Reshjet e dëborës dhe ngricat kanë shkaktuar probleme për lëvizjen e mjeteve në akset nacionale. Nga Jugu në Veri, rrugët kanë qenë të bllokuara, apo të kalueshme me vështirësi nga akulli. Ndërkohë, nuk kanë munguar as aksidentet, sidomos në Rrugën e Kombit. Në shumë zona, trashësia e borës i kalon 30 apo edhe 50 centimetrat. Ndërsa i ftohti ka bërë që rrugët në ngrijnë. Shumë aksidente, por pa fiktima kanë ndodhur dje, ndërsa disa komuna në Veri të vendit janë të bllokuara.

SKRAPAR: 70 CM BORE, DISA KOMUNA PA ENERGJI
Reshjet e borës të rëna gjatë natës së djeshme kanë sjellë probleme në akset kryesore të qytetit të Skraparit. Më problematik ka qenë aksi rrugor Polican-Skrapar i cili ka mbetur i bllokuar për 2 orë. Probleme ka pasur gjithashtu edhe në të gjitha komunat e rrethit të Skraparit ku bora ka shkuar deri në 70cm. Komunat e bllokuara jane Gjerbes, Potom, Cepan, Qafa e Devrise, Komuna Qender etj . Ndërsa disa nga këto komuna vuajnë dhe mungesën e energjisë elektrike për shkak të defekteve në linjat e tensionit. Problematikë tjeter është dhe rruga nacionale Berat-Poliçan-Skrapar ku si pasojë e rënies së gurëve masiv në këtë aks rrugor, regjistrohen vështirësi në qarkullim. Nga ana e Drejtorisë së Rrugëve po punohet për zhbllokimin e këtyre akseve rrugore, për të normalizuar situatën.

ZONAT E IZOLUARA NE QARKUN E KUKESIT
Reshjet e dendura të dëborës që kanë rënë gjatë gjithë natës së kaluar, në zonën veri-lindore, kanë sjellë bllokimin e disa komunave dhe fshatrave të thellë të Kukësit, Hasit e Tropojës, raporton korrespondenti i A1Report, Bekim Lekica. Konkretisht, të izoluara dhe pa asnjë komunikim me qytetet e Kukësit, Krumës e Bajram Currit janë komunat Arrën, Kalis, Grykë Ccajë e Lekbibaj ndërkohë që fshatrat e komunave Zapod, Topojan, Mrgegaj, Golaj, Tropjë e Vjetër etj nuk lidhen me qendrat e komunave pasi trashësia e borës është mëse 40 centimetër dhe mjetet borëpastruese ende nuk kanë mbërritur për të bërë të mundur hapjen e akseve rrugore rurale. Ndërkohë, problematike paraqitet situata edhe në akset rrugore nacionale si Kukës-Shishtavec, Kukës-Peshkopi, Kukës-Draj Rec, Kukës-qafë Shllak, Krumë-Bajram Curri, Bajram Curri-Fierzë në të cilat qarkullimi I atuomjeteve bëhet vetëm përmes zinxhirëve. Sipas drejtuesve të rrugëve në Kukës në të gjitha akset rrugore janë nxjerrë mjetet borëpastruese për të larguar dëborën e rënë dhe hedhur kripën e sporjen për ta mbajtur atë të qarkullueshme. Ndërkohë, në autostradën Kalimash-Kukës-Morin problemet kanë qënë të mëdha në orët e vona të mbrëmjes së kaluar dhe orët e para të mënsgjesit të sotëm ku trashësia e dëborës ka qënë 30 cëntimetra dhe për t’a mbajtur të hapur kanë punuar 5 borëpastruese. Moti I keq ka ndikuar edhe në furnizimin me energji elektrike ku ndërprerjet kanë qënë të shpeshta duke lënë pa energji mijëra banorë. Lidhur me emergjencat shëndetësore,deri tani nuk është raportuar për raste të tilla.

