Moti i keq që ka përfshirë Italinë ka shkaktuar rrëshqitje dherash dhe përmbytje rrugësh në disa zona. Kështu shirat e rrëmbyeshëm 'morën me vete' një shtëpi në Brazzano di Cormons, në provincën e Gorizias.

Një person u nxor i gjallë nga rrënojat, teksa vijojnë kërkimet për dy persona të zhdukur: një burrë 32-vjeçar gjerman dhe një grua 83-vjeçare, të cilën i riu mund të ketë qenë duke u përpjekur ta shpëtonte.

Ndërkohë të paktën 300 persona janë evakuuar pasi lumi Torre në Romans d'Isonzo doli nga shtrati.

Përmbytjet vazhdojnë kryesisht në zonën e Ligurias, që është edhe më e goditura sipas raportimeve të mediave në vendin fqinj.

Zjarrfikësit kanë kryer dhjetëra operacione deri më tani për të ndihmuar shoferët në vështirësi, njerëzit e bllokuar në shtëpitë e tyre nga ujërat e përmbytjeve dhe rrëshqitjet e dheut.