Moti i keq, 5 të vdekur në akset
rrugore, Tirana nën ujë, pa drita

TIRANE - Reshjet e dendura të shiut që përfshinë që në mëngjes vendin tonë, kanë shkaktuar 5 viktima dhe 7 të plagosur si pasojë e aksidenteve rrugore. Shiu ka shkaktuar përmbytje në disa rrugë të Tiranës por edhe në  qytete si Durrës e Lezhë. Në kryeqytet reshjet alarmuan jo pak banorët dhe drejtuesit e automjeteve sidomos duke pare tërbimin e lumit Lanë,  uji i së cilës hyri në katet e para të disa shtëpive në zonën prapa Maternitetit të ri.  Përmbytjet u shfaqën kërcënuese në disa akse dhe lagje të Tiranës. Në mesditë kryetari i bashkisë së Tiranës mblodhi shtabin e Emergjencave ku deklaroi se zona Don Bosko dhe Shkoza janë më problematiket dhe po merren masa. Në Durrës niveli i ujit nëpër rrugë arriti në 30 cm, ndërsa në Lezhë mjaftuan 30 minuta që qyteti të mbulohej nga uji. Në një lagje të Shkodrës plasin ujërat e zeza.

KUKESI PA DRITA, SHKEPUTJE DHE NE SHKODER
Qyteti i Kukësit dhe rrethinat e tij kanë mbetur pa energji elektrike që nga ora 21:15 për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Nënstacioni elektrik i Rexhepajve ka pësuar avari nga era e fortë dhe gjithashtu regjistrohen dëmtime në rrjetin e tensionit të lartë dhe të mesëm, bënë të ditur burime nga ky qytet. Mësohet se CEZ po punon për riparimin e defekteve.
Ndërkohë, shkëputje të energjisë elektrike janë verifikuar që nga orët e pasdites e në vazhdim deri në mbrëmje edhe në qytetin e Shkodrës. Nga kryeqendra e veriut mësohet se energjia elektrike ikën e vjen herë pas herë për shkak edhe të erës së fortë që vazhdon fshikullojë qytetin.

GJASHTE TE PLAGOSUR NE AUTOSTRADEN VLORE-FIER
Një tjetër aksident është regjistruar gjatë orëve të pasdites në dalje të autostradës Vlorë-Fier ku si pasojë e lagështisë në asfalt dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, duke shkaktuar plagosjen e 6 personave. Mësohet se të lënduarit janë dërguar me urgjencë në spitalet e zonës ku ndodhen nën kontrollin e mjekëve. Disa nga të plagosurit janë Gentian Mucmataj, 31 vjeç, drejtues i automjetit Audi, Fadil Mucmataj, 59 vjeç, Natasha Mucmataj, 52 vjeç, të tre pjesëtarë të një familje nga Kukësi. Ndërsa tre të plagosurit e tjerë udhëtonin në automjetin tip Alfa Romeo.

MAKINA DEL NGA RRUGA, 1 I VDEKUR NE BULQIZE-MAT
Lagështia në rrugë dhe moti i keq kanë shkaktuar edhe një tjetër viktimë. Ngjarja ndodhi në aksin Bulqizë-Mat, ku makina tip Benz doli nga rruga. Viktima quhet Ramiz Cakolli, 54 vjeç, nga Fshat i Klosit. Nga informacionet paraprake mësohet se ai po udhëtonte drejt Matit.

KUKES, BIE MAKINA NE HUMNERE: 4 TE VDEKUR, NJE I PLAGOSUR

Moti i keq duket se është edhe shkak i një aksidenti rrugor në aksin Durrës-Kukës, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka rënë në humnerë, si pasojë e të cilit katër persona kanë humbur jetën ndërsa një tjetër ka mbetur të plagosur. Ngjarja ka ndodhur rreth 5 km larg qytetit të Kukësit, në afërsi të ish-kampit të Albudingut. Nga burime policore mësohet se një nga viktimat quhet Ilmi Cengu, 45 vjeç, me banim në Tiranë. Viktima tjetër është e shoqja e tij, Zylfie Cengu dhe nusja e djalit të tyre, për të cilën po punohet për identifikimin e saj. Fillimisht ishte njoftuar se Djana Cengu, 20 vjeç, ishte në gjendje të rëndë, por ajo mësohet se ka ndërruar jetë rrugës për në Spitalin Ushtarak. Kritike mbetet gjendja e 5-vjeçarit V. Cengu.
aksidenti kukes
(Pamje nga aksidenti në Kukës ku humbën jetën 4 anëtarë të një familjeje)

CEZ: PA DRITA DISA ZONA TE KRYEQYTETIT
CEZ Shpërndarje njoftoi mbrëmjen e sotme se për shkak të motit të keq, shoqëruar me reshje të forta shiu, regjistrohen në kryeqytet disa ndërprerje të energjisë elektrike si pasojë e defekteve. Zonat me probleme janë Tirana e Re dhe Komuna e Parisit si dhe rrugët Sami Frashëri, Adem Jashari dhe Margarita Tutulani. CEZ bëri të ditur se po punohet për zgjidhjen e problemit dhe rikthimin e energjisë.

