhjet e tetorit të kaluar, duke premtuar rikthimin e sundimit të ligjit dhe institucioneve demokratike. Zoti Tusk, tani Kryeministër i Polonisë, është zotuar për një ndryshim të drejtimit të Polonisë, rikthimin e të drejtave civile, forcimin e ekonomisë dhe përmirësimin e marrëdhënieve të Varshavës me Bashkimin Evropian. Aleksandra Karasinska, kryeredaktore e revistës “Forbes Women Polska”, thotë se ish zyrtarët e qeverisë së kaluar nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga kontrolli.

“Ne kemi patur tetë vjet të një qeverie nacionaliste të krahut të djathtë konservator dhe elita e vjetër është e befasuar nga rezultati i zgjedhjeve. Ata nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga pushteti, por votuesit i dhanë fitoren një force tjetër politike. Kjo është demokracia. Ne kemi një qeveri të re që ka shumicën në parlament dhe natyrisht do të heqë nga pushteti zyrtarët e qeverisë së kaluar”, thotë ajo.

Këtë javë pati një takim mes Presidentit dhe Kryeministrit të Polonisë. Ndonëse takimi ishte i përzemërt, marrëdhëniet mes Presidentit Andrzej Duda, ish anëtar i Partisë Ligj dhe Drejtësi dhe Kryeministrit Donald Tusk janë të tensionuara.

Kryeministri Tusk është zotuar të rikthejë Poloninë në një demokraci evropiane liberale dhe u ka premtuar votuesve se qeveria e tij do të hetojë politikanët dhe ish zyrtarët e Partisë Ligj dhe Drejtësi, që janë akuzuar për shkelje të ligjit. Njëkohësisht, Presidenti polak mbetet besnik i ish partisë së tij, duke i mbrojtur ish kolegët e tij nga hetimet.

Jacek Kucharczyk, President i Institutit të Marrëdhënieve me Publikun në Varshavë, thotë se udhëheqja e re po përmbush premtimet e bëra ndaj mbështetësve të saj gjatë fushatës zgjedhore.

“Donald Tusk dhe qeveria e tij thjeshtë e kanë bërë përparësi që të paktën të fillojnë procesin e riparimit të dëmit që u është bërë institucioneve. Qeveria e tij filloi me mediat publike dhe pastaj me shërbimin e prokurorëve sepse këto janë institucione thelbësore në përpjekjet për të mbajtur përgjegjës partinë Ligj dhe Drejtësi për abuzimin me pushtetin, që ka ndodhur gjatë dy mandateve të saj. Dhe tani kemi kundërshtime të qarta nga anëtarët besnik të kësaj partia”, thotë ai.

Qëllimi i opozitës së re është të pengojë seancat e parlamentit dhe ta bëjë të pamundur miratimin e buxhetit nga parlamenti, thotë Michal Broniatowski, kryeredaktor i gazetës “Politico Poland”.

“Ndonëse shanset janë të vogla, nëse kjo ndodh, Presidenti do të ketë të drejtën kushtetuese për të shpërndarë parlamentin dhe për të kërkuar organizimin e zgjedhjeve të reja”, thotë ai.

Jacek Kucharczyk thotë se ai beson se organizimi i zgjedhjeve të reja do të ishte një gabim i madh për Presidentin Duda dhe mbështetësit e tij.

“Duket se kemi një situatë të ndërlikuar, por mendoj se opozita, e cila po përpiqet të destabilizojë situatën, ka shanse të vogla për të arritur synimin e saj. Edhe nëse parlamenti do të shpërndahej dhe do të organizoheshin zgjedhje të parakohshme, shanset që ato t’i fitojë Partia Ligj dhe Drejtësi janë shumë të vogla. Ky do të ishte një hap i gabuar për Presidentin. Mendoj se Presidenti Duda do të krijonte një kurth për veten nëse ai do të kërkonte mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”, thotë ai.

Shoqëria polake është thellësisht e ndarë dhe kriza aktuale shihet si një provë për sistemin e stilit demokratik perëndimor, në një kohë kur populizmi është në rritje në Evropë./ VOA

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Aksident i trefishtë në aksin Lezhë-Laç, raportohet për tre të plagosur! Makinat bëhen copash

Aksident i trefishtë në aksin Lezhë-Laç, raportohet për tre të plagosur! Makinat bëhen copash