Mot i çmendur në Europë/ Pas temperaturave të larta, Ballkani nën pushtetin e shirave dhe breshërit
Moti i çuditshëm që ka pushtuar Europën e ka një shpjegim: ngrohja globale. Stina e verës së këtij viti ka sjellë temperatura shumë të larta në zonën Veriore të Europës dhe reshje të dëndura shiu në Ballkan.
Redaksia 29 Korrik 2018, 12:59 | Përditesimi: 29 Korrik 2018, 15:10
Diell, vapë, shumë vapë... Kështu mund të përmblidhet stina e verës së këtij viti, e cila ka krijuar klima të ndryshme atmosferike, në pjesë të ndryshme të Europës.
Fillimi i Korrikut për Shqipërinë ishte i shoqëruar me ditë shumë të nxehta duke na dhënë përshtypjen se vera filloi intensivisht por në pjesën e dytë të muajit, moti tejet i nxehtë u zëvëndësua nga vranësira dhe reshje shiu në zonat kodrinore-malore. Të enjten vendi pritet të pushtohet nga stuhi të shpërndara dhe nga uljeje të lehta temperaturash.
Kontradikta të tilla ka i gjithë kontinenti duke u ndarë në kështu dy klima. Ndërkohë që pjesa veriore është e përfshirë nga temperatura tejet të larta, Ballkani është pushtuar nga stuhitë dhe breshëri, që vijnë nga dy anticiklonë afrikanë dhe që do të vazhdojnë të ndikojnë në klimë edhe për dhjetë ditët e ardhshme.
Në Francë, temperaturat i kanë kaluar të 37 gradët, në Hollandë temperaturat arritën pikën e tyre kulmore duke shënuar 38.2 gradë celsius, ndërsa në Londër temperaturat i kanë kaluar 38 gradët, duke bërë që të thyhet rekordi i verës së 2003 kur temperaturat arritën pikun e 38 gradëve celsius.
Motin e çmendur të Europës e kanë komentuar edhe ekspertët, sipas të cilëve një klimë e tillë këtë fund korriku nuk është gjë tjetër veçse një produkt i ngrohjes globale.