Një njoftim të ngjashëm kompania e publikoi pak pas mesditës edhe për zonat e Kombinatit, Vaqarrit dhe një pjesë të Yzberishtit, të cilat nuk janë përmendur në njoftimin e dytë.

FIER, NDERPRITET PERKOHESISHT NDESHJA E FUTBOLLIT

Një ciklon dhe një shi i rrëmbyeshëm ka përfshirë qytetin e Fierit në orët e mbasdites. Fillimisht një re e dendur ishte ulur mbi qytet duke errësuar për rreth 20 minuta pamjen dhe më pas ka nisur një erë e fortë dhe një shi i dendur me intensitet të lartë. Si rezultat, janë bllokuar pusetat e shimbledhësve duke krijuar problem në trafik. Gjendja e vështirë paraqitej te rrethrrotullimi i QTU ku rruga ishte mbushur me ujë, gjë që e bënte atë të pakalueshme.
Ndërkaq, nga koha e keqe është ndërprerë edhe ndeshja e super ligës mes skuadrave të Fierit e Beratit në pjesën e dytë. Mbas shiut ndeshja ka nisur përsëri në një terren të mbushur me ujë dhe ka përfunduar me rezultatin 2-2. Reshjet kanë shkaktuar gjithashtu edhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa lagje.

VLORE, TRAGETI PER BRINDISI NDERPRET UDHETIMIN
Moti i keq e me reshje të shumta shiu ka krijuar jo pak probleme edhe në portin e Vlorës. Një traget i linjës Vlorë-Brindisi ka ndërprerë udhëtimin dhe është detyruar që të zbresë në port të gjithë pasagjerët që gjendeshin në bord. Më pas, anija ka dalë në det të hapur me qëllim që të evitohej përplasja me kalatat e portit si pasojë e dallgëve.

Brenda portit mësohet se fuqia e dallgëve arrin në 4 ballë, ndërsa në det të hapur shkon deri në 7 ballë.

SHKODER, SHPERTHEJNE UJERAT E ZEZA
Pas shirave të rëna gjatë 24 orëve të fundit, në disa lagje të qytetit të Shkodrës kanë filluar problemet me qarkullimin dhe me përmbytjet e rrugëve. Një shembull i tillë është edhe pranë bllokut të pallateve parafabrikat në lagjen “Naim Gjylbegu” e cila prej më shumë se 20 vitesh nuk ka njohur asnjë investim.

Shirat jo vetëm që e kanë bërë këtë rrugë të pakalueshme, por gjendja është tejet skandaloze. Përveç ujit dhe baltës pa fund, në këtë zonë kanë shpërthyer edhe ujërat e zeza duke e bërë disa herë më të rënde situatën.
Herë pas here banoret e kësaj zone i kanë bërë apel Bashkisë Shkodër që të marrë masa që të zgjidhet kjo situatë dhe të investohet për rregullimin e rrugës dhe sistemimin e kanaleve anësore të rrugës, por gjendja vijon të mbetët e njëjta.

Reshjet e shiut gjatë paradites të së shtunës kanë krijuar probleme edhe pranë qendrës tregtare në Zdrale, ku uji ka vështirësuar jo vetëm lëvizjen e këmbësorëve por edhe të automjeteve. Mungesa e kanalizimeve në këtë zonë bën që sa herë të ketë reshje shiu të grumbullohet uji duke e bërë të pakalueshme këtë rrugë, që frekuentohet nga nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Teknologjike”.
kavaje
(foto nga autostrada Lekaj - Kavaje)

TIRANE

Shiu i rrëmbyer i paradites së sotme solli pamjet e një kryeqyteti me problemet më serioze të urbanizimit. Tirana ishte sot me rrugë të mbushura me ujë, semaforë që nuk punojnë, puseta që nuk funksionojnë dhe trafik i rënduar. Reshjet e rrëmbyeshme sot në kryeqytet alarmuan jo pak banorët dhe drejtuesit e automjeteve sidomos duke pare tërbimin e lumit Lanë. Përmbytjet u shfaqën kërcënuese në disa akse dhe lagje të Tiranës. Komuna e Parisit, Profarma tek rruga Qemal Stafa, kryqëzimi tek rruga e Kavajës, dhe rruga e Frigoriferit ishte akset më delikate.
lumi Lanë dhe pusetat e hapura që shpërthyen tek Frigoriferi ishin pjesa më shqetësuse pasi përbëjnë një rrezik edhe për përhapjen e infeksioneve.

