Reshjet intensive të shiut kanë krijuar sërish probleme në disa zona të vendit, ku më e prekura mbetet Lezha. Blloku i banimit “11 Janari” dhe 11.2 hektarë të lagjes “Besëlidhja” u përmbytën sërish brenda pak ditësh. Niveli i ujit në mëngjes arriti deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve.
Po ashtu, trafiku në qytet u rëndua ndjeshëm për shkak të reshjeve dhe prezencës së ujit në rrugë. Ndërkohë, përmbytjet vijojnë të jenë prezente prej një jave në disa zona, me problematika më të theksuara në njësitë Kolsh, Zejmen, Shënkoll, si edhe në Mamurras të Bashkisë Kurbin.
Edhe në Vlorë ka probleme. Rrëshqitjet e dherave bllokuan për rreth 45 minuta aksin që lidh fshatin Peshkëpi me Vllahinën dhe Poçemin. Dhjetëra mjete u detyruan të presin në rrugë, ndërkohë që segmenti ishte riasfaltuar pak kohë më parë.
Ndërsa në Kukës, reshjet e dendura kanë shkaktuar rënie gurësh dhe shkarje dherash në disa akse nacionale, por ato mbeten të hapura dhe të qarkullueshme. Në zonat malore janë regjistruar reshje dëbore dhe ngrica, por rrugët rurale aktualisht kalohen normalisht. Megjithatë, ka ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona.
Reshjet e shiut vijojnë me intervale, intensitet të ulët deri mesatar në territorin e qarkut Korçë, ndërsa po vijon puna për riparimin e urave dhe argjinaturave të dëmtuara.
Bashkia Maliq
Gjatë inspektimit në terren, në aksin Lozhan–Mesmal vijon pastrimi i masivit nga shtrati i rrugës, me synim mundësimin e kalueshmërisë për katër fshatrat: Velçan, Selcë, Mesmal dhe Niçë.
Paralelisht, po kryhen punime për grumbullimin e inerteve në urat e lumit Devoll, me qëllim predispozimin e tyre pranë zonës së dëmtuar.
Po punohet gjithashtu në fshatrat Sovjan, Klocë dhe Vashtëmi.
Pas ndërprerjes së reshjeve, do të ndërhyhet në çarjen e argjinaturës, për stabilizimin e saj.
Bashkia Kolonjë
Vijojnë ndërhyrjet në këto zona:
Fusha e Rehovës (Bllanjë) ndërhyrje për stabilizimin e terrenit.
Ura e fshatit Taç – punimet janë në vijim.
Ura e fshatit Qinam ndërhyrje nga kontraktorët e firmës.
Bashkia Pogradec
Vijon puna intensive në terren.
Po kryhet hartimi i proceseve verbale pranë familjeve të prekura janë evidentuar raste të reja.
Problematika në Lumin e Verdovës dhe të Rremenjit, në tre familje ku mjetet e rënda nuk kanë akses. Po punohet me mini-fadromë 3.5 T të firmës private “REI shpk”, në bashkëpunim me njësitë administrative.
Sipas njoftimeve të deritanishme, akset rrugor në territor janë të kalueshëm.
Në qytet janë evidentuar probleme me prezencë uji në katet e para të pallateve në zonën “1 Maji”.
Është depozituar kërkesë pranë SHGjSH për ekspertizë lidhur me rezervuarin Grunjas.
Është konstatuar masiv shkëmbor me risk potencial në hyrje të qytetit të Pogradecit janë marrë masat për sigurinë e zonës.
Nga inspektimi në terren u konstatua se subjekti “2T” vijon punën intensive për pastrimin e masivit shkëmbor nga shtrati i rrugës në aksin Qafë Plloçë – Qukës, me qëllim mundësimin e kalueshmërisë së sigurt dhe pa problematika.
Bashkia Devoll
Po punohet për çakullimin e segmenteve rrugore në fshatrat Vranisht, Pilur, Bitinckë dhe Tren.
Vijon riparimi i urës së fshatit Çetë.
Nivelet e rezervuarëve paraqiten në kuota normale dhe nuk raportohen problematika.
Bashkia Pustec
Vijon puna për pastrimin e përroit të fshatit Goricë.
Po punohet për sistemimin e rrugës Lajthizë–Pustec.
ARRSH – Drejtoria Qendër–Lindje
Nuk raportohen problematika të reja.
Vijon puna për sistemimin dhe normalizimin e akseve të dëmtuara.
OSHEE
Nuk raportohen problematika.
Furnizimi me energji elektrike vijon normalisht.
Strukturat përgjegjëse vijojnë të monitorojnë situatën dhe të raportojnë në kohë reale për çdo zhvillim të ri në territor.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë disa pamje nga riparimi i argjinaturave ujitëse dhe mbrojtëse nga zonat e rrezikuara nga përmbytjet si pasojë e reshjeve intensive të ditëve të fundit.
Rama thekson se ekipet e Drejtorisë së Ujitje-Kullimit janë në bashkërendim të plotë me Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura dhe institucionet lokale dhe po punojnë në zonat e prekura.
