FRANCE - Edhe pse jemi në pranverë, dimri vazhdon ende të mbërthejë pothuajse gjithë Francën duke u shoqëruar me temperatura nën zero gradë Celcius dhe me reshje të mëdha dëbore.

Në disa aeroporte kryesore të kryeqytetit si pasojë e reshjeve të dëborës ka pasur vonesa dhe shumë prej fluturimeve janë anuluar.

Si pasojë e ngricave janë shënuar probleme serioze me transportin. Mediat franceze raportojnë një aksident automobilistik për shkak se rrugët ishin mbuluar nga akulli, ku 16 persona përfshirë 6 punonjës të shërbimit të emergjencës janë plagosur dhe janë në gjendje të rëndë.

Shërbimet e Mbrojtjes civile kanë paralajmëruar qytetarët, që të përdorin mjetet publike për t’u spostuar dhe të mos udhëtojnë drejt Parisit e cila është mbërthyer nga dëbora.

Gazeta “Le Monde” flet se në pjesë pjesën veriore të Francës mijëra shtëpi kanë ngelur për orë të tëra pa energji elektrike.

Meteorologët kanë parashikuar se moti i acartë do të vazhdojë deri ditën e nëserme.


LONDER


''Pranvera siberiane'', siç e kanë quajtur gazetat britanike valën e pazakontë të ngricave dhe dëborës, që ka përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, ka shkaktuar sot me qindra aksidente të veçanta automobilistike në të gjithë vendin.

Shumë arterie ndërlidhëse rrugore, kryesisht në rajonet jugore të Anglisë janë plotësisht të bllokuara si pasojë e dëborës dhe në dy prej autostradave më të mëdha në Sussex dhe Kent pasagjerëve u është dashur ta kalonin natën në automjetet e tyre duke qenë se mbetën të bllokuar.

Qindra shkolla janë mbyllur në Angli dhe në Ishujt e Kanalit, ndërkohë që aeroportet e Jerseyt dhe Guernsey do të hapen nesër.


(l.ç/atsh/ad.ti/shqiptarja.com)