LUMI LANE DEL NGA SHTRATI, BANORET:RREZIKOJME EPIDEMINE
Situata më problematike ishte pranë Maternitetit të Ri ku lumi Lanë kishte ka dalë nga shtrati duke bllokuar tubacionet e shkarkimit të ujrave të zeza duke përmbytur katet e parë të rreth 6 banesave në rrugën që lidh Shkozën me Maternitetin e Ri.  Banorët shprehen tepër të irrituar pasi ndonëse problemi ekziston prej një viti vazhdon të mos gjejë zgjidhje
"Ky problem ka mbi një vit. Të gjithë ujrat e zeza të vilave të kësaj kodre shkarkohen këtu. Përveç prolemit të përmbytjes rrezikojmë dhe epideminë. Kemi njoftuar bashkinë dhe kryetarin Bashkisë i cili na ka thënë se nga njerëzit në terren është informuar se situata nuk është problematike".- ankohen banorët.

lumi lane del nga shtrati
.(Foto: Banoret ne Shkoze)
Në Tiranë rruga "Qemal Stafa" në drejtim të qendrës është e mbuluar nga uji, po ashtu dhe lagjja e njohur si Profarma. Probleme dhe tek "Komuna e Parisit" dhe tek  "Ura e Shkozës"
lana del nga shtrati
(FOTO: Ne Shkoze, Lumi Lane del nga shtrati)

Tek ura e re pranë Pallatit me Shigjeta lumi Lanë ka arritur buzë urës së re. Reshjet kanë shkaktuar dhe një trafik të rënduar të makinave sidomos në rrugën e Frigoriferit dhe në Don Bosko, Komuna e Parisit etj.
Në lagjen “Tirana e re” pranë stadiumit “Dinamo” në një shesh në mes pallateve duken makinat që notojnë në ujë. Banorë të kësaj lagje kanë publikuar fotot në rrjetin social të Facebook.

stadiumi dinamo me logo
(Foto: Pranë stadiumit Dinamo)

BASHA MBLEDH SHTABIN E EMERGJENCAVE

Rreth orës 13: 35 minuta Kryetari i Bashkisë së Tiranës mblodhi shtabin e emergjencave për të analizuar situatën e përmbytjeve nëpër rrugët e kryeqytetit. Nga zyra e bashkisë informohet se vendimi për të mbledhur shtabin e emergjencave është marrë pasi Basha vizitoi situatën në terren. Basha tha se zonat më problematike janë Don Bosko dhe Shkozat dhe po merren masa. Ai tha se pastrimi i Lanës shmangu përmbytjet në disa zona.

NE DURRES
Shirat e rrëmbyeshëm kanë sjellë mjaft probleme edhe në qytetin bregdetar të Durrësit. Mjaft rrugë të cilat të çojnë në port janë përmbytur. Shirat e rrëmbyeshëm kanë detyruar kapitenerinë e portit të mbyllë hambarët e anijeve duke pezulluar përpunimin e mallrave. Edhe disa rrugë të tjera në qytet janë mbuluar nga uji, I cili ka arritur deri në lartësinë 30 cm.

Sheshi para stacionit hekurudhor, rruga "Taulantia" dhe "Skënderbej", si dhe kryqëzimet rrugore në lagjet periferike të plazhit, Shkozetit dhe Spitallës, kanë grumbulluar sasi të tepërta të ujërave të shiut, të cilat shkarkohen me vështirësi për shkak të sistemit të amortizuar të kanalizimeve në territorin e qytetit bregdetar.

Dherat dhe materialet inerte që sjellin rrëketë nga kodrat e qytetit në rrugën "Aleksandër Goga" kanë shkaktuar bllokime të tubacioneve edhe në aksin rrugor, që lidh qendrën me pjesën veriore të qytetit. Reshjet që vazhdojnë pa ndërprerje nga ora 7.30 e mëngjesit të së hënës janë bërë shkak për rrëshqitje të vogla të dherave në kodrën e Currilave.
durres permbytje
(Foto të përmbytjes nga Durrësi)

30 MINUTA SHI PERMBYTI LEZHEN
 

Kanë mjaftur 30 minuta reshje shiu që rrugë dhe lagje të shumta të qytetit të Lezhës janë përballur me vështërsi për shkak të nivelit të lartë të ujit, duke vështirësuar edhe lëvizjen e banorëve dhe automjeteve. Për të realizuar detyrimet e përditshme, qytetarët e Lezhës gjejnë si zgjidhje të vetme zbathjen për të kaluar nga pallatet drejt destinacionit të tyre. Shkak për këtë situatë është bërë mos funksonimi i kolektorëve te cilet nuk shkarkojnë në lumin Drin pasi niveli i tij është rritur ndjeshëm. Megjithëse këto situata janë të pervitshme, reagimi ka qenë mjaft i vogël duke bërë që vështirësitë e qytetarëve të vinë duke u rritur me fillimin e reshjeve të shiut. Përshkak të bllokimit të disa rrugëve në brendësi të lagjeve si pasojë e përmbytjeve te tyre nga shiu është vështirësuar edhe qarkullimi i mjeteve duke krijuar trafik të rënduar në bulevardin “Gjergj Fishta”. Rreshjet e shiut në Lezhë kanë nisur mëngjesin e sotëm dhe kanë patur intensitet të lartë, por bashkia e Lezhës ka vepruar shumë pak për të normalizuar situatën e krijuar.

permbytje lezhe
(foto nga Lezha)

(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Atentati ndaj 30-vjeçarit, makina e autorëve në flakë duke u djegur

Atentati ndaj 30-vjeçarit, makina e autorëve në flakë duke u djegur