FRATAR-TEPELENE DY ORE I BLLOKUAR
Qarkullimi rrugor në aksin kombëtar Fratar – Tepelenë është ndërprerë për rreth dy orë, njofton korrespondenti i A1Report, Kristaq Thano. Reshjet e dëndura të dëborës që në vende të veçanta kanë arritur deri në 30 cm kanë sjellë probleme në qarkullim të mjeteve. Disa prej tyre kanë rrezikuar të përfundojnë jashtë rrugës, duke sjellë më pas dhe bllokimin e qarkullimit të mjeteve të tjera. Reshjet kanë nisur rreth orës 03:30 të mëngjesit ndërsa qarkullimi është ndërprerë deri rreth orës 09: 00 të paradites të së dielës. Eshtë dashur ndërhyrja e policisë rrugore, për të normalizuar situatën dhe qarkullimi më pas ka vijuar me vështirësi. Drejtues të ndryshëm mjetesh kanë pohuar se janë ndier të papërgatitur ndërsa ka munguar ndihma për hedhje të skoreve apo borëpastruesëve nga ana e drejtorisë së mirëmbajtjes së rrugëve.
Rreth mesditës situata ka qënë më e normalizuar, ndërsa policia iu ka bërë thirrje drejtuesëve të automjeteve të jenë tepër të kujdesshëm pasi rruga ende ka probleme nga bora.

MPPT: JA AKSET PROBLEMATIKE
Në orën 10:40, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit njoftoi se situata e akseve rrugore është si më poshtë:

Në rajonin e Tiranës: Qafa e Krrabës ka 20 cm borë dhe është e kalueshme me zinxhirë. Elbasan-Guri Zi gjithashtu kalohet vetëm me zinxhirë ndërsa Guri Zi - Kollogjes është i bllokuar, sikurse edhe aksi Lunik - Stëblevë. Elbasan - Gjinar e kalueshme me zinxhirë, ndërsa Rruga e Dajtit deri te Vilat është gjithashtu e kalueshme.

Rajoni Verior: Rrugët e Pukës janë të kalueshme me zinxhirë, ashtu si edhe rruga e Valbonës.

Rajoni Jugor: Në zonën e Mallakastrës ka 10 cm borë. Vende-vende kalohet me zinxhirë. Në dy kthesa të forta të Llogarasë ka nevojë për zinxhirë. Në Dardhë e Voskopojë qarkullimi është i mundur vetëm me zinxhirë. Ndërsa akset e tjera nuk paraqesin probleme.

AUTOSTRADA ELBASAN-TIRANE ME ZINXHIRE

Nga moti i keq, akset Elbasan – Tiranë dhe Elbasan - Qafë Thanë ishin të pakalueshme mëngjesin e sotëm ndërsa pas ndërhyrjes së autoriteteve tashmë janë të kalueshëm me vështirësi dhe nevojitet përdorimi i zinxhirëve, njoftoi korrespondenti i A1Report. Edhe 4 komuna të rrethit të Kukësit si Arrën, Kalish, Grykëçajë dhe Lekbibaj vazhdojnë të jenë të bllokuara nga dëbora, ndërsa akset Kukës - Peshkopi - Shishtavec - Qafë Mali - Krumë - B. Curri të kalueshme vetëm me zinxhirë. Dëbora ka izoluar totalisht Malësia e Krujës dhe qarkullimi i mjeteve kryhet me vështirësi. Si pasojë, është bllokuar edhe hyrja për në qytetin e Krujës nga reshjet e dëborës që kanë rënë gjatë natës.

Edhe në Dibër shumë fshatra kanë humbur lidhjet me qendrat e komunave dhe më tej. Më problematike është situata në Kalane e Dodes, në Lurë, Ostren ku trashësia e dëborës i ka kaluar 30 cm. Si rrjedhojë, mjetet qarkullojnë me shumë vështirësi, ndonëse po vazhdon puna për pastrimimin e dëborës.