“Vijon riparimi i argjinaturave dhe infrastrukturës së rëndësishme ujitëse e mbrojtëse në zonat e rrezikuara nga përmbytjet si pasojë e reshjeve intensive të ditëve të fundit.
Ekipet e Drejtorisë së Ujitje-Kullimit janë në bashkërendim të plotë me Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura dhe institucionet lokale, për të garantuar sigurinë e komuniteteve dhe zonave të prekura”, shkruan Rama.
Në Bashkinë Maliq kanë nisur këtë të mërkurë punimet për zhbllokimin e rrugës Lozhan–Mesmal, e cila prej pesë ditësh ka qenë e pakalueshme si rezultat i rrëzimit të gurëve dhe dherave.
Ekipet e Emergjencave Civile po punojnë për të rikthyer qarkullimin normal dhe për të garantuar lidhjen e zonave të thella me rrugën kryesore.
Institucionet kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me banorët e zonës së izoluar, për t’u ardhur në ndihmë në rast emergjencash, kryesisht atyre shëndetësore.
Ndërkohë, nga verifikimet në terren raportohet se pastrimi i rrëshqitjeve përgjatë segmentit Lozhan–Mesmal po vijon me ritme të shpejta.
Rihapja e këtij aksi rrugor është jetike për katër fshatrat Velçan, Selcë, Mesmal dhe Niçë, të cilat presin rivendosjen e lëvizjes së lirë brenda ditëve në vijim.
Rreshjet e dendura kanë shkaktuar probleme në zonën e Vllahinës në Vlorë, ku rrëshkitjet e dherave kanë bllokuar për rreth 45 minuta aksin që lidh fshatin Peshkëpi me Vllahinën dhe Poçemin. Segmenti është i pakalueshëm për automjetet, duke krijuar trafik dhe penguar lëvizjen e banorëve të disa fshatrave të zonës.
Rruga, e cila ishte riasfaltuar pak kohë më parë dhe lidhet me rrugën e re të Poçemit që shkon drejt autostradës Levan–Tepelenë, u prek nga rrëshqitja e masiveve të dheut që ranë nga shpatet anësore. Dhjetëra mjete u detyruan të qëndrojnë në pritje deri në mbërritjen e mjeteve të ndërhyrjes për pastrimin dhe hapjen e aksit.
Situata e krijuar këtë të mërkurë nxorri në pah problematikën e mungesës së barrierave mbrojtëse në anë të rrugës, ku si pasojë e reshjeve, situata u vështirësua deri në bllokim të qarkullimit të banorëve të disa fshatrave në zonë.
Qarku Kukës vijon të jetë i përfshirë nga reshjet e dendura të shiu. Për shkak të kushteve atmosferike, në akset rrugore nacionale vazhdojnë të shfaqen problematika të rënies së gurëve, dherave dhe inerteve, duke kërkuar ndërhyrje të vazhdueshme nga ekipet e mirëmbajtjes.
Në zonat e larta malore janë regjistruar edhe reshje dëbore. Disa segmente të rrugëve të fshatrave të thellë malorë ndodhen nën ndikimin e dëborës dhe ngricave, por aktualisht janë të qarkullueshme. Sipas parashikimeve, ditët në vijim pritet që reshjet e dëborës të shtrihen edhe në zonat më të ulëta malore.
Subjektet kontraktore vijojnë punën në terren pa ndërprerje, duke kryer pastrimin e tombinave dhe eliminimin e problematikave të shkaktuara nga reshjet. Të gjitha akset rrugore nacionale mbeten të hapura për qarkullim. Nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk raportohet për emergjenca apo situata problematike.
Sa i përket furnizimit me energji elektrike, i gjithë Qarku Kukës është i furnizuar normalisht, përveç disa zonave: fshati Mamëz, Nj.Adm. Kolsh,Nj.Adm. Surroj, bashkia Kukës,Nj.Adm. Tropojë e Vjetër, Fierz, Llugaj dhe Margegaj, bashkia Tropojë,fshati Zarisht, Nj.Adm. Fajza, bashkia Has
Reshjet e dendura të shiut që ranë gjatë natës krijuan probleme në qytetin e Lezhës. Sistemi i kanalizimeve nuk përballoi nivelin e lartë të prurjeve, duke sjellë prezencë uji në bllokun e banimit “11 Janari” dhe në 11.2 hektarë të lagjes “Besëlidhja”.
Niveli i ujit në mëngjes arriti deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve. Ndërkohë, për shkak të motit të keq dhe ujërave në rrugë, në pjesën më të madhe të qytetit u krijua trafik dhe kaos në lëvizje.
Kjo është hera e dytë brenda pak ditësh që reshjet e shiut shkaktojnë probleme në këto zona të Lezhës. Me rënien e intensitetit të reshjeve, situata ka nisur të përmirësohet. Ndërkohë, në qarkun e Lezhës vijojnë të jenë të përmbytura prej rreth një jave disa zona, ku problematikat më të mëdha paraqiten në njësitë Kolsh, Zejmen dhe Shënkoll, si edhe në Mamurras të Bashkisë Kurbin.
Komente












