Në lagunën e Vainit vijon operacioni i ndërlikuar për mbylljen e argjinaturës e cila pësoi shkarje mbrëmjen e së mërkurës. Sipërfaqja e përmbytur është rritur, ku disa banesa janë izoluar dhe rrugët janë bërë të pakalueshme në zonën e Myltes dhe Barbullojës. Banorët shprehen mjaft të shqetësuar, pasi niveli i ujit po vjen gjithnjë në rritje, ndërsa kanë pësuar dëme në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Lezhë, ekipe teknike dhe forca ushtrie janë në terren me mjete të rënda dhe kamionë të ngarkuar me gurë e inerte, me synimin për të frenuar depërtimin e ujit drejt zonave të banuara. Ndërhyrja po zhvillohet mes vështirësish të mëdha pasi rruga që të çon te argjinatura kalon brenda territorit të mbrojtur të kënetës. Kjo e bën lëvizjen e mjeteve të ngadalshme dhe të rrezikshme, duke vështirësuar ritmin e punimeve.

Pavarësisht kushteve të vështira, terreni nuk është lënë asnjë çast pa vëzhgim. Krahas ekipeve të bashkisë, ndihmë kanë ofruar edhe disa kompani private që kanë vënë në dispozicion flotën e tyre të mjeteve për të përshpejtuar mbylljen e çarjes, me qëllim shmangien e mëtejshme të përmbytjeve në fshatrat e Njësive Administrative Shënkollit dhe Zejmenit.


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ Vjosa del nga shtrati te Ura e Mifolit në Vlorë, evakuohen 14 familje në Njësinë Novoselë dhe Fier! Çahet argjinatura në Kune Vain, pamjet me DRON