Jug dhe Juglindje

Dy furgonë pasagjerësh, njëri me targa të Fierit dhe tjetri të Gjirokastrës, u përplasën në kthesën e “Syrit të Kaltër”, në aksin Muzinë-Sarandë. Nga aksidenti u plagosën 4 persona, të cilët udhëtonin me të dy automjetet, ndërsa policia e Gjirokastrës bëri të ditur, se shkak i aksidentit është ngrica në rrugë. Dy të plagosur janë transportuar në spital dhe gjendja shëndetësore e tyre është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, aksidenti bllokoi rrugën për rreth 20 minuta. Shtresa e bardhë e dëborës ka mbuluar gjithë territorin e zonës së Llogorasë në Vlorë, duke arritur në 30 centimetër. Për shkak të dëborës, që vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm, u bllokuan disa automjete, mes të cilave edhe 2 kamionë, të cilat rrëshqitën duke bllokuar rrugën.

Veri

Trashësia e dëborës në disa pika të gjatësisë së autostradës Tiranë-Kukës ka arritur deri në 30 centimetër, duke vënë në lëvizje 5 borëpastruese për hapjen e saj. Por, pavarësisht kësaj, aksidentet në autostradë kanë qenë të pranishme. Gjatë ditës së djeshme, janë shënuar 3 raste të daljes së mjeteve nga rruga për shkak të prezencës së akullit dhe borës në autostradë. Segmenti më i rrezikshëm i lëvizjes së automjeteve në Rrugën e Kombit është paraqitur nga fshati Reps deri në hyrje të qytetit të Kukësit. Në këtë aks, prezenca e akullit krijoi problematikë më të madhe në afërsi të fshatit Kolsh të Kukësit, si dhe në afërsi të fshatit Fan të Mirditës, ku ka munguar hedhja e kripës dhe skorjes, duke provokuar edhe daljet e 3 automjeteve nga rruga, por fatmirësisht pa viktima. Aksidenti më i rëndë gjatë ditës së djeshme është shënuar pikërisht në afërsi të fshatit Kolsh, ku një automjet, për shkak se humbi kontrollin është rrotulluar disa here, ku është plagosur lehtë drejtuesi.

Bora që ka nisur në orët e para të së shtunës kanë bërë që brenda orës të zbardhin jo vetëm zonën rurale, kryesisht zonat 400 metër mbi nivelit të detit, por edhe qytetet e Kukësit, Krumës e Bajram Currit. Reshjet e dëborës kanë sjellë problematikën e tyre për shumë fshatra dhe komuna të qarkut të Kukësit, si në lëvizjen e banorëve dhe furnizimin me energji elektrike. Mësohet, se tre komuna në këtë qark janë izoluar nga dëbora, ku bëhet fjalë për komunat Lekbibaj, Arrën dhe Kalis, ndërsa një numër fshatrash në komunat Shishtavec, Zapot, Topojan, Gryk-Caj, Shëmri, Bytyç e Surroj janë paralizuar nga lëvizja pasi trashësia e dëborës i ka kaluar 50 centimetrat. Sipas përgjegjësit të zyrës së emergjencave civile pranë prefekturës së Kukësit, bëhet e ditur, se deri tani problemet janë shfaqur në akset Kukës-Shishtavec, Kukës-Peshkopi, Krumë-Bajram-Curri dhe Bajram Curri-Qafë-Mali. Ndërsa vonë mbrëmë, në Krumë, të rrethit Has, dy persona kanë qenë në rrezik për jetën, për shkak se automjeti me të cilin udhëtonin ka dalë nga rruga. Ata kanë qëndruar për afro një orë e gjysmë buzë greminës, duke mos mundur të dalin as nga makina. Kastriot Dika, në momentin që dha alarmin në televizionin A1 Report, tha se në makinë ndodhej me një person tjetër, Shkëlqim Bardhi, si dhe gjendeshin vetëm 2 km larg komisariatit, ndërsa policia u kishte thënë se, nuk mund të shkonte aty pa ndërhyrë borëpastrueset. Pas 90 minutash, dy të rinjve iu ka shkuar në ndihmë policia me mjete të mëdha, për t’i larguar nga aty ku ishin.