VIDEO/ Dëbora bllokon disa fshatra në Dibër, Bulqizë, Krujë e Kukës, ARRSH: Ja akset rrugore ku nuk do të lejohet kalimi pa zinxhirë (SITUATA)

Reshjet e dëborës që nisën në dy ditët e fundit në veri dhe verilindje të vendit sot përfshinë edhe jugun. ARRSH ka njoftuar të gjithë drejtuesit e mjeteve që në akset rrugore Qafë-Thanë-Kapshticë, Boboshticë-Dardhë, Korçë-Voskopojë, Qafë Qarri-Ersekë dhe Fushë Dukat-Llogara-Himarë do t'i duhet të kalojnë me zinxhirë përgjatë fashës së orarit 22:00-06:00.

Saranda dhe Vlora u zbardhën mesditën e sotme, ndërsa Qafa e Muzinës dhe Llogarasë mund të kalohen vetëm me zinxhirë, por situata është nën kontroll. Ndërkohë që situatë e vështirë paraqitet në veri dhe verilindje. Në Kukës, Dibër, Bulqizë, Krujë, por edhe në Konispol janë bllokuar disa fshatra. Në Dibër janë të bllokuar nga dëbora nëntë fshatra në njësinë Lurë, gjithashtu edhe disa në Kalanë e Dodës, Zall Dardhë, Grykë Nokë, ndërsa në Bulqizë është e bllokuar Terrova.

Trashësia e dëborës në këto zona e ka bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve. Në Krujë u regjistrua edhe një aksident (lexo këtu), pasi një furgon doli nga rruga duke përfunduar në humnerë, por fatmirësisht nuk pati të lënduar. Në Korçë ka vështirësi për qarkullimin në zonat turistike, por nuk raportohet për probleme. Sipas ARRSH akset nacionale janë të gjithë të kalueshme, por një pjesë me zinxhirë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:15
Reshjet e dëborës, ARRSH: Ja akset rrugore ku nuk do të lejohet kalimi pa zinxhirë

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar të gjithë drejtuesit e mjeteve se në disa akse kryesore të vendit, për shkak të temperaturave shumë të ulëta dhe reshjeve të dëborës, nuk do të lejohen të qarkullojnë pa zinxhirë.

ARRSH cilëson se në fashën e orarit 22:00-06:00, asnjë automjet nuk do të lejohet të kalojë pa zinxhirë në Qafë-Thanë-Kapshticë, Boboshticë-Dardhë, Korçë-Voskopojë, Qafë Qarri-Ersekë dhe Fushë Dukat-Llogara-Himarë.

Ndërkohë, situatë e vështirë paraqitet edhe në veri dhe verilindje. Në Kukës, Dibër, Bulqizë, Krujë, por edhe në Konispol janë bllokuar disa fshatra. Në Dibër janë konkretisht të bllokuar nga dëbora nëntë fshatra në njësinë Lurë, gjithashtu edhe disa në Kalanë e Dodës, Zall Dardhë, Grykë Nokë, ndërsa në Bulqizë është e bllokuar Terrova.

Trashësia e dëborës në zonat e sipërpërmendura e ka bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve. Në Krujë u regjistrua edhe një aksident, pasi një furgon doli nga rruga duke përfunduar në humnerë, por fatmirësisht nuk pati të lënduar. (Lexo këtu)

Ora 16:43
Borë në Sarandë, Dhërmi, Llogara, Nivicë, Gjirokastër dhe Korçë/ Pamje përrallore, gjysma e Shqipërisë e zbardhur (FOTO)

Reshjet intensive të borës dhe temperaturat e ulëta kanë "mbërthyer" gjysmën e Shqipërisë. Reshjet nuk mungojnë as në veri të vendit, por ajo që vlen të theksohet është se bora ka zbardhur edhe bregdetin si rrallë ndonjëherë. Shqiptarja.com sjell fotogalerinë nga disa zona të vendit me momentet më mbresëlënëse. Saranda, Dhërmiu dhe Palasa janë zgjuar sot me flokë dëbore të cilët kanë mbuluar plazhin, duke surprizuar jo pak banorët vendas por edhe turistët. Parku Kombëtar i Llogarasë gjithashtu ofron një panoramë fantastike. Fshati Nivicë në Vlorë përgjatë dy ditëve është mbuluar nga petku i bardhë. Dardha, Voskopoja dhe vetë qyteti i Korçës janë përrallë më vete, ndërsa janë të shumtë turistët që kanë përjetuar bukurinë dimërore duke e bërë të vështirë largimin prej tyre. Reshje bore ka pasur edhe në Gjirokastër. Qyteti i gurtë shkëlqen edhe më shumë në këto ditë të ftohta dimri me borën prezente mbi të. Reshjet e dëborës kanë zbardhur mbi 80% të territorit, ndërsa vetëm Tirana, Elbasani, Fieri dhe Durrësi janë qytetet ku ende nuk kanë rënë flokët e parë. 

Ora 16:01
Bora mbulon plazhin e Dhërmiut dhe Palasës, zbardhet bregdeti (FOTO)

Reshjet e dendura të dëborës që kanë prekur jugun e vendit, nuk kanë lënë jashtë as bregdetin. Pas Sarandës, bora ka zbardhur edhe bregdetin e Dhërmiut, më konkretisht Drimadhën, duke ofruar një panoramë fantastike. Siç duket edhe nga fotot, bora ka mbuluar të gjithë plazhin. Për banorët vendas kjo është një ndodhi e rrallë, ndërsa nga ana tjetër kanë qenë jo të paktë turistët që frekuentojnë zonat bregdetare gjatë dimrit, të cilët janë bërë dëshmitarë të kësaj pamje mbresëlënëse duke e momerizuar atë me foto dhe video të cilat janë shpërndarë në rrjetet sociale. Fotot që publikon Shqiptarja.com janë shkrepur nga Artur Bubeqi, një prej operatorëve turistikë të zonës.

Ora 15:52
Dëbora vështirëson kalimin në disa akse rrugore të Vlorës, Shtabi i Emergjencës: Kalimi në 48 orët e ardhshme, me zinxhirë

Në aksin rrugor Vlorë- Llogara kalohet vetëm me zinxhirë, pasi janë hasur probleme me ngricat e krijuara. Ndërkohë, situata paraqitet e vështirë edhe në dy akset si Kotë-Sevaster dhe Kotë-Vranisht-Kuç.

Shtabi i emergjencës ka konfirmuar se në këto akse problematike do të kalohet në 48 orët e ardhshme vetëm me automjete të pajisura me zinxhirë. Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili raporton se momentalisht po kërkohet ndërhyrje me borëpastruese dhe mjete të rënda.

Ora 15:01
Dëbora/ Aksident në Mallakastër, përmbyset makina, s’ka të lënduar (FOTO)

Moti i keq dhe dëbora ka përfshirë edhe Mallakastrën, ndërsa mesditën e sotme është regjistruar një aksident në fshatin Drenovë, por fatmirësisht nuk ka të lënduar.

Makina e përmbysur në Mallakastër
Ora 13:34
Reshjet e dëborës, zbardhet Kukësi (VIDEO)

Reshjet e borës vijojnë në shumicën e qarqeve në vënd. Report TV sjell pamjet nga situata në Kukës.

Ora 13:33
Dëbora dhe akulli bllokojnë lëvizjen në 5 fshatra në Krujë (VIDEO)

Pesë fshatra në malësinë e Krujës janë bllokuar nga dëbora. Fshatrat e bllokuar janë Kroi i Madh, Bruz Mal e Bruz Zallë, Rranzë, Çudhi, Kamp dhe Parku kombëtar i Qafë Shtamës. Trashësia e dëborës është rreth 15 centimetra por problemi është prania e akullit në rrugë e cila bën të pamundur kalimin e mjeteve. Në mungesë të kripës dhe skorjeve punonjësit e bashkisë hedhin dhe në rrugë.

Ora 11:09
Dëbora/ Qafa e Muzinës dhe Llogaraja kalohen vetëm me zinxhirë (VIDEO)

Qafa e Muzinës dhe Llogaraja mund të kalohen vetëm me zinxhirë si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës që kanë rënë dhe vijojnë që të bien edhe ditën e sotme. Report Tv sjell pamjet nga dëbora që ka pushtuar Llogoranë.

Ora 10:44
Dëbora bllokon rrugët në Konispol, bashkia: I pastruam që në orët e para të mëngjesit

Dëbora e rënë përgjatë natës së kaluar ka bllokuar rrugët edhe në Njësinë Administrative Markat në Bashkinë Konispol. Disa mjete kanë mbetur të bllokuara në rrugë. Bashkia e Konispolit njofton se dy automjete borëpastruese kanë punuar që në orët e para të mëngjesit për lirimin e rrugëve. Në një prononcim për Report Tv, kryebashkiaku Shuaip Beqiri tha se rrugët janë të kalueshme, pavarësisht se reshjet e dëborës vijojnë të bien edhe në këto momente. 

Ora 09:57
Dëbora, ARRSH: Ja rrugët me probleme ku duhet të bëni kujdes (FOTO)

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se në të gjitha akset rrugore që ka pasur reshje dëbore është bërë pastrimi i rrugës, ndërsa rekomandon përdorimin e zinxhirëve në disa prej tyre. 

Njoftimi i plotë nga ARRSH
Në të gjitha akset kryesore të vendit që ka pasur reshje bore janë marrë të gjitha masat e nevojshme nga kontraktorët dhe kompanitë e mirëmbajtjes. Është bërë trajtimi me kripë dhe pastrimi i rrugës nga bora. Në Dardhë, Voskopojë, Bigell Gorricë dhe në Qafën e Qarrit, rekomandohet përdorimi i zinxhirëve, për shkak të prezencës së ngricave në rrugë, pasi temperaturat janë shumë të ulëta. Në aksin Qafë Thanë - Kapshticë ka pasur reshje të dobëta.

Është bërë pastrimi dhe qarkullimi kryhet pa zinxhirë. Në segmenti fundor prej 20 km te aksit Ura e Cerenecit - Stebleve rekomandohet përdorimi i zinxhirëve, për shkak të ngricave në rrugë. Në segmentin Lunik-Stebleve rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për shkak te pranisë së ngricave në rrugë. Kontraktorët po punojnë në të gjitha akset për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës. Në Qafën e Llogarasë dhe në Qafën e Muzinës, nuk ka pasur reshje. Kontraktori ka bërë shpërndarjen e kripës që në orët e para të mëngjesit dhe qarkullimi kryhet pa probleme. Rekomandohen përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes gjate lëvizjes në akset ku ka prezencë ngricash dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore.

Ora 09:01
Moti i keq në Kukës, ja rrugët e bllokuara nga dëbora

Në Kukës të gjitha rrugët janë të kalueshme me përjashtim të aksit rrugor që lidh Njësinë Administrative Arrën me rrugën nacionale dhe fshatin Turaj me Njësinë Administrative Topojan. Në bashkitë Tropojë dhe Has furnizimi me energji elektrike është normal me përjashtim të fshatit Pistë Njësia Administrative Malzi Bashkia Kukës dhe fshatrat Kishaj e Pogaj të Nj.Ad.Gjinaj bashkia Has.

Ora 08:55
Zbardhet bregdeti, Saranda vishet me dëborë (VIDEO)

Ulja e temperaturave ka sjellë reshje dëbore edhe në qytetin bregdetar të Sarandës. Sipas IGJEUM reshjet do jenë në formë dëbore deri në lartësinë 600 metra mbi nivelin e detit.

Ora 08:53
Nis dëbora në qytetin e Gjirokastrës (VIDEO)

Në Gjirokastër ka rënë dëbora e parë për këtë vit. Jo vetëm në fshatra, por edhe në qytet ka rënë dëborë, por nuk raportohet për probleme. Institucionet janë në gatishmëri në rast emergjence në zonat malore.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    10 Dhjetor, 10:15

    Në përplasjen Veliaj-Berisha kujt i jepni të drejtë?



×

Lajmi i fundit

Mirditë/ E rëndë në Spaç, 51-vjeçarit i bie transmisioni i eskavatorit që po rregullonte! Ndërron jetë në vend

Mirditë/ E rëndë në Spaç, 51-vjeçarit i bie transmisioni i eskavatorit që po rregullonte! Ndërron jetë në vend