Rritet me 30% sasia e energjisë që konsumatorët shpenzojnë gjatë këtyre ditëve, ku temperaturat janë ulur ndjeshëm si pasojë e rënjes së dëborës dhe shiut në të gjithë vendin. Siç bën të ditur OSSHEE, janë riparuar edhe defektet e shkaktuara në rrjet si pasojë e mbingarkesës që është në këto ditë.
 
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE ka njoftuar se, si pasojë e uljes së ndjeshme të temperaturave, është rritur me 30 % tej normës së lejuar, ngarkesa në rrjetin elektrik të qytetit të Tiranës duke shkaktuar problem me furnizimin me energji elektrike gjatë  mbrëmjes së djeshme dhe orëve të sotme të paradites.
 
Nga informacionet e dispeçerisë qendrore në OSHEE, si pasojë e një defekti në fiderin L6, n/St Qendër, mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:52, gjatë ditës së sotme u manovrua për furnizimin me energji të abonentëve përmes fiderit A4 që del nga n/St Rajonal.
 
Për pasojë mbetën pa energji konsumatorët e zonave  Rr. Bardhok Biba, Rr. Brigadave, Marteniteti Vjetër, dhe rruga “Sami Frashëri”, të cilët morën furnizim sot në orën 10:17,  me përjashtim të 6 kabinave ( zona Bulevardi Zogu i pare).
 
Grupet e punës së avarisë në OSHEE riparuan  rreth orës 12.30 të ditës së sotme, defektin e shfaqur mbrëmjen e shkuar në n./stacionin Qendër, si dhe u punua  për vendosjen në punë edhe të 6 kabinave ( zona Bulevardi Zogu i parë) të cilët ishin pa energji.
 
Si pasojë e mbingarkesës dhe rrjetit të amortizuar gjatë paradites së sotme u dogjën 2 transformatorë që furnizojnë me energji elektrike  zonën pranë Televizionit shqiptar si dhe zonën tek “Mine Peza” .
 
Grupet e punës së avarive të OSHEE,  të cilat gjenden në terren prej mëngjesit të sotëm, kanë vënë në punë, deri në orën 13.30, të dy transformatorët duke furnizuar kështu me energji të gjithë abonentët  në zonën e TVSH dhe në rrugën “Mine Peza